Profeti Ynë (6) – Lindja e bekuar

Shtatzënë me Shpëtimtarin e Fundit që po priste njerëzimi, Amina nuk i jetonte vështirësitë që jetonin kandidatet e tjera për nënë. Ajo po kalonte një shtatzëni të rrethuar nga të gjitha anët me flladin e ëmbël të mëshirës hyjnore. Mbi të gjitha si kurorë, kishte shumë sihariqe që i vinin të pëshpëritura në vesh. Ajo tregonte se një ditë dëgjoi:

Padyshim, që ti je shtatzënë me Prijësin e njerëzimit. Kur ta sjellësh atë në jetë, thuaj se po e lë në mbrojtjen e Atij që është Një, dhe më pas vendosi emrin “Muhamed”.[1]

Amina u prek shumë nga e gjithë kjo. Po, ajo do të sillte në jetë një fëmijë që do të ishte jetim. Por, çfarë do të thoshte se fëmija i saj do të ishte prijësi i mbarë njerëzimit. Mbi të gjitha ajo nuk e kishte dëgjuar asnjëherë emrin “Muhamed”. Sepse emri “Muhamed” nuk ishte ndonjë emër i njohur në atë kohë dhe atë vend. Ai ishte një emër të cilin e kishin vetëm tre vetë në të gjithë Arabinë. Dhe etërit e të treve ishin njerëz që kishin jetuar pranë mbretërve, dhe ishin të gjithë ndjekës të librave hyjnorë. Dhe secili prej tyre kishte vdekur në periudhën kur gratë e tyre ishin me barrë, dhe pa ndërruar jetë i kishin këshilluar gratë e tyre, se nëse lindnin djem, t’ia vinin emrin Muhamed. Sepse e dinin, që emri i Profetit të fundit që do të vinte në kohën e fundit do të ishte i atillë. Ata e kishin parë që ylli i Tij ishte në prag të lindjes.[2]

Amaneti që ajo mbartte në bark bëhej temë qendrore e ëndrrave të saj, andaj edhe nuk e ndiente shumë rëndesën e shtatzënisë që t’i lirohej sa vjen e më tepër. Një natë, Amina, do të shihte në ëndërr sikur prej trupit të saj dilte një nur, dhe me këtë nur do të dëshmonte se si ndriçoheshin sarajet e Basrës dhe të Sirisë.[3]

Data ishte 20 prill 571. Kishin kaluar vetëm pesëdhjetë ditë nga ndodhia e elefantit. Ndërsa kalendari hënor shënonte ditën e dymbëdhjetët të muajit Rebiuleuel. Ishte e hënë. Në këtë çast kur drita kishte kapluar gjithë rruzullin, po përjetohej një lindje që do ta nxirrte krejt njerëzimin prej errësirës në dritë.

Ndërkaq, Mbreti i fundit, Muhamedi (s.a.s), sihariqi i të cilit kishte shëtitur rruzullin për shekuj me radhë, kishte nderuar botën me ardhjen e Tij në paqe. Në botë erdhi jetimi i Aminës, megjithëse nuk i ngjante asnjë fëmije tjetër. Buzët i lëviznin dhe diç thoshte. Kur tregoi pak kujdes ndaj kësaj dukurie, ajo dëgjoi: “Allahu të mëshiroftë!”. Dhoma për një çast ishte ndriçuar plotësisht; Lindja dhe Perëndimi ishin kapluar nga drita, dhe kësisoj çdo anë e shtëpisë ishte bërë dritë.[4]

Menjëherë u lajmërua gjysh Abdulmutalibi, i cili në atë kohë ishte duke adhuruar Allahun në Qabe. Me ta marrë vesh, ai hyri menjëherë në shtëpi i mbështjellë nga emocione të papërshkrueshme. Në çastin që e mori në krahë Dritën që po priste njerëzimi, mjekra po i lagej nga lotët e gëzimit. Jetimi i Abdullahut, djalit, të cilin e donte më së tepërmi, kishte lindur shëndoshë e mirë, dhe me atë vështrimin e tij zhbirues zuri ta kundronte me kujdes. Shenja që dukej mes kockave të shpatullave tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Sepse, sipas përshkrimeve të dijetarëve të fesë, ajo ishte “vula e profetësisë”.

Kur i erdhi radha vendosjes së emrit, Amina e nderuar, i tregoi Abdulmutalibit gjithçka që kishte përjetuar gjatë shtatzënisë, dhe kësisoj Atë e quajtën Muhamed. Më pas, Abdulmutalibi e shpuri Atë në krahë për në Qabe, që të falënderonte Allahun. Qabeja po takohej për herë të parë me binjakun e saj. Kur e pyetën Abdulmutalibin se përse i dha pikërish këtë emër nipit të tij, ai do t’i përgjigjej me këto fjalë:

Në ëndërr pashë një si zinxhir të argjendtë; në mes kishte një shtyllë të nxjerrë, një pjesë për nëpër qiell, dhe tjetra e futur thellë në tokë, njëra tregonte drejtim kah perëndimi e tjetra nga lindja. Më vonë, kjo sikur u mblodh duke u bërë e vogël sa një grusht. Të gjithë, nga Lindja në Perëndim, sikur ishin drejtuar kah kjo pemë për t’u kapur pas saj.[5]

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 2/263

[2] Ibnu Sej’jidi’n-Nas, ujun’ul eser, 1/88

[3] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/127; 5/262; Ibni Hisham, Sire, 1/293

[4] Kastalani, Meuahib, 1/122

[5] Ebu Zehra, Hatemu’n Nebij’jin, 1/140

Postime të ngashme