Çfarë do të thotë vdekje e zemrës?

Ashtu sikurse është e pamundur që një trup pa shpirt të shohë e të dëgjojë, edhe zemra figurativisht e vdekur, nuk mundet t’i shohë të vërtetat, të mendojë fundin e saj dhe të bëjë dallimin midis të mirës dhe të keqes. Nëse një njeri nuk frikësohet kur mendon rreth dënimit të Allahut dhe nuk gëzohet kur mendon për shpërblimin e Tij, atëherë zemra e tij ka vdekur. Edhe vdekja e zemrës ka gradët e saj, të cilat do të përmenden në vijim.

Përshembull, mohimi është vdekje e plotë e zemrës, kryerja e mëkatit të madh gjysmë vdekje e zemrës dhe kryerja e mëkatit të vogël vdekje e pjesshme e saj. Këtë gjë mund ta shohim edhe në ajetet kuranore. P.sh. në një ajet thuhet: “Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë; ata i pret një dënim i madh”. (Bekare, 2/7) Ky ajet tregon se zemrat e disa mohuesve tanimë kanë vdekur.

Por ne duhet të tregohemi të kujdesshëm për të gjykuar zemrat e njerëzve, pa na thënë diçka Allahu për të dhe nuk mund të themi, se zemra e mohuesit ka vdekur deri në atë gradë, saqë ajo nuk mundet më ta pranojë dritën e besimit. Për çdo njeri, sado mëkatar dhe i pafe qoftë, ekziston mundësia që ai të besojë, para se të vdesë.

Një besimtar, që e ka zemrën të gjallë ndien brejtje të ndërgjegjjes, në momentin kur mëkaton. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) shprehet: “Besimtari i sheh gjynahet i tij të mëdha si një mal, i cili mund t’i bjerë përsipër. Mëkatari i madh gjynahun e tij e sheh si një mizë, e cila i kalon pranë hundës dhe largohet.”

Sa herë që besimtari mëkaton, në zemrën e tij formohet një njollë e zezë. Nëse ai pendohet për të, ajo njollë fshihet dhe zemra shkëlqen sërish. Nëse nuk e bën dhe vazhdon të mëkatojë, atëherë njolla e zezë mbulon të gjithë zemrën. Për këtë gjendje Allahu thotë në Kur’an: “Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat”. (Mutaffifin, 83/14)

Ajeti “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu” (Shu’ara, 26/88-89) është shumë domethënës.

Zemër e shëndoshë konsiderohet ajo që është e pastër nga cilësitë e mohimit, hipokrizisë, ortakërisë në adhurim, syfaqësisë dhe shkujdesjes. Ashtu sikurse sëmundjet që nuk arrihen të shërohen, rezultojnë me vdekjen e njeriut, edhe sëmundjet e zemrës, që nuk pastrohen, shkaktojnë vdekjen e saj.

Ilaçi dhe ushqimi më i mirë, që e mban zemrën të zgjuar dhe vitale është përmendja e Allahut. “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut”! (Rad, 13/28)

Dhikër në kuptim më të gjerë do të thotë përkujtim i Allahut dhe ecje në rrugën e vijëzuar prej Tij, duke kryer urdhëresat dhe duke u larguar prej ndalesave. Ky dhikër ashtu sikurse bëhet me gjuhë, mund të bëhet edhe me zemër, meditim, nënshtrim dhe moral të bukur.

Për ta kuptuar më mirë rëndësinë e temës le ta ilustrojmë atë me thëniet e disa njerëzve të mëdhenj.

Hz. Vehb bin Munebbih ka thënë: “Sa të çuditshëm që janë njerëzit! Qajnë për atë që i vdes trupi dhe nuk qajnë për atë që i vdes zemra. Ndërsa në të vërtetë, fatkeqësia më e madhe është vdekja e zemrës”!

Omer bin Abdulazizi ka thënë: “Harami i ngjason zjarrit. Tek ai shkojnë vetëm zemër vdekurit. Nëse ata që i zgjasin duart drejt tij do të ishin të gjallë, sigurisht që do ta ndjenin dhimbjen e shkaktuar prej tij”!

Mevlana ka thënë: “Shumica e njerëzve frikësohen nga vdekja e trupit, ndërkohë që gjëja prej të cilës duhet vërtetë të frikësohen është vdekja e zemrës”!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: