Shkenca në Kuran

Kurani është një libër udhëzues që përmban një mesazh universal dhe gjithëpërfshirës për mbarë njerëzimin, pa marrë parasysh kohën dhe hapësirën. Meqë ai mbulon çdo aspekt të jetës, do të ishte e habitshme nëse nuk do ta përfshinte shkencën. Një studim i plotë i Kuranit, evidenton rrënjët e mjaft zbulimeve shkencore që janë bërë ose që do të bëhen, edhe pse dijetarët myslimanë nuk mund të jetë në një pozitë të tillë sa për të folur me kompetencë për gjëra të tilla, pa u bërë studime specifike rreth tyre. Kurani lë të kuptohet se ai mund të çojë në zbulime të mëdha në qoftë se studiohet me zell dhe imtësishëm. Kjo është arsyeja përse gjeneratat e mëparshme të dijetarëve myslimanë, të cilat ndërthurën njohuritë kuranore me kureshtjen dhe kompetencën shkencore, shkëlqyen. Dijetarët bashkëkohorë kanë analizuar referencat kuranore ndaj subjekteve të ndryshme shkencore dhe kanë nxjerrë vëllime të mëdha materialesh shkencore në astronomi, biologji embrionale, në lëvizjen e bletëve, në ndërtimin e maleve, përbërjen e Tokës, bimëve, dhe shumë e shumë subjekte të tjera. Edhe ata, të cilët dëshirojnë të mohojnë praninë e shkencës në Kuran, duhet të pranojnë humbjen kur studiojnë ajete kuranore të tilla si 96/1-5 (embriologjia), si dhe 36/36-40, 91/1-4, 21/30, 55/7, 79/28, e shumë të tjera (kozmologjia). Këto aludime japin informacion të dobishëm për studiuesit, ashtu si edhe bekimin dhe inkurajimin për myslimanët, të cilët angazhohen në shkencë. Nëse këto vargje hulumtohen me zgjuarsi dhe pa paragjykime, lënë të kuptohet se burime të tilla mund të çojnë në zbulime dhe shpikje befasuese.

Megjithatë, ekziston një traditë e tërë dijetarësh, të cilët janë përpjekur për ta lexuar shkencën, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë Kuranit, duke e kthyer këtë si një qëllim në vetvete. Ata e “gjejnë” pothuajse çdo shpikje dhe zbulim shkencor në Kuran dhe bashkangjisin një arsyetim shkencor për çdo recetë apo ndalesë kuranore. Një pjesë e kësaj pune ka rezultuar e dobishme, sepse ajo ka rizgjuar tek myslimanët ndjenjën e vlerave të tyre të trashëguara dhe ka rindezur dëshirën për kërkime të mëtejshme, tani që ata e kuptojnë se Kurani mbështet sipërmarrje të tilla. Por në shumë raste, dijetarë të tillë ose i kanë tejkaluar kufijtë duke e ekspozuar Islamin ndaj talljeve të perëndimorëve, ose kanë ushqyer tek shumë myslimanë komplekset e inferioritetit, duke pretenduar se statusi i Kuranit si një Shpallje Hyjnore, duhet të jetë “i privuar” nga shkenca.

Në vitin 1961, shkencëtari egjiptian El-Fandy botoi librin e tij Vargjet kozmike në Kuran, në të cilin ai e përshkroi Kuranin si “shembullin më të mirë të shprehjes shkencore.”34 Për të ilustruar këtë pohim, ai i shpjegoi disa vargje nën dritën e zbulimeve moderne astronomike dhe teorive moderne shkencore, mes të cilave edhe teoria e “Big Bang”-ut. Bota myslimane e duartokiti atë; shkencëtarët perëndimorë buzëqeshën plot ndjenjë pronësie, të kënaqur se myslimanët nuk mund të kenë shumë për të ofruar në qoftë se ata paskan nevojë për shkencën perëndimore për të vërtetuar saktësinë e Kuranit.

Por një kurbë e tillë ishte vetëm në fillimet e saj. Azizul-Hassan Abbasi, një neuropsikiatër pakistanez, pohoi në veprën ee tij të titulluar Kurani dhe higjiena mendore, se ai kishte gjetur kura të bazuara në Kuran për tuberkulozin, diabetin, ulcerat e stomakut, reumatizmën, artritin, tensionin e lartë të gjakut, astmën, dizenterinë dhe paralizën.35 Në fund, pretendime të tilla doli të ishin thjesht një “dëfrim” intelektual, sepse ai nuk i kishte kryer ato studime me shpresën për t’i ofruar botës ndonjë progres mjekësor apo ndonjë triumf të Islamit.

Në vitin 1976, kirurgu francez Maurice Bucaille botoi librin me titull Bibla, Kurani dhe Shkenca, duke ndezur një valë ekzaltimi në mbarë botën myslimane. Ai e pasoi atë në vitin 1989 me një pamflet të titulluar “Kurani dhe Shkenca”. Libri i tij Bibla, Kurani dhe Shkenca është ribotuar disa herë dhe është përkthyer në gjuhë të ndryshme të vendeve myslimane. Pasi ia nënshtron, si Biblën ashtu edhe Kuranin testimeve rigoroze përkundrejt zbulimeve të shkencës moderne në astronomi, gjeologji, shkencat e kafshëve, bimëve dhe riprodhimin e njeriut, ai arriti në përfundimin se:

Kurani padyshim nuk përmban as edhe një pohim të vetëm që bie në kundërshtim me njohuritë më moderne të ngritura mbi baza të shëndosha shkencore; zbulimet moderne të njeriut të konfirmuara dhe të verifikuara ndaj gabimeve shkencore, janë në përputhje të plotë me konceptin e përhapur në rradhët e myslimaneve që ka të bëjë me Kuranin si një Libër i Shpalljes Hyjnore.36

Myslimanët ishin të ngazëllyer për faktin se libri i tyre kishte “rezultuar” të sakta. Sugjerimi gjithëpërfshirës i Bucaille-s se zbulimet moderne që lidhen me “mungesën e gabimit,” janë në përputhje me Kuranin, i shpëtoi komunitetit mysliman të pavëmendshëm për shkak të entuziazmit. Simbioza midis zbulimeve shkencore moderne dhe Kuranit përbënte një “martesë” plotësisht të lumtur, dhe askush prej tyre nuk mund të gabonte. Konkluzioni i tij, se “është e pamundur që të mos e pranojmë ekzistencën e gabimeve shkencore në Bibël,” gjithashtu u kapërdi si kallëp i padekonstruktuar nga ana e myslimanëve dhe një veprim i tillë rrezikoi për t’i bërë ata të ecnin kundër valës së shumicës.

Myslimanët gjithmonë kishin besuar se Kurani nuk përmban gabime, sepse ajo është Fjala e Zotit, ndërsa Bibla (në formën e saj aktuale) nuk është një shpallje e vërtetë nga Zoti. Madje më tepër, tani ata kishin prova shkencore për këtë! Rregullat e lojës ndryshuan. Shkenca moderne u pranua nga një masë e gjerë e myslimanëve si arbitër midis Kuranit dhe Biblës. Bucaille u shndërrua në hero për disa prej myslimanëve. Nëpër konferencat në të cilën ai nuk ishte i ftuar, shumë njerëz e madje edhe shumë dijetarë të shquar myslimanë, e citonin atë në shkallë të gjerë. Në konferenca të tjera, më shumë diskutohej për pikëpamjet e Bucaille-s sesa për besimin që buronte në vetvete në lidhje me vërtetësinë e Kuranit. Bomba me sahat që Bucaille kishte vendosur, mund të shpërthente nga çasti në çast, prej kërkimit me paramendim të ndonjërit për të gjetur gabime shkencore në Kuran, apo diçka që të provonte saktësinë shkencore të Biblës.

Në prill të vitit 1985, Buletini i Shoqatës Mjekësore Islamike të Afrikës së Jugut, botoi një artikull të titulluar “Dijetari kanadez konfirmon Kuranin dhe Hadithin në librin “Embriologjia Njerëzore”.” Ende pa u shuar jehona e efektit Bucaille, na u përhap një lajm edhe më i madh për dhe në komunitetin mysliman, që shkencëtari Keith Moore, kryetar i Departamentit të Anatomisë së Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Torontos, kishte “zbuluar” përputhshmërinë mes Islamit dhe thelbit të embriologjisë bashkëkohore. Moore, ashtu si Bucaille, u bë mjaft i preferuar nga organizatorët e konferencave myslimane, me sa duket për ndihmesën e tij në “konfirmimin” e mëtejshëm se Kurani dhe Hadithi37 ishin të saktë shkencërisht.

Shemsul Hak, ashtu si edhe El-Fandy para tij, sollën “prova” të mbështetura në Kuran në mbështetje të teorisë së “Big Bang”-ut duke botuar punime që trajtonin “rrënjët e teorisë së relativitetit dhe mekanikës kuantike në Kuran!”38 Khuda ofroi dëshmi kuranore për teorinë e zhvillimit të biosferës.39 Rahman e paraqiti Kuranin si një tekst shkencor.40 Në këtë vëllim prej 332 faqesh, ai mbulon 27 subjekte dhe thotë se Kurani mbulon edhe më shumë. Është e qartë se ashtu si edhe të tjerët përpara tij, “zbulimet” në Kuran, ai i ka bërë tashmë nëpërmjet shkencës moderne.

Ka pasur edhe përpjekje të tjera për të “legjitimuar” reciprokisht Kuranin dhe shkencën moderne. Siç është cekur më herët, disa prej këtyre punimeve kanë qenë të dobishme, ndërsa punime të tjera kanë shkuar shumë larg dhe kanë rezultuar në absurditete. Bashirud’din Mahmood, një inxhinier bërthamor pakistanez, citohet të ketë sugjeruar se xhindët, të cilin Zoti i ka krijuar nga zjarri, duhet të përdoren si një burim energjie për të luftuar krizën energjitike. Mjaft teologë të shquar si Ebu Is’hak el-Shabati, janë shqetësuar tejmase nga këto kërkime për shkencën në Kuran. Sejjid Kutubi, duke e përshkruar tërë këtë veprimtari si “një gabim metodologjik,” i ka mëshuar fort idesë sipas së cilës megjithëse Kurani përmban udhëzime për lëndët shkencore, ai nuk është një libër shkencor.41

Edhe pas “zbulimeve” të tilla, myslimanët nuk ishin të përgatitur për eksperimentimet aventureske të inxhinierit egjiptian Khalifa, i cili përdori kompjuterin për të konstatuar dhe vlerësuar saktësinë e Kuranit. I fiksuar me natyrën matematikore të Kuranit, ai sajoi “teorinë e numrit 19” si një numër magjik rreth të cilit është ndërtuar Kurani.42 Ai argumentonte kështu: Ajeti i parë i Kuranit (Bismilah, al-Rahman, el-Rahim) ka 19 shkronja. Kur 28 shkronjave të alfabetit arab u jepen vlera numerike të caktuara, dhe kur është shkruar numri 19, fjala korresponduese në alfabetin arab, është fjala Wahid (një nga Emrat e Zotit). Kurani ka 114 sure, një shumëfish i 19-ës; Shpallja e parë Kuranore (96:1-5) përbëhet nga 19 fjalë dhe ka 76 shkronja, një tjetër shumëfish i 19-ës; e kështu me radhë. Këtë analizë të detajuar numerologjike të Kuranit nga ana e Khalifa-s, myslimanët e kishin shumë përzemër, duke e parë atë si një mënyrë të re për të “vërtetuar” Kuranin. Kjo temë citohej shpesh nëpër konferenca lokale dhe ndërkombëtare, dhe ishte një subjekt i preferuar në mënyrë të veçantë nëpër seminare studentore myslimane. Edhe predikuesi i mirënjohur mysliman Ahmed Deedat për shembull, i përdori zbulimet e tij në pamfletin me titull ” Kurani, mrekullia sublime.”

Më vonë Khalifa tronditi edhe admiruesit e tij, kur deklaroi se ai e kishte llogaritur ditën e saktë të Gjykimit,43 dhe se teoria e tij e numrit 19, kishte zbuluar gabime në dy ajetet e fundit të Sures el-Teube. Edhe më tronditës ishte pretendimi i tij:

Kjo shënon ardhjen e një epoke të re në fe; një epokë ku besimi nuk është më i nevojshëm. Nuk ka nevojë për të “besuar” diçka që “dihet”. Njerëzve të brezave të kaluar u kërkohej të besojnë në Zotin, dhe të kryenin urdhëresat e Tij në lidhje me besimin. Me ardhjen e provave fizike të raportuara në këtë libër, ne nuk kemi nevojë më të besojmë se Zoti ekziston, pasi ne e dimë se Zoti ekziston.45

Me fjalë të tjera, “provat” shkencore i kanë bërë Shtyllat e besimit islam të ngjajnë të vjetëruara. Tani, në qoftë se ne duam të besojmë në ndonjë të vërtetë, ne kemi nevojë për “dëshmi” (dhe prova shkencore), prandaj në këtë epokë të re, nuk ka më vend ​​për besimin (fetar). Por kjo nuk ishte e gjitha nga Khalifa. Ai përcaktoi se meqënëse tani disponojmë këto dëshmi dhe mjete shkencore, edhe profeti Muhamed nuk kishte më ndonjë rol për të luajtur në Islam, sepse kur ne kërkojmë udhëzim fetar nga Profeti apo ndonjë burim tjetër përveç Zotit, mbështesim pretendimin e djallit, se Zoti ka nevojë për një partner.46

Sado e pabesueshme që mund të tingëllojë, disa myslimanë e pasuan Khalifa-n edhe në këtë pikë. Kas’sim Ahmedi, dishepulli i tij në Malajzi, shkroi një pamflet në të cilin denonconte hadithin. Ky version i eksperimentit me shkencën dhe Kuranin kishte shkuar shumë larg!47 Khalifa atëherë e barazoi misionin e një shkencëtari të kësaj epoke shkencore me atë të një profeti të vërtetë, duke e përshkruar veten si një profet.48 Nuk ka asnjë dyshim se nëse Imam el-Gazaliu, do të ishte gjallë, do ta kishte ndierë si të përligjur refuzimin ndaj matematikës, për shkak të rrezikut të saj potencial ndaj besimit. Marrëzitë shkencore të Khalifa-s na japin një shembull të mirë të mënyrës se si shkenca moderne mund të keqpërdoret nga ata që pretendojnë të mbajnë flamurin e kauzës së Islamit, si dhe të mënyrës se si mund të abuzohet me Kuranin nga ata që pretendojnë të vërtetojnë saktësinë e tij.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: