Myslimanët dhe problemet e parashtruara prej shkencës moderne

Çdo ditë që kalon, shkenca moderne hedh nga një hap tjetër drejt progresit. Disa prej myslimanëve trullosen prej këtyre hapave. Për shembull, ekziston një lloj habie për faktin se si është e mundur të ekzistojnë klinika të spermës që i mundësojnë një gruaje të ketë fëmijë pa baba të njohur, ose rreth përpjekjeve për të rritur organe për transplantim në trupa të njerëzve në trupin e derrave, duke injektuar tek ata qeliza me gjenet e njeriut. Disa prej këtyre risive teknologjike janë plotësisht antagoniste me doktrinën dhe frymën e Islamit. Për më tepër, ekziston problemi i dështimit të shkencëtarëve bashkëkohorë për të vlerësuar kufizimet e tyre në çështjet e diturisë, si dhe përpjekjet e tyre për ta paraqitur mosbesimin e tyre në Zotin si një virtyt. Problemet midis Islamit dhe shkencës moderne, do të vazhdojnë të ekzistojnë derisa shkencëtarët modernë të pranojnë kufizimet njerëzore. Soliman e përmbledh këtë pikë duke i bërë një pasqyrë të shkëlqyeshme:

Meqënëse shkenca nuk është ende në gjendje që të shpjegojë mrekullitë e Profetëve, të cilat janë historikisht të vërtetuara dhe nuk mund të nënçmohen në asnjë mënyrë,… ne mund të gjykojmë se shkenca megjithë triumfet e saj shumë të mëdha, është ende një xhuxh. Ne gjithashtu mund të dalim në një përfundim të sigurtë se ekzistojnë ide qiellore, të cilat njeriu nuk mund t’i kuptojë, sado që ai të përpiqet ta bëjë këtë dhe se aftësia e tij për të mësuar, e ka një limit. Prandaj ngjan paksa e çuditshme që të ekzistojë një konflikt i tillë mes dy burimeve tona të dijes.49

Pavarësisht faktit se kjo qasje e këtij dijetari bashkëkohor mysliman paraqet një qëndrim shumë pajtues, studiusit kryesorë të shkencës së sotme nuk vijnë nga rradhët e muslimanëve, që të pranojnë këtë thirrje dhe të tjera të ngjashme, të cilat synojnë të vendosin një armëpushim. Kjo tregon se mospërputhjet në të vërtetë nuk janë me shkencën në vetvete, por me ata të cilët e keqpërdorin atë dhe insistojnë në karakterin e saj laik (dhe ateist), të trashëguar, siç bën për shembull Hoodbhoy:

Nëse dikujt i pëlqen apo jo, është në mënyrë të padiskutueshme e vërtetë që shkenca moderne është tërësisht laike në karakter. Nuk ekziston asnjë nevojë për t’iu referuar autoritetit hyjnor për verifikimin e fakteve shkencore; ekzistenca e një autoriteti të tillë as është pohuar, e as mohuar … eksperimenti dhe konsistenca logjike janë arbitrat e vetëm të së vërtetës – asnjë ndikim mbi rezultatet nuk ka as gjendja shpirtërore e shkencëtarit e as karakteri i tij moral.50

Por kjo nuk është e gjitha që Hoodbhoy ka për të thënë. Ai ndjehet i irrituar për faktin se “dogmatistët fetarë të të gjitha bindjeve, e kanë sulmuar me kohë shkencën si një shkatërruese të pabesë të moralit që buron nga frymëzimi hyjnor”.

Ky refuzim nën zë i aspektit dhe moralit hyjnor, është në fakt përgjegjës i vërtetë për shqetësimet e myslimanëve dhe i stepjes së tyre në marrëdhëniet me shkencën moderne. Myslimanët besojnë se e vërteta absolute vjen nga Allahu, të cilit ata i luten në paktën pesë herë në ditë dhe të cilin ata i drejtohen sa herë që ata ndjehen të habitur ose të sikletosur nga ndonjë fenomen. Por shkencëtarët modernë madje edhe shfryjnë mllefin mbi lutjen e druajtura të myslimanëve. J. W N. Sullivan mendon se është absurde për këdo për t’u lutur të bjerë shi, duke thënë se:

Besimi se natyra është e rregullt ende nuk është universal … ne ende gjejmë sot kongregacione që luten për të rënë shi, edhe pse ata ndoshta do të ngurronin të luteshin që dielli të qëndrojë ende në horizont. Kjo për shkak se astronomia është një shkencë më e zhvilluar se meteorologjia.51

Me fjalë të tjera, myslimanët do të ndalojnë së luturi për të rënë shi, kur ata të mësojnë më shumë rreth meteorologjisë. Pikëpamje të tilla i sprapsin myslimanët. Pasi vëzhgojnë rregullin që ekziston në natyrë, shkencëtarët nuk e ndërmarrin dot hapin tjetër logjik që të pyesin se kush e krijoi një rregullsi të tillë. Nuk është çudi pra, që janë ata që i irritojnë vazhdimisht dijetarët e shquar myslimanë të tillë si Ebu Ala al-Maududi.

Por të tjerë nuk janë mjaftuar vetëm me talljen e maskuar të Sullivan. Renan52 e denoncon Islamin për mbytjen e shkencës duke dështuar për të bërë dallimin ndërmjet aspektit shpirtëror dhe atij fizik. Ai pastaj e përshkroi “dogmën” e Islamit si ” vargonjtë më të rëndë që njerëzimi ka krijuar ndonjëherë.”53 Renan, një njeri i cili është mjaft mirë në dijeni të betejave historike mes shkencëtarëve dhe Kishës, i injoron ato në sulmin e tij mbi Islamin. Me fjalë të tjera, problemi i myslimanëve me shkencën moderne nuk është vetëm refuzimi i Zotit apo zbatimet shpeshherë amorale të shkencës, por edhe ata shkencëtarët të cilët tallen dhe shpifin rreth Islamit, ndoshta për shkak të përkushtimit të tyre ndaj feve rivale [ose të asnjë feje].

Të kundërshtuarët e ekzistencës së Zotit, domosdoshmërisht çon në ndërlikime të mëtejshme, sidomos përsa i përket origjinës dhe thelbit të njerëzimit dhe materies. Shkencëtarët kanë nxjerrë teori të shumta kontradiktore në këtën fushë, gjë që e bën të gjithë këtë ndërmarrje të turbullt dhe të mjegullt, duke i dhënë kështu myslimanëve një arsye për të përjetuar një ndjenjë triumfi në këmbënguljen e tyre për ekzistencën hyjnore.

Teoria e evolucionit e Darvinit përbën ndoshta përplasjen më traumatike mes Islamit dhe shkencës. Kur’ani thotë:

Vërtet Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ulëtin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë (95: 4-6).

Në kontrast me këto fjalë, Darvini shprehet:

Kur unë i pashë të gjitha qeniet jo si krijime të veçanta, por si pasardhës linearë të disa qenieve të tjera … ky m’u duk një shpjegim më i vlefshëm.55

Edhe në Perëndim, teoria e evolucionit e Darvinit u prit me dyshime të mëdha. Shumë njerëz, nuk dihet nëse për shkak të devotshmërisë së tyre (të krishterë), ishin të alarmuar me idenë prejardhjes nga gjallesat më të ulëta. Një reagim spontan interesant për teorinë e Darvinit ishte:

Gruaja e Peshkopit të Worchester, kur u informua në lidhje me teorinë e Darvinit, komentoi: “Prejardhjen nga majmuni! I dashuri im, le të shpresojmë se kjo nuk është e vërtetë, por në qoftë se është vërtet kështu, le të shpresojmë që kjo të mos bëhet e njohur botërisht.”56

Ajo ishte duke reaguar instinktivisht për dinjitetin e ofenduar. Kurani thekson që njerëzimi u krijua në modelin më të mirë, dhe u reduktua nga Zoti në më të ulëtin e të ultëve, kur vetë njerëzimi u bë i padenjë për t’i qëndruar këtij modeli. Por Darvini dhe të tjerët si ai duan të pohojnë se njerëzimi evoluoi nga qenie të ulëta. Nga pikëpamja islame, kjo e mohon rolin e Zotit si Krijues dhe ul dinjitetin njerëzor.

Problemi me shkencën moderne është se ndonjëherë vërejtjet e bëra mund të mos jenë të mjaftueshme për të provuar një hipotezë, edhe pse kjo mungesë e informacionit të mjaftueshëm mund t’i çojë njerëzit ta pranojnë atë si të saktë. Islami nuk ka asnjë problem me kërkimet sistematike për dije që nuk përmbajnë kurthe doktrinore dhe morale. Por ata dijetarë, të cilët Sardar i ka quajtur Bucaille-istë, kanë patur një problem të madh. Ata do të përdornin një zbulim shkencor për të shqyrtuar dhe interpretuar Kuranin, do të zhvillonin mbi këtë bazë një teori shumë mbresëlënëse dhe pastaj do ta braktisin atë, sapo konstatimi shkencor [ose teoria] hidhej poshtë. Ne pamë një zhvillim të ngjashëm kur pikëpamjet e Kopernikut përmbysën astronominë e Ptolemeut, pasi ajo kishte triumfuar për 14 shekuj me rradhë. Nëse ndonjë dijetar do të kishte përdorur kozmologjinë e Ptolemeut (e cila konsiderohej “dije moderne” përpara shekullit të gjashtëmbëdhjetë) për të “dëshmuar” vërtetësinë e Kuranit, konkluzionet do të kishin qenë dukshëm më të ndryshme nga ajo që do të ishin sot.

Duke përdorur të njëjtën linjë argumentimi, ne mund të parashikojmë se studiuesit që sugjerojnë se mishi i derrit është i ndaluar, sepse në të ndodhen mikrobe të rrezikshme të cilat nuk mund të vriten aq lehtë nga nxehtësia, do të kenë probleme në të ardhmen. Shkencëtarët mund të zhvillojnë metoda të mbarështimit, të cilat mund ta kapërcejnë këtë problem. Por, për sa i takon myslimanëve që ndjekin si Kuranin ashtu edhe shkencën, mishi i derrit prapseprapë do të mbetet i ndaluar për ta.

Hulumtimet shkencore janë vetëm një përpjekje për të kuptuar botën tonë. Nuk ka dyshim se kjo është një përpjekje shumë e dobishme, por sigurisht jo një përpjekje në të cilën, siç Hoodbhoy tenton të na detyrojë të besojmë, vëzhgimi dhe arsyetimi shkencor marrin “një pushtet dhe autoritet absolut.”57 Kjo dhe qëndrimet të ngjashme të adhurimit të shkencës dhe të botës moderne, i kanë shndërruar arritjet shkencore në një qëllim në vetvete, dhe nga pakujdesia po e shtyjnë njerëzimin drejt vetëshkatërrimit. Njerëzit ende janë të tmerruar nga Nagasaki dhe Hiroshima, ata stresohen përditë nga konfliktet e pafundme, dhe rrinë në pritje të një katastrofe bërthamore ose mjedisore.

Islami nuk e konsideron kërkimin e dijes si një objektiv të paqëllimtë apo edhe si një qëllim në vetvete. Përkundrazi, ai është një aktivitet doktrinor dhe i përqendruar moralisht, që duhet t’i bëjë banorët e këtij planeti njerëz më të mirë, dhe në këtë mënyrë të ecet drejt qëllimit për të cilin ata janë krijuar. Shkenca moderne është e drejtuar, udhëhequr, dhe programuar nga njerëz të cilët nuk kanë të bëjnë fare me idealet islame të qëllimit dhe dinjitetit njerëzor, dhe në të vërtetë as nuk i përfillin fare këto veti, duke i flakur tej pa u menduar dy herë. Atëherë lind pyetja: A do t’i udhëheqë kjo shkencë moderne krejtësisht e”kalbur” aktivitetet që myslimanët duhet të ndërmarrin apo ekziston ndonjë rrugë tjetër?

Postime të ngashme

%d bloggers like this: