Si ta kuptojmë ajetin që thotë se Muhamedi (a.s) është dërguar si mëshirë për botët?

Në Kuran shprehet se Muhamedi (a.s) nuk është dërguar për gjë tjetër, por veçse si mëshirë për botët. (Enbija, 21:107) Ashtu sikurse shiu është mëshirë dhe bëhet shkak për lulëzimin e jetës në tokë, edhe Muhamedi (a.s) është bërë shkak që njerëzit të gjejnë kuptimin e vërtetë të jetës. Nëpërmjet ndjekjes së tij, shumë njerëz shpëtuan nga adhurimi i idhujve, egërsia dhe nga shumë vese të tjera negative.

Le të shohim disa ngjarje që tregojnë mëshirën e tij të gjerë. Për shembull:

-Tufejl ibn Amri erdhi te Profeti (a.s) dhe i tha që fisi i tij s’kishte pranuar të përqafonte Islamin, kështu kërkoi që ai të lutej kundër tyre. I Dërguari i Zotit (a.s) ngriti duart dhe u lut kështu: “O Zoti im, udhëzoji ata, bëji besimtarë.”

-Një situatë e ngjashme bëhet fjalë edhe për fisin Thakif. Në një betejë të zhvilluar, shigjetarët e këtij fisi u kishin shkaktuar shumë humbje myslimanëve. Një pjesë e sahabëve thanë: “O i Dërguar i Allahut, shigjetarët e Thakifit na kanë shkaktuar shumë humbje, lutu kundër tyre!” Në ato çaste, Profeti (a.s) lutet kështu: “O Zoti im, udhëzoje fisin e Thakifit.”

-Një person në kohën e Profetit (a.s) konsumonte shumë alkool dhe për këtë shkak kishte marrë disa herë dënimin e merituar. Njëherë teksa po i jepej dënimi, dikush nga të pranishmit e mallkoi atë. I Dërguari i Allahut ndërhyri menjëherë dhe tha: “Mos thoni ashtu! Në vend që ta mallkoni, thoni për të: Zoti im, mëshiroje dhe falja mëkatet! Betohem tek Allahu se ajo që di për të është se ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”

Edhe ata që deshën ta vrisnin përfituan nga mëshira e tij. Për shembull:

Pas kthimit nga një udhëtim, Profeti (a.s) ishte shtrirë nën hijen e një peme për të pushuar dhe pranë tij shkon një politeist i shkretëtirës me shpatë në dorë. Në çastin kur do ta godiste, i Dërguari i Zotit hapi sytë. Politeisti i tha: “Kush do të të shpëtojë tani nga duart e mia?” Profeti (a.s) tërësisht i qetë ia ktheu: “Allahu!” Politeistit në ato çaste i bie papritur shpata nga dora dhe mbetet si i ngrirë. Profeti (a.s) merr shpatën nga dora dhe e pyet: “Po ty, kush do të të shpëtojë tani nga duart e mia?” Ai i përgjigjet se askush. Profeti i thotë: “Mund të shkosh, të kam falur.” Në ato çaste ky person pranon Islamin.

Nga qenia e tij si Profet i Mëshirës morën pjesën e tyre edhe kafshët. Për shembull:

-Ai tregon se si do të dënohet një grua vetëm pse e mbajti të mbyllur në kafaz një mace dhe nuk e la atë të lirë të kërkonte ushqimin e saj.

-Ai tregon se si do të mëshirohet një burrë, vetëm se zbriti në një burim dhe me këpucën e tij i dha ujë një qeni, të cilin e kishte marrë shumë etja…

 

 

Postime të ngashme