Disa çështje që duhet të kemi kujdes gjatë agjërimit
- Është e vetëkuptueshme se gjatë iftarit ndodh që edhe të mos jemi shumë të kujdesshëm, ndaj nganjëherë edhe mund ta teprojmë duke e ngarkuar stomakun më shumë sesa ai ka nevojë. Prandaj, është mirë, madje e rekomandueshme që gjatë iftarit të kemi kujdes në sofër të mos e teprojmë duke ngrënë më shumë se ç’kemi nevojë. Etika e agjërimit këtë nuk e duron, sepse është e dëmshme edhe për shëndetin. Ndërkaq, një gjë e tillë me rastin e syfyrit lejohet, ngase ajo e përforcon njeriun për ta përballuar më lehtë agjërimin, sidomos në ditët e gjata.
- Gjatë muajit të Ramazanit është edhe një praktikë shumë e mirë që kultivohet gjithandej nëpër mjedise ku jetojnë myslimanët. Në të vërtetë, xhamitë zbukurohen me mukabele-lexim Kur’ani, sepse aktiviteti i hafizëve të Kur’anit gjatë këtij muaji, po ashtu edhe i dëgjuesve, është më i madh. Prandaj, është shumë mirë nëse ata që dinë të lexojnë së paku të bëjnë një hatme gjatë Ramazanit, ndërkaq për ata që nuk dinë të lexojnë duhet ta përcjellin leximin e Kur’anit nga hafizët, që me zërin e tyre aq të ëmbël jo vetëm se ia shtojnë bukurinë xhamisë dhe kënaqësinë xhematit, por njëkohësisht iu llogaritet edhe adhurim.
- Është mirë që gjatë Ramazanit dikujt t’i jepet iftar, sadopak qoftë, qoftë vetëm disa hurma, pak ujë, apo diçka tjetër. Profeti a.s. thoshte: “Kush i jep dikujt që është agjërueshëm iftar, ai ka sevape sikurse vetë agjëruesi, ndërsa agjëruesit nuk i mungohet nga sevapi tij.” (Transmeton Termidhiu).
- Gjatë agjërimit në përgjithësi, e gjatë Ramazanit në veçanti, duhet të spikasë aspekti human e ai fetar. Ndaj familjarëve duhet të sillemi me korrektësi e mirësi, kurse ndaj të varfërve e skamnorëve duhet treguar më shumë humanizëm e bujari. Transmetohet nga Ibn Abasi të ketë thënë sesi Profeti a.s., i cili ishte njeriu më bujar e bamirës, akoma më shumë ishte bamirës gjatë Ramazanit, kur edhe e takonte Xhibrili.” (Transmeton Buhariu).
- Për t’u liruar nga agjërimi, udhëtari duhet ta ketë vendosur para imsakut se do udhëtojë dhe niset në udhëtim. Kjo, sepse, nëse nuk vendos të udhëtojë para imsakut dhe niset të udhëtojë para ose pasdite, nuk i lejohet prishja e agjërimit. Ndërkaq, kur është fjala për të sëmurin, rregulli i mësipërm ndryshon, sepse i sëmuri edhe nëse ka filluar të agjërojë në agim, por më vonë e ka kapluar sëmundja, ai mund ta prishë dhe të mos agjërojë. Dallimi është i dukshëm, sepse udhëtari mund ta shtyjë udhëtimin e tij, ngase kjo gjë varet nga ai, kurse i sëmuri nuk mund ta evitojë sëmundjen e tij, sepse ajo i vjen edhe përkundër dëshirës së tij.
- Nëse personi është duke i plotësuar (agjëruar kaza) ditët e paagjëruara të Ramazanit, është mekruh prishja e ndonjë dite për shkak të ndonjë gostie, kurse gjatë agjërimit vullnetar parapëlqehet të prishet, nëse është i sigurt se do ta plotësojë, në të kundërtën jo.
- Nëse i mituri hyn në periudhën e pjekurisë moshore gjatë një dite të Ramazanit ose pabesimtari e pranon fenë islame, ata duhet ta plotësojnë atë ditë të Ramazanit, por jo edhe ditët e tjera të kaluara, sepse nuk kanë qenë të detyruar.
- Nëse gruas i shfaqen të përmuajshmet gjatë ditës sa është agjërueshëm, në veçanti nëse i ndodh kjo në fillim të ditës, ajo duhet menjëherë ta prishë, sepse nuk bën të agjërojë për faktin se adhurimi nuk bëhet në gjendje të papastër. Nga ana tjetër, udhëtari që kthehet nga udhëtimi joagjërueshëm, ose femra që pastrohet nga të përmuajshmet e grave gjatë ditës, që të dy nuk duhet të hanë atë ditë deri në mbrëmje.