Profeti Ynë (7) – Lajme që vijnë nga të katër anët
Pa kaluar shumë kohë, filluan të vinin lajme nga të katër anët. S’ka dyshim që gjithësia po tregonte se ishte e interesuar në ardhjen e Tij, dhe me rrezatime të ndryshme, po e tërhiqte vëmendjen e gjithkujt kah kjo lindje.
Fillimisht, Meka u trondit nga lajmet e rrëzimit dhe thyerjes së idhujve që gjendeshin brenda në Qabe… Askush nuk e mori vesh se kush e bëri dhe se si kishte mundësi që ishin përballur me një ngjarje të këtillë.
Zaten kishte kohë, që në qiell po përjetohej një gëzim dhenjerëzit dëshmonin pareshtur rënien e yjeve. Të gjitha këto quheshin si myzhde të ardhjes së shpëtimtarit të fundit, andaj dijetarët e kohës filluan të mos e largonin vështrimin e tyre nga qielli. Në mëngjesin e asaj dite, Meka do të dëgjonte një dijetar që i pyeste:
O popull i Kurejshit! Mos lindi gjë një fëmijë sonte në mesin tuaj?
Askush nuk kishte ende ndonjë lajm të tillë, andaj:
Vallahi që nuk dimë gjë, – thanë ata.
Njeriu që pyeste fillimisht lëshoi tekbir, për t’i këshilluar më pas:
Keni bërë një gabim; shkoni shihni dhe mos i harroni ato që do t’ju them: Mbrëmë, lindi Ahmedi, profeti i fundit i njerëzimit. Kontrolloni me kujdes, sepse nëse nuk ka lindur këtu, atëherë ka lindur në Palestinë. Në mes të dy kockave të shpatullave, mbuluar nga qime të verdheme dhe të zezë, ai mbart një shenjë që është vula e profetësisë.
Mekasit ishin shushatur nga fjalët e këtij njeriu të ditur. Ashtu të habitur zunë të shihnin njëri-tjetrin, por prapëseprapë e dinin që nuk kishin dëgjuar gjë për një lindje të këtillë. Populli u nda si gjithmonë, dhe sakaq të gjithë u shpërndanë për në familjet e tyre. Pa kaluar shumë kohë, të gjithë po merrnin lajmin se mbrëmë, në shtëpinë e Abdulmutalibit kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vendosur emrin Muhamed. Ajo që ishte më e veçanta, ishte se ashtu siç kishte lajmëruar dijetari, në mes të shpatullave ai kishte një shenjë në trajtën e vulës.
Ata zunë të shkonin pranë dijetarit që i pati lajmëruar i pari, duke i thënë:
Na the se në mesin tonë ka ardhur në jetë një fëmijë…
Pa mbaruar fjalinë, dijetari i pyeti i shqetësuar:
A ka lindur përpara se t’ju thosha unë, apo më pas?
Më parë.
Dijetari u emocionua jashtëzakonisht shumë dhe i kërkoi atyre që ta shpinin menjëherë atje ku ishte foshnja i sapolindur. Mirëpo, kur erdhi pranë Aminës, me të parë shenjën në mes të krahëve, atij i ra të fikët menjëherë. Kur erdhi në vete, tha:
Turp t’ju vijë!
Kur e pyetën se ç’po i ndodhte, ai iu përgjigj:
Tashmë, nderi i profetësisë nuk është më i hebrenjve. Kështu është e shkruar. Tashmë begatia profetike u takon arabëve. Gëzohuni, o njerëz të Kurejshit! Sepse ai, bashkë me ndihmën tuaj do të arrijë një fuqi të atillë, që zëri i saj ka për ta mbushur distancën mes Lindjes dhe Perëndimit.
Një ngjarje e ngjashme po përjetohej edhe në Medinë. Hasan bin Thabiti, që megjithëse në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, vite më vonë, emocionin e asaj kohe do ta tregonte me këto fjali:
Unë në ato kohë isha shtatë a tetë vjeç, por i kuptoja mjaft mirë ato që dëgjoja. Pashë një dijetar hebre të bërtiste në majë të njërës prej kalave të Jethribit:
O popull medinas! O popull i Jethribit!
Të gjithë ishin habitur nga kjo sjellje. S’kishte më dyshim se kishte ndodhur ndonjë ngjarje shumë e rëndësishme, ose kishin të bënin me ndonjë rrezik. Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:
Ç’është gjithë ky telash? Çfarë të ka ndodhur?, – duke iu mbledhur rreth vetes. Ai i përgjigjej atyre që e kishin rrethuar:
Mbrëmë në darkë lindi ylli i Ahmedit.