Shtyllat e Islamit

Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla, e që janë:

Shtylla e parë është shehadeti dëshmia se s’ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është rob dhe i Dërguar i Tij. Edhe universi me ç’ka në të, që nga grimca më e vogël deri tek galaktikat, si dhe ndërgjegjja njerëzore, janë argumentet përmbledhëse që e bëjnë të domosdoshme dhe e tregojnë ekzistencën e Allahut xh.sh. me cilësitë dhe atributet e Tij.

Shtylla e dytë e Islamit është namazi, që është thelbi i adhurimit/ibadetit, kurse përmes tij, në mënyrë të denjë, falënderohet Allahu për të gjitha mirësitë e begatitë që na i ka dhuruar. Kryerja e vazhdueshme e namazit në kohë të caktuara e mëson besimtarin me disiplinë, shpirtërisht dhe trupërisht, kuptimisht dhe materialisht .

Shtylla e tretë është zekati, që fillimisht është adhurim (ibadet), e më pas në vetvete bart bujarinë, humanizmin dhe solidarizimin me shtresat e ndryshme të shoqërisë. Me anë të zekatit, myslimani, i cili përmbush kushte të caktuara, e ka detyrim që një përqindje simbolike (që në shumë raste është 2.5%) nga pasuria e tij, ta japë për njerëzit në nevojë.

Shtylla e katërt është agjërimi i muajit Ramazan, që nënkupton largimin me vetëdije nga nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore nga agimi deri në perëndim të diellit. Muhamedi a.s. lajmëronte se, kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me përkushtim, i falen të gjitha gjynahet e kaluara. Myslimani e agjëron këtë muaj sepse është urdhër i Zotit xh.sh. dhe vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij. Në këtë adhurim, si në çdo  praktikë tjetër, ka një sërë urtësish e dobish shpirtërore, psikologjike, shoqërore, shëndetësore etj., të njohura dhe të panjohura akoma. Ky adhurim, që e afron njeriun në nivelin e engjëjve, i kujton atij vlerën e mirësive dhe i kujton Allahun xh.sh., pronarin e vërtetë të këtyre mirësive. Duke i vënë fre egos, ai e maturon njeriun, ia përforcon atij durimin dhe e përgatit që t’i përballojë vështirësitë e mundshme të jetës.

Shtylla e pestë është haxhi, i cili përveçse adhurim, në aspektin shoqëror, konsiderohet si një tubim, që manifeston harmoninë dhe barazinë e njerëzve përpara Allahut xh.sh. Nëpërmjet tij, miliona besimtarë nga të katër anët e botës, pa marrë parasysh dallimet e gjuhës, ngjyrës, kombësisë, racës, pozitës shoqërore etj., bashkohen në të njëjtin vend dhe formojnë një tablo të mrekullueshme të barazisë vëllazërore.

Secila nga këto shtylla do të shpjegohet gjerësisht më tej, me veçoritë përkatëse.

Islami bazohet së pari në parimet e pandryshueshme të jetës dhe të ekzistencës, fokusohet në ato vlera për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithmonë, në këtë botë dhe në tjetrën. Besimi në Zot, në Profetë (Pejgamberë), në jetën e përtejme, në librat e shpallur, në engjëjt dhe në përcaktimin hyjnor, janë të lidhura përherë me njeriun dhe shoqërinë, prandaj ato janë të rëndësishme dhe të nevojshme për njeriun në çdo kohë dhe rrethanë. Të gjitha këto do të shpjegohen veç e veç më gjerësisht në vazhdim.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: