Si vjedh shejtani prej namazit?

Si vjedh shejtani prej namazit?

Lëvizja e shikimit sa majtas-djathtas gjatë faljes, konsiderohet si vjedhje e namazit prej shejtanit. Këtu nuk bëhet fjalë që shejtani të vjedhë të gjithë namazin, por ai vjedh sa të mundet prej tij. Kjo lloj grabitje, nuk prek shtyllat kryesore të namazit. Ai përgjon deri në momentin e fundit, rastin që ta bëjë njeriun ta rrëshqasë shikimin në të djathtë, apo në të majtë teksa falet.

Nëse jeni gati le të ndalemi pak mbi disa specifika të namazit! Këtu po hap si fillim një parantezë prej një dijetari të përkorë, që thotë: “E lus Allahun që të keni arritur majat e sinqeritetit. Kështu edhe unë të përfshihem në të, falë jush” Ashtu them edhe unë: “Në dashtë Allahu, e falni namazin pa asnjë të metë. Kësisoj, ma tregoni edhe mua të falurit e tij sipas gjithë etikave dhe rregullave të veta”. Në qoftë kështu, nuk mbetet kush që të lidhet pas shokut e të mos gjejë shpëtim! Pra, ejani të shpëtojmë të gjithë së bashku!

Nuk duhet të lejojmë të vidhet asgjë prej namazit tonë, sepse ai është një amanet. Shejtanit i duhet mbyllur dera për të rrëmbyer prej vështrimeve tona në namaz, apo edhe prej uljeve e ngritjeve. Ose një veprimi çfarëdo brenda namazit. Si njerëz të cilëve namazi u është lënë me tërësej në mirëbesim të plotë, ne duhet ta falim atë në përputhje me brendinë e kuptimin e plotë të asaj që ai përfaqëson. Për shembull, le të themi që unë e shoh namazin si një mik drejt përjetësisë, me atë fytyrën e vet qiellore dhe të mishëruar në një trup-ekzistencë të denjë për botën e përtejme; pa mangësi në qëndrimin dhe shtatin e tij. Si vjedh shejtani prej namazit?

Nisur nga kjo, nëse nuk do t’u bëni pritë zhvatjeve të shejtanit, ai do të gjymtojë herë veshin, herë hundën, e hera-herës buzën e mikut tuaj me goditjet e veta, ndonjëherë mund t’ia nxjerrë krahun vendit e kur të shihni do t’i ketë tërhequr dhe këmbën…E ta katandisë në atë gjendje që nuk e di se ç’mund t’ju thotë në botën tjetër. Në fakt shumë gjëra mund të thotë; “Më pafshi hajrin, si më humbët kështu?!” apo “Më çuat dëm…” ama me patjetër do e thotë diçka.

Megjithatë, që të mos përjetoni shqetësime atëbotë, ju duhet t’i pengoni që në këtë dynja ato gjëra që prishin atmosferën e namazit tuaj duke ndërhyrë si duar prishëse të qetësisë. Kjo do të thotë që t’i drejtoheni Allahut në namaz me të gjithë zemrën, shqisat dhe ndjesitë tuaja, pa lejuar t’u zhvendoset vëmendja diku tjetër. Që në krye të herës, kjo nuk është punë që merr fund me një të thënë. Do të ishte e padrejtë të kalohet me një tundje koke. Por ja që vjen një ditë dhe Zoti jua çel atë derë. Juve ju takon të shtrëngoni dhëmbët me durim, të ndani kohën tuaj më të vyer vullnetarisht për Të dhe të tejkaloni limitet tuaja. Në dashtë Allahu, ia mbërrini një dite që ta adhuroni Atë në mënyrën më të bukur.

Fjala që bie, ka pasur prej atyre që për të kapur thelbin e vërtetë të namazit falnin nga njëmijë rekate për çdo natë. Nxënësit e parë të Said Nursiut falnin namaz me shumë kujdes. Kam parë nga ata njerëz që falin namaz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shumë kanë qenë ata që falnin me qindra rekate, aq sa nuk numërohen. Njerëzia sikur e ka harruar si falet namazi. Xhamitë janë dhënë veç pas shablloneve. Qilimat e shtruar janë të përmalluar për lotët. Sexhadet për ballet e pastra…

Namazi është adhurim i zemrës. Çdo veprim brenda namazit ka vlerën e vet të paçmuar. Ama gjendja më e përvuajshme, më e ndjerë brenda tij, është ajo e vënies së ballit përdhe; sexhdeja. Thuhet se: “Çasti kur robi është më pranë Krijuesit është sexhdeja”. Po, namazi kurorëzohet në sexhde.

Postime të ngashme