Kur’ani është fjala hyjnore e zbritur për njeriun

 

“Sikur ta kishim zbritur këtë Kur’an mbi një mal, do ta shihje kokulur e copë-copë nga frika e Allahut. Këto shembuj ua japim njerëzve që të mendojnë.” (Hashr, 59:21)

Kur’ani është një fjalë hyjnore e zbritur për njeriun e krijuar me mundësi për t’u bërë bashkëbisedues i Zotit dhe të merituar të të fshehtës “krijim i bukur”. Po, Kur’ani i është zbritur njeriut! Po qe se, duke iu marrë parasysh madhështia, do t’u ishte zbritur maleve, do të shihnit se si malet do të bëheshin copë-copë. Sigurisht, nga impresionimi dhe tronditja para Allahut, malet do të rrënoheshin, kurse njeriu s’pëson gjë sepse e mban mendjen dhe zemrën larg Kur’anit! Njeriu, i cili nuk i bën vend Kur’anit në mendje dhe në botën e vet të brendshme, gjithsesi nuk do të ketë pjesë prej tij!

Kur’ani është një libër. Me madhështinë e tij hyjnore, Zoti e ka zbritur atë të tillë që t’u japë përgjigje nevojave të njerëzve. Gjithashtu, Kur’ani është një libër shumë i begatshëm. Eshtë i bekuar, i shenjtë. Ai nuk ka shok në lartësi dhe shenjtëri. Kur’ani është vetë begatia!

Kur njerëzit bëjnë sipas urdhrave të Kur’anit, jeta u begatohet dhe dalin mbi gjithë të tjerët. Dhe të gjitha fushat e jetës, me këtë bindje ndaj urdhrave të tij blerohen dhe kthehen në parajsë.

Kur’ani që na është dërguar për t’i menduar dhe matur të gjitha këto, duhet mbajtur në mendje çdo çast dhe gjithmonë duke e vrarë mendjen për të kuptuar një gjë të re, si dhe specifikat që përbëjnë nevojë për çdo periudhë, duhen nxjerrë nga Kur’ani me një përpjekje dhe mundim të tillë. Ndryshe, është e pamundur ta kuptosh Kur’anin.

Kur’ani është thelbi i jetës. Jeta e njeriut bëhet e dobishme, e mbarë dhe e bekuar me aq sa njeriu e bën Kur’anin parim të jetës. Jeta larg Kur’anit është jo e mbarë, jo e begatë. Në jetën e një populli apo kombi larg Kur’anit, ka thashetheme, grindje dhe anarki sipas masës së largësisë prej tij.

Në një porosi të tij, Profeti thotë: “Më i dobishmi prej jush është ai që e mëson Kur’anin (duke zbritur te e vërteta dhe momentet themelore të tij) dhe ua mëson edhe të tjerëve pastaj!” Po deshëm të bëhemi më të dobishmit, duhet të përpiqemi ta kuptojmë dhe ta tregojmë Kur’anin, t’i trazojmë dhe studiojmë komentet (tefsiret) e shkruara mbi këtë çështje duke bërë përpjekje për të hyrë në të vërtetën dhe momentet themelore të tij gjersa t’ia tregojmë botës se, në këtë drejtim, i kemi dalë për zot Kur’anit. Ndryshe nuk mund të mendohet se mund të përfitojmë sa duhet nga drita dhe begatia e Kur’anit!

Në mes është një e vërtetë e madhe: e vërteta e Kur’anit! Ne jemi të ngarkuar me disa detyra para tij. Por përgjegjësia jonë nuk është vetëm ruajtja e teksteve të Kur’anit. Ndoshta kjo është e nevojshme, por më shumë se zarfi, duhet respektuar ajo që ka zarfi brenda. Nuk mund të themi se e kemi kryer detyrën për ta respektuar Kur’anin vetëm duke e futur në një mbështjellëse të bukur e duke e vendosur apo ekspozuar në këndin më të zgjedhur të shtëpisë. Po qe se do t’ju vinte një letër nga një sundimtar, ç’do të bënit ju? A vetëm do ta merrnit, do ta puthnit dhe vinit në ballë dhe, pastaj do ta linit pa e hapur fare në një kënd, apo, me interesimin për përmbatjen e saj, do ta hapnit me kujdes të veçantë, do ta lexonit dhe do të përpiqeshit për ta kuptuar? Ja, pra, sundimtari i sundimtarëve, zotëruesi i pasurisë dhe pushtetit, Allahu i Lartë, ju ka dërguar një thirrje, një thirrje të tillë që përmban rëndësi jetësore për ju dhe ku ka shumë e shumë çështje që kanë të bëjnë edhe me jetën tuaj në këtë botë, edhe me jetën në botën tjetër. Po qe se ju do ta merrnit këtë, do ta puthnit dhe vinit në ballë me nderim të thellë dhe, pa e hapur fare, do ta vinit në raft, a do ta linit të kënaqur Atë?

Deklarata-Mrekulli Kur’an është një thirrje sovrane e dërguar bujarisht për ju me qëllim që ta vini jetën tuaj në rregull. Në këtë thirrje, Allahu thekson: “Pa dyshim, Ne e krijuam njeriun me krijimin më të bukur!”

Sigurisht, me Kur’anin, ne jemi nderuar bujarisht. Për ata pa Kur’an, Allahu thotë: “… si kafshët, ndoshta më poshtë se to!” Kjo do të thotë se njerëzimi i zhveshur prej tij, nuk merr prej atij nderi. Përvetësimi i Kur’anit është pjesë shumë e konsiderueshme e nderit tënd.

Në lidhje me këtë çështje, në një porosi tjetër të tij, Profeti thotë kështu: “Njeriu që e shpall Kur’anin hapur dhe e lexon me qëllim për t’ia bërë të ditur gjithë botës, është si njeriu që e jep sadakanë hapur, kurse ai që e lexon fshehtas, është si njeriu që e jep sadakanë fshehtas!” Ashtu siç jepen sadakaja dhe zeqati haptas me mendimin për t’i nxitur të tjerët dhe synimin që në këtë garë të marrin pjesë të gjithë, edhe me leximin e Kur’anit haptas nxiten të tjerët që edhe ata ta përvetësojnë atë.

Të mbetesh vetëm për vetëm me Kur’anin në errësirën e natës, është si ta japësh sadakanë fshehtas. Njeriu që e rrok dhe e përvetëson këtë fshehtësi dhe konfidencë, heton se ku e ka vendin në Kur’an dhe kërkon t’i gjejë një vend vetes në të. Eshtë tejet e rëndësishme për një besimtar që ta kërkojë vendin e vet në Kur’an dhe ta rregullojë veten sipas Kur’anit. Omer b. Abdylaziz, Muhammed Ibn Ka’bil Kuradi dhe shumë e shumë të tjerë, gjithë me këtë mendim e kanë lexuar Kur’anin gjer në mëngjes dhe vetëm me këtë rrugë kanë arritur ta rrokin kuptimin dhe thellësinë e vërtetë të tij!

Kur’ani i kënduar me një mënyrë të sinqertë e të bukur, u fal jetë shpirtit dhe botës ndjesore të tij. Sidomos ta dëgjosh Kur’anin sikur të derdhej nga buzët e bekuara të Profetit, kjo e mbështjell njeriun me një prehje e kënaqësi të amshuar. Të ngrihesh lart në një farë shkalle, të shkosh mik te Xhebraili dhe ta dëgjosh Kur’anin prej tij, i përfton shpirtit frymëzime të papërshkruara. Pastaj, përtej të gjitha këtyre, të bëhesh bashkëbisedues i Ligjëruesit Eternal sikur ta dëgjosh Kur’anin nga vetë Ai, do të thotë të marrësh cilësi qiellore, të qiellorizohesh, ndonëse nuk e di nëse shpirti i njeriut ka mundësi apo jo për këtë!..

Postime të ngashme