Shkaku i pranimit të lutjes

Kurani famëlartë na tregon se dërgimi i salavateve (përshëndetje) profetit Muhamed a.s është një shkak mirësie, ku thotë: “Padyshim që Allahu dhe engjëjt dërgojnë salavat mbi profetin, o ju Besimtarë edhe ju dërgoni salavate dhe paqe profetit.”[1] Po ashtu edhe profeti a.s në shumë hadithe ka këshilluar që të dërgohen salavate ndaj tij kur lutemi, duke treguar që ky veprim është shkak për pranimin e lutjeve.

Hz. Ubej b. K`ab r.a transmeton se profeti a.s e kishte këshilluar një person, duke i thënë se para se të lutej për diçka fillimisht të dërgonte salavat mbi profetin a.s, pastaj të fillonte të lutej. Prandaj edhe ne duke marrë shkak nga këto ajete dhe hadithe, duhet t`i shtojmë slavatet dhe lutjet për profetin Muhamed a.s. Kur shohim lutjet e dijetarëve të mëdhenj të islamit shohim që salavatet ndaj profetit a.s nuk mungojnë në asnjë vend. Kjo për arsye sepse profeti a.s nuk ishte një njeri si gjithë të tjerët, ai kishte një pozitë tjetër tek Allahu.

Fjala salavat ka kuptimin e lutjes, pra çdo salavat i bërë është edhe një lutje ndaj profetit a.s. Duke marrë shkas nga këto hadithe të shumta dijetarët kanë thënë se: `Arsyeja kryesore për pranimin e lutjeve është që të dërgohen salivate në fillim dhe në fund të lutjes.`

Lutja është sekreti i robërisë ndaj Allahut, në sajë të saj robi edhe në momentet më të vështira kur kanë reshtur të gjitha shkaqet, të lejon të lidhesh me Shkaktarin e shkaqeve. Njeriu në lutje kërkon prej Allahut gjëra të cilat e kalojnë mundësinë e tij fizike dhe mendore. Kërkojmë gjëra që ne i kemi të pamundura t`i realizojmë, prandaj edhe i përforcojmë këto lutje me salavate ndaj krijesës më të dashur të Allahut.

Siç shihet dërgimi i salavateve ndaj profetit a.s është diçka shumë e rëndësishme, edhe pse ne nuk mund ta kuptojmë thelbin e saj. Por ajo që na mbetet ne është të dërgojmë salavate ndaj tij në çdo moment dhe në çdo lutje tonën. Një nga cilësitë e profetit Muhamed a.s është edhe shefati (ndërmjetësimi) për besimtarët në ditën e Gjykimit. Ashtu siç Allahu na tregon duke na thënë: “Kërkoni vesile (shkak, mjet) për tu afruar me Allahun.”[2] Prandaj shkaku më i mirë dhe ndërmjetësuesi më i mirë i pranimi të lutjeve tona është pikërisht dërgimi i salavateve ndaj profetit Muhamed a.s.

Përgatiti: Marius Tafani

[1] Surja Ahzâb, 33/56

[2] Surja Mâide, 5/35

Postime të ngashme