Përshkrimi i Xhenetit nga i Dërguari i Allahut s.a.s

Tregon Ebu Hurejreja r.a: “Ne i thamë të Dërguarit të Allahut:

– “O Resulallah! Ne, kur të shohim ty, zemrat zënë e na zbuten, na bëhen më të ndjeshme e më delikate. Por, në momentin që largohemi prej teje, bota nis të na duket më tërheqëse; duam të kemi më shumë gra e më shumë fëmijë.” I dëgjoi i Dërguari Fisnik dhe u tha:

– “Sikur ju të vazhdonit të ruanit të njëjtën gjendje që ndieni kur jeni pranë meje edhe kur largoheni nga unë, engjëjt do t’ju shtrëngonin duart e nuk do të kishin gjë më të dashur, sesa të vinin për vizitë nëpër shtëpitë tuaja. Nëse ju nuk do të bënit asnjë mëkat, atëherë Allahu do të krijonte një bashkësi njerëzore që bie në mëkat dhe pendohet dhe i kërkon Allahut që ta falë.”

– “O i Dërguari i Allahut! A do të na flasësh neve për Xhenetin dhe çka në të?”, – e pyetën dhe i Dërguari i Allahut nisi t’i përshkruajë me fjalët:

“Shtëpitë në Xhenet janë të gjitha të bëra me qerpiç ari dhe argjendi; të erëmuara me aromat më të mira, si ajo e miskut. Rëra dhe gurët janë prej perlash dhe smeraldi. Toka është e gjitha shafran. Kush hyn atje mbulohet nga të mirat dhe nuk mërzitet kurrë. Arrijnë përjetësinë dhe nuk kanë më nevojë për asgjë tjetër, e atje ata nuk do të vdesin më kurrë. As rrobat nuk u vjetrohen. As rinia nuk u humbet. Tre janë njerëzit, lutja e të cilëve nuk kthehet kurrë mbrapsht e pranohet gjithnjë: Prijësi i shtetit që është i drejtë, agjëruesi dhe njeriu, të cilit i është bërë padrejtësi. Aq sa, lutja e atij që i është bërë padrejtësi ngjitet gjer mbi re. Lutja e tij çel portat e qiejve dhe Allahu i Madhërishëm i thotë atij: Të betohem në Krenarinë dhe Fuqinë Time, nuk ka dyshim se ty do të të vij në ndihmë Unë!”[1]

 

 

[1] Ibn Kethir, Tefsir, 4/49

Postime të ngashme