Shkaqet e martesave të Profetit Muhamed s.a.s

1 – Përcjellja e mesazhit hyjnor tek brezat e ardhshëm.

Profeti a.s u martua me një numër grash, për disa arsye të pranueshme. Me një grua, ai martohej me qëllim që ajo të garantonte ruajtjen e trashëgimisë profetike. Profeti a.s kishte ardhur të formojë umetin i cili do të mbante të gjallë mesazhin hyjnor deri në Ditën e Kijametit. Pas një mijë e katërqind vitesh, ne posedojmë detaje dhe hollësi të shumta mbi mënyrën si t’a organizojmë jetën. Të gjithë këto dije dhe informacione kanë arritur tek ne nëpërmjet shokëve të Profetit a.s. Për të përcjellë të gjithë detajet e jetës së dërguarit të Zotit, duhej që dikush të depërtonte në jetën e tij familjare. Gruaja që ka kontributin më të madh në përcjelljen e detajeve të jetës familjare të Profetit a.s, është Aisheja r.a. Martesa e Profetit a.s me Aishen u arrit pasi vetë Zoti ia kërkoi. Kjo është arsyeja dhe shkaku përse Profeti a.s u martua me Aishen, edhe pse ajo ishte e re në moshë. Misioni i saj ishte që të koleksionojë gjithçka mbi Profetin a.s. Ajo nuk pati edhe fëmijë, pasi duhej të ishte e angazhuar vetëm me koleksionimin e detajeve të jetës së Profetit a.s.

Ajo ishte një nga gratë më të dashura të Profetit a.s. Kjo e bënte Profetin a.s të shprehej i lirë dhe t’i mësonte gjithçka i duhej. Profeti a.s vdiq në vitin dhjetë hixhri, kurse Aisheja në vitin 52 hixhri. Për dyzet e dy vite rresht, ajo ishte burimi kryesor i dijeve dhe shkencave islame. Dijetarët muslimanë thonë:”Njeriu më i ditur mbi obligimet islame, ka qenë Aisheja.” Pra, ishte një grua dhe jo burrë. Misioni kryesor i Aishes ishte ruajtja e trashëgimisë profetike, të cilën do ua transmetonte brezave të ardhshëm.  Hadithet që transmetojnë gratë e Profetit a.s, arrijnë në tre mijë hadithe. Aisheja konsiderohej si më e ditura mes muslimanëve mbi hallallin dhe haramin, farzet dhe nafilet. Prandaj, ajo radhitet mes trasmetuesve më të mëdhenj të haditheve të Profetit a.s.

2 – Për të ruajtur unitetin dhe kompaktësinë e umetit, pas vdekjes së Profetit a.s.

Ata që e ruajtën umetin të bashkuar, pas vdekjes së Profetit a.s ishin katër halifet e drejtë, Ebu Bekri r.a, Omeri r.a, Osmani r.a dhe Aliu r.a. Profeti a.s u martua me vajzën e Ebu Bekrit r.a dhe të Omerit r.a, kurse Osmanit r.a dhe Aliut r.a, u kishte dhënë vajzat e tij. Përveç shoqërisë, me këta të katër ekzistonin edhe lidhje martesore dhe miqësore.

3 – Mëshira për gratë e veja, për gratë e dëshmorëve që kishin rënë në fushë të betejës dhe ishin pa përkrahje.

Seude bintu Zem’a ishte gruaja e parë që mbeti e ve në Islam. Kur u martua me  Profetin a.s, ajo i kishte kaluar të tetëdhjetat. E kush do të martohej me një grua të moshuar si ajo? Kush do të kujdesej për fëmijët e saj? Ishte Profeti a.s që pranoi të kujdesej për të dhe për fëmijët e saj. Një ndër gjërat më të rënda për një burrë, është të martohet me një grua që nuk e don dhe që do e ketë barrë.

Umu Selemes, iu vra burri në betejën e Bedrit. Ajo kishte fëmijë dhe nuk kishte askënd që t’a përkrahë dhe ndihmojë. Për këtë arsye, mëshira e pafund e Profetit s.a.s bëri që ai të përkujdesej për të.

Umu Habibe, ishte vajza e Ebu Sufjanit. Ajo emigroi bashkë me të shoqin Ubejdulla ibnu Xhahsh për në Abisini. Atje i vdiq i shoqi dhe mbeti e vetme. Çfarë të bënte? Të kthehej tek babai i saj, i cili gjer atëherë ishte një ndër armiqtë më të egër të Profetit a.s dhe të Islamit? Këtë grua, duhej t’a merrte dikush që gëzonte pozitë të lartë mes myslimanëve, me qëllim që t’a shkundë Ebu Sufjanin. Kështu, e mori Profeti a.s dhe u martua me të. Kur e dëgjoi këtë Ebu Sufjani, e konsideroi si nder që vajza e tij është martuar me Profetin a.s.

4 – Plotësimi i legjislacionit Islam.

Kjo arrihet duke qenë Profeti a.s model dhe shembull në çdo gjë. Kështu, duke dashur të shfuqizohet fenomeni i birësimit të fëmijëve, Profetit a.s i duhet të martohet me ish gruan e djalit të tij të adoptuar.

Të gjithë njerëzit duhet t’a dinë se feja Islame është fe e mëshirës dhe tolerancës. Për këtë, Profetit a.s i duhet të martohet me vajzën e një rabini çifut, Hujej ibnul Ahtab. Ai ishte personi që kishte revoltuar dhe mbledhur ushtri kundër muslimanëve në betejën e Hendekut. Megjithatë, Profeti a.s u martua me vajzën e tij, pasi kishte pranuar Islamin. Kushdo që pranon islamin nga fetë e tjera, duhet të ndihet i mirëpritur dhe i pranuar nga muslimanët.

5 – Forcimi i lidhjeve me shtetet fqinje.

Këtë, Profeti a.s e bëri duke u martuar me Marien nga Egjipti. Thotë Profeti a.s rreth banorëve të Egjyptit: “Nëse hyni në Egjipt, rekrutoni ushtarë të shumtë, pasi ata janë ushtarët më të mirë mbi faqen e tokës.”

Duke dashur t’i forcojë lidhjet me Egjiptin, Profeti a.s u martua me një vajzë të tyre. Edhe sot e kësaj dite, egjiptianët mburren që janë krushq të Profetit a.s. Me një martesë, Profeti a.s lidhi pas vetes një vend të tërë.

6 – Qëllim përhapjen e fesë Islame.

Profeti a.s u martua me Xhuvejrije bintul Harith, me qëllim që fisi i saj të pranojë Islamin. I gjithë fisi i Xhuvejries bashkë me të kishin rënë robër të muslimanëve. Nëse do të mbaheshin në robëri, atyre do u shtohej më shumë urrejtja për islamin. Por nëse Profeti a.s do të martohej me vajzën e kryetarit të fisit, padyshin që kjo do të ndikonte pozitivisht në imazhin e tyre për islamin. Kështu, ai u martuam e Xhuvejrijen, vajzën e kryetarit të fisit. Me t’u martuar Profeti a.s me Xhuvejrijen, të gjithë muslimanët u falën lirinë të gjithë pjestarëve të fisit të saj, pasi e shihnin si ulje që krushqit e Profetit a.s të ishin robër të tyre. Pas kësaj, i gjithë fisi i Benu Mustalik përqafuan Islamin. Xhuvejrija ndihej shumë e privilegjuar, pasi u bë shkak që i gjithë populli i saj të pranojë Islamin.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: