Konflikti shkencë-fe: realitet apo mit?

Islami nxit si mirëqënien materiale, ashtu edhe atë shpirtërore të njerëzimit. Meqënëse Islami i urdhëron ndjekësit e tij që të kërkojnë dhe të shfrytëzojnë dijen për të përmirësuar jetën e tyre si këtu ashtu edhe në jetën e përtejme, myslimanët duhet t’i studiojnë shkencat, qoftë edhe vetëm për të mbrojtur strukturat politike dhe sociale të qytetërimit islam. Profeti Muhamed pati luftuar për të mbrojtur Islamin duke përdorur armët e kohës. Kjo do të thotë se myslimanët e asaj periudhe kanë luftuar për barazi teknologjike, pse jo edhe për superioritet ndaj bashkëkohësve të tyre. Sardar shkruan:

Shkenca është një mjet bazë për zgjidhjen e problemeve të çdo qytetërimi. Pa shkencë një qytetërim nuk mund t’i mbajë në këmbë strukturat e veta politike dhe sociale, apo të plotësojë nevojat themelore të popullit dhe kulturës së vet. Me pak fjalë, shkenca është mjeti që e formëson përfundimisht një qytetërim: ajo është një shprehje e botëkuptimit të tij fizik.27

Shumë dijetarë të respektuar i kanë cekur marrëdhëniet ndërmjet Islamit dhe shkencës dhe e kanë bërë të qartë se në parim, Islami nuk përmban asnjë kundërshti me shkencën. Ne gjithashtu kemi theksuar më lart pohimin e Sardar, sipas të cilit e gjithë dituria përfshirë edhe diturinë shkencore, është pronë e Zotit. Ky pohim është i pranuar nga të gjithë dijetarët bashkëkohorë myslimanë. Pyetja që shtrohet tani është nëse shkenca moderne është e pranueshme ashtu siç është, nëse ajo duhet të zbatohet sipas parimeve islame, apo myslimanët duhet të braktisin çdo marrëdhënie të drejtpërdrejtë me shkencën moderne dhe të zhvillojnë shkencën islame.

Në të kaluarën, dijetarët myslimanë me bindje të veçanta, ndonjëherë e kanë kritikuar shkencën si të pafe dhe të pamoralshme, duke i përndjekur shkencëtarët dhe duke refuzuar risitë e tyre, me pretekstin se ato ishin të gjitha sajime, dhe të gjitha shpikjet si të rrezikshme për besimin. Kjo është një nga arsyet përse shkenca perëndoi në tokat myslimane. Për shembull, el-Kindi, shkencëtar i madh, i cili me gjykimet e tij ishte shndërruar në të preferuarin e kalifit Ma `Mun, u detyrua të largohej përjetë nga vendi, kur al-Mutauakil mori pushtetin. Ai vdiq i vetmuar dhe i hidhëruar. Ibn Ithaldun (1332-1406), njëri nga mendimtarët e mëdhenj myslimanë të periudhave të mëvonshme dhe i famshëm për kontributin e tij në studimin e shkencave embrionale, u izolua nga ulematë më konservatorë të kohës së tij me akuzën se ishte shumë “racionalist” i thekur në metodat e tij të studimit.28 Dukuritë e tilla ishin për të ardhur keq, por ne mund t’i qortojmë ato pa paragjykuar qëndrimin thelbësor të Islamit ndaj shkencës, dhe ky fakt nuk duhet të na lerë të verbër ndaj kundërshtimeve legjitime të disa dijetarëve myslimanë për disa nga metodat dhe aplikimet e ndryshme shkencore moderne.

Po me ç’sy e ka parë tradicionalisht Kisha e krishterë shkencën dhe praktikuesit e saj? Ne duhet t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, sepse kanë qenë kryesisht dijetarë kristianocentrikë ata që janë përpjekur të njollosin reputacionin e Islamit me portretizimet më negative, duke mbajtur një heshtje sistematike rreth përvojave të tmerrshme të krishtërimit lidhur me këtë çështje.

Për më shumë se 1.000 vjet me radhë, Kisha i ndaloi të krishterët të besojnë se njerëz jetonin edhe në anën tjetër të planetit. Ky besim e kishte origjinën tek Shën Agustini.29 Sipas tyre, Toka besohej të ishte e sheshtë, dhe nëse kishte njerëz në anën tjetër, ata patjetër duhej të ishin duke qëndruar me kokë poshtë, një ide kjo e fundit që Kishës i dukej krejt e papranueshme. Në mënyrë të ngjashme, nën autoritetin e Shën Palit,30 të krishterëve iu desh të besonin se uria, sëmundjet apo murtaja dhe ndotja e ajrit, shkaktoheshin nga demonët. Kështu vaksinimi ishte i ndaluar, në një kohë kur shkencëtarë myslimanë si al-Raziu kryen kërkime në këtë fushë. Rrufeja dhe gjëmimet e motit, besohej të ishin rezultat i pesë mëkateve të pafytyrësisë, mosbesimit, mospërfilljes së detyrimeve ndaj Kishës, mashtrimit në pagimin e së dhjetës dhe të klerit, si dhe shtypjes së vartësve. Ndërsa shkencëtarët e mëdhenj myslimanë si al-Maxhriti, el-Shirazi, dhe al-Masudi kishin shkruar gjerë e gjatë mbi astronominë, gjeografinë dhe gjeologjinë, të krishterëve u ishte ndaluar të studionin trupat qiellorë dhe gjeologjinë. Jo më larg se në vitin 1850, Papa Piu IX e ndaloi mbajtjen e kongresit shkencor italian, i cili do të mbahej në Bolonjë, vetëm sepse në program bënte pjesë edhe gjeologjia. Punimet e Dr. Boylston mbi vaksinën e lisë, rrufepritësja e Benjamin Franklin-it, dhe teoria e mjegullnajës kozmike dhe yjeve e Immanuel Kant-it, që të gjitha ndeshën në pakënaqësi dhe rezistencë të madhe nga ana e Kishës.

Kur Koperniku botoi Commentariolus-in e tij në vitin 1514, ai u inkurajua nga Papa Klementi VII për ta zhvilluar atë më tej në atë që më vonë u bë De Revolutionibus Orbium Coelestium (Mbi Rrotullimin e sferave qiellore), botuar në 1543. Kjo vepër në fushën e astronomisë, e fshiu nga faqja e dheut sistemin gjeocentrik të Ptolemeut dhe e zëvendësoi atë me modelin heliocentrik. Megjithatë që nga viti 1616, pikëpamjet e Kopernikut dhe tërë “revulucionit Kopernikan” u gjykuan të rrezikshme, sepse ato binin në kundërshtim me pikëpamjet e kishës mbi kozmosin. Koperniku, i cili ishte edhe vetë një prift, një kanonik i Katedrales së Frauenburg (Poloni), dhe një doktor i ligjit kanonik, u dënua si heretik dhe u çkishërua (23 shkurt 1616), shumë kohë pas vdekjes së tij.

Edhe pse pikëpamjet e tij ishin gjykuar si kriminale nga Kisha, ato vazhduan të përhapeshin dhe shërbyen si një themel mbi të cilin Galileu, Kepleri, Hygensi, dhe Njutoni ndërtuan studimet e tyre. Galileu është bërë legjendar për konfrontimin e tij me Kishën, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e famës së të cilit vinte edhe për faktin se ai ishte një i krishterë i devotshëm. Papa Urbani VIII, i cili e dënoi me burgim të përjetshëm, ishte një ish mik i tij dhe njëkohësisht Galileu mbrohej fort nga kardinali Maffe Barberni. Ndoshta kjo i dha Galileut një ndjenjë të rreme sigurie. Studimet shkencore të mëvonshme i dhanë të drejtë Galileut, por prapseprapë Kisha mbajti një heshtje në të cilën nuk shihej gjurmë pendese (ndoshta njëfarë sikleti po). Disa historianë janë përpjekur që të fajësojnë Galileun për këtë konflikt, siç vërehet në citimin e mëposhtëm:

Si një publicist i talentuar, ai [Galileu] ndihmoi në popullarizimin e shkencës. Megjithatë, natyra e tij grindavece e çoi atë në një polemikë fatkeqe me Kishën.32

Prej një kohe të gjatë ka qenë i njohur fakti se Galileu kishte të drejtë dhe se autoritetet e Kishës ishin në gabim. Ndoshta mund të ketë qenë armiqtë e Galileut në stafin e institucionit universitar (Aristotelianët ose Neo-Platonistët), ata, të cilët duke shfrytëzuar talentin e tij për polemika, e futën atë në konflikt me Kishën. Megjithëse ky fakt nuk mund ta përligjë dot fajin e Kishës. Ajo çfarë është mjaft dëshpëruese, është fakti se Vatikanit iu deshën më shumë se 350 vjet për të artikuluar një tërheqje zyrtare nga pozicionit i tij. Më 9 maj të vitit 1983, Papa Gjon Pali II bëri një deklaratë që i ngjante një apologjie:

Eksperienca e Kishës në çështjen Galileu dhe pas saj, ka çuar në një qëndrim më të pjekur … Vetëm nëpërmjet një studimi të përulur dhe ngulmues (Kisha) ka mësuar të veçojë bazat e besimit nga sistemi shkencor i një epoke të caktuar.33

Islami, megjithatë, nuk i ka “shkëputur” kurrë sistemet shkencore nga bazat e besimit, sepse shkenca është laboratori praktik i besimit. Në qoftë se ajo trajtohet me përgjegjësi dhe udhëhiqet siç duhet, mund të jetë një ndihmëse e madhe në përmbushjen e misionit të Islamit.

Postime të ngashme