Sasia e sadekatul fitrit
Sasinë e sadakatul-fitrit e ka përcaktuar Pejgamberi a.s. kur ka thënë:
صاعا من تمر أو شعير أو نصف صاع من قمح
“Një sa’a me hurma ose me elb ose gjysmë sa’a me grurë.” Një sa’a është e barabartë me 3.800 gr.
Prandaj, sadakatul-fitri, përveç të tjerash, duhet të jepet nga këto katër lëndë ushqimore: grurë, elb, hurma dhe rrush i thatë. Nga gruri ose mielli i grurit dhe nënproduktet e tij, jepet ½ sa’a, kurse nga të tjerat jepet një sa’a. Nga llojet e përmendura të ushqimeve, sasia e sadakatul-fitrit është përafërsisht sa ushqimi njëditor i një të varfri. Është interesant të kujtojmë se transmetimet lidhur me këtë çështje tregojnë se lëndët ushqimore të dhëna në atë periudhë në emër të sadakatul-fitrit, kanë qenë lëndë themelore konsumi të shoqërisë dhe se ndërmjet masave ka ekuivalencë. Prandaj, me sadakatul-fitr është synuar të plotësohet ushqimi njëditor i një të varfri, sipas standardeve të shoqërisë ku ai ka jetuar. Së këndejmi, me rastin e përcaktimit të sasisë, ose thënë me saktë, të minimumit të sasisë së sadakatul-fitrit, duhet mbështetur në sigurimin e ushqimit njëditor normal të një personi dhe ky mbase do të ishte kriteri më i saktë, sepse, fundja, këtë e kanë për synim të gjitha transmetimet e haditheve të Profetit a.s. Kjo që thamë më sipër, është sa i takon minimumit të fitrit, por kush jep më shumë se kaq, natyrisht që është më mirë dhe më e lavdëruar, sipas ajetit të Kur’anit në suren “Bekare: 184: “E ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të…” Kjo do të ndikonte në masë të konsideruar për shpëtimin e të varfërve nga lypja! Edhe sofrat e tyre duhet të begatohen së paku ditën e Bajramit.
Për dhënien e sadakatul-fitrit me artikujt e lartpërmendur, tashmë ajo mund të jepet edhe me kundërvlerën e tyre. Madje, disa dijetarë bashkëkohorë, dhënien e kundërvlerës së tyre në të holla, në kohën e sotme, e konsiderojnë si më të dobishme.