Prindër dhe fëmijë
Kur e shohim këtë çështje nën dritën e teksteve të shenjta, shohim se Kur’ani dëshiron që personat që Allahu i do, do t’i dojë e do të jetë i kënaqur me ta, të jenë shumë. Në të vërtetë, edhe të gjithë profetët, të urtët dhe njerëzit e tjerë të pëlqyer kanë dëshiruar shtimin e brezave të pastër dhe kanë zhvilluar sisteme në këtë drejtim.
Lutjen dhe përgjërimin me ndjenjat më të sinqerta të profetit Zekeria drejtuar Allahut, Kur’ani e përshkruan kështu në suren Al-i Imran:
“Aty Zekeria iu lut Zotit: “Zoti im, më fal mua një pasardhës të pastër! Pa dyshim, Ti e dëgjon lutjen ashtu siç duhet!”
(Kur’ani, Al-i Imran, 3/38)
Po ta vëmë re me kujdes, profeti Zekeria nuk kërkoi vetëm një pasardhës çfarëdo, por “të pastër”! Ai donte të thoshte: “Më fal një pasardhës të pastër që ta bëjë Allahun të kënaqur, Profetin, me pëlqim, të atin, të lumtur e që të bëhet një element i rëndësishëm mes shoqërisë!” Edhe Hz. Ibrahimi me të birin, Hz. Ismailin, kur po ndërtonin Qaben, i luteshin Zotit kështu:
“Zoti ynë! Na bëj ne nga ata që të binden Ty! Nxirr prej brezit tonë një bashkësi të bindur ndaj Teje, …., na trego sesi duhet të të falemi Ty dhe na i prano pendimet se vetëm Ti je pranues i pendimeve dhe mëshirues i madh!”
(Kur’ani, Bakara, 2/128)
Pastaj, fakti që ndër pasardhësit e tyre, krahas shumë profetëve e qindra prijësve shpirtërorë, doli faqja e bardhë e njerëzimit, Hz. Muhammedi (s.a.s.), është shprehje e pranimit të kësaj lutjeje të rëndësishme. Në mënyrë të veçantë, të gjithë njerëzit e shquar të ummetit, bashkësisë islame, gjithë po kështu janë lutur dhe kanë kërkuar nga Allahu breza pasardhësish të pastër e të mirë.
“(Dhe ata robtë) thonë: “Zoti ynë, falna ne bashkëshorte që të na i ndriçojnë sytë dhe bëna ne prijës të të devotshmëve!”
(Kur’ani, Furkan, 25/74)
Si këta, edhe në tekste të tjera të shenjta mund të vërehet se kërkohen breza të pastër si fryte të krijimit të familjes. Po, në të gjitha këto lutje është tërhequr vëmendja mbi breza të pastër, të pafajshëm, të pamëkatë, besimtarë e të bindur. Atëherë, çështja nuk qëndron te sasia e personave që do të dalin dhe rriten në shtëpitë tona, por thellësia e tyre cilësore si dhe pranueshmëria e tyre në lartësinë e Allahut. Arritja e kësaj pranueshmërie duhet të ketë rrugë dhe metoda të caktuara.