Reflektimi Kur’anor mbi stresin

Streset dhe ankthet e jetës janë sot ndër shkaktarët më të rëndësishëm të vdekshmërisë. Dhe jo vetëm kjo, por në mënyrë direkte apo indirekte ato janë gjithashtu shkaktarë të rëndësishëm të sëmundjeve koronare, të cilat cilësohen si vrasësi numër një i njerëzimit sot.
Ne nuk mund ta shmangim stresin nga jeta jonë, e as të jetojmë pa stress. Ai ka një rëndësi thelbësore për zhvillimin e aftësive njerëzore. Por stresi i tepërt është jashtëzakonisht i rrezikshëm për jetën e njeriut. Në përpjekje për të gjetur mënyrën për parandalimin dhe kurimin e stresit dhe pasojave të tij, janë modeluar teori dhe metoda të ndryshme. Metoda të shumta për arritjen e këtij qëllimi gjënden, në një formë të përkryer, në praktikën islame. Islami është një sistem i plotë jetese dhe si i tillë i përshtatet më së miri njeriut, sepse është ndërtuar sipas tipareve të tij, që me anë të praktikave të kujdeset për trupin dhe shpirtin e tij, si dhe për ekuilibrin dhe harmoninë mes tyre. Besimi në Zot është nevoja e parë dhe më e domosdoshme për stabilitet shpirtëror. Mungesa e besimit në Krijuesin e Plotfuqishëm është një nga shkaqet që e çojnë njeriun në çrregullime psikologjike. Njeriu është gjithmonë i ekspozuar ndaj stresorëve të shumtë dhe përpjekjet për t’u përshtatur me to janë po aq të shumta. Individi që beson Allahun e Plotfuqishëm dhe është i vetëdijshëm për praninë e Tij, ka një mbështetje të madhe morale, e cila do ta ndihmojë atë në situatat më të vështira të jetës.
Humbjet tona janë pjesë e sprovimit për ne në këtë botë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve.”[1] Çfarëdo që na jepet është një dhuratë nga Allahu i Madhëruar. Ne nuk jemi pronarë të asgjëje që na është vënë në shërbimin tonë qoftë send apo njeri. Çdo gjë i takon Allahut xh.sh, dhe tek Ai do të kthehet sërisht. Pra, përderisa ne nuk i posedojmë këto gjëra, atëherë nuk duhet të mbajmë zi për humbjen e tyre ose të dalim kundër caktimit të Allahut xh.sh.

Thotë Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).”[2] Besimi tek Zoti është një forcë e jashtëzakonshme që e furnizon njeriun me energji shpirtërore duke e ndihmuar të përballojë vështirësitë e jetës, dhe duke i larguar stresin e shqetësimin, ku shumë prej njerëzve po e përjetojnë në kohën tonë, ku jeta materiale mbizotëron në çdo gjë. Në një ajet tjetër Kur’anor Allahu i Madhëruar thotë: “Ne u patëm sjellë të vërtetën, por shumica prej jush ishit urrejtës të së vërtetës.”[3]

Nuk mohohet fakti se njeriu mund të ketë shkëputje nga e vërteta në ndonjë fazë të jetës së tij, por mëshira e Allahut xh.sh, është shumë e madhe dhe këtë e tregon duke i këshilluar krijesat e tij të kthehen kah e vërteta absolute. Besimi tek Zoti mbjell tek zemra e njeriut qysh në vegjëli imunitetin dhe ruajtjen nga sëmundjet e ndryshme nervore dhe psiqike.Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë thotë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtesi e idhujtari, pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”[4] “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.”[5]
“Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai i’a udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.”[6] Besimtari e arrin qetësine e shpirtit dhe të zemrës me besimin e tij tek Allahu xh.sh, sepse besimi e furnizon me shpresë në ndihmën, mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut xh.sh.

 

 

[1] Kur’an, Bekare: 155

[2] Kur’an, Bekare: 45

[3] Kur’an, Zuhruf: 78

[4] Kur’an, Enam: 82

[5] Kur’an, Rad: 28

[6] Kur’an, Tegabun: 1

Postime të ngashme