Pse nuk më pranohet lutja?
Një banor i Basrës i ankohet Ibrahim b. Ed’hemit se nuk i pranoheshin duatë. Ai i thotë se shkaku ishte vdekja e zemrave nga dhjetë cilësi:
- E dini se Allahu është një dhe e njihni Atë, por s’e adhuroni dhe nuk i kryeni obligimet.
- E lexoni Kuranin, por s’veproni sipas tij.
- Thoni se e doni të Dërguarin e Allahut, por a e ndiqni shembullin e tij?
- Thoni se shejtani është armiku juaj i madh dhe se e mallkoni atë, por sërish e dëgjoni me bindje.
- Thoni se i frikësoheni vdekjes dhe se ajo është e vërtetë e pamohueshme, por s’keni përgatitur gjë për të.
- Thoni se i frikësoheni zjarrit të Xhehenemit, por trupin tuaj e keni lodhur me punë që të çojnë në zjarr.
- Thoni se e doni Xhenetin, por s’jeni përgatitur për të, sepse keni shijuar dëfrimet në Tokë dhe s’keni bërë vepra që ju dërgojnë në të.
- Kur zgjoheni nga gjumi, të metat tuaja i hidhni pas shpinës, kurse të metat dhe veprat e turpshme të njerëzimit i zbuloni dhe i përgojoni. Nuk shikoni punët tuaja, por shikoni punët e të tjerëve.
- Shfrytëzoni begatitë e Allahut dhe nuk e falënderoni Atë.
- Shpesh i përcillni të vdekurit për në varreza, por nuk merrni asnjë mësim nga kjo.