Mësuesi, arkitekt i së ardhmes!
Të edukosh dhe mësosh gjenerata e gjenerata në shumë vite e njëra pas tjetrës, padyshim që është një mison i shenjtë dhe i dashur. Mësuesi është një mjeshtër i vetësakrifikimit, që i jep formë jetës së njerëzve, nga lindja deri në vdekje, përgjatë gjithë jetës. Është e pamundur të gjesh një krijesë të dytë në rruzullin tokësor, e cila mund të barabitet me këtë krijesë të çmuar, ku të gjenden të përqendruara të gjitha frymimet engjëllore, që shërben si udhërrëfyes i popullit të tij, përsa i përket programit të paracaktimit hyjnor, e që përpiqet t’ia lartësojë atij moralin dhe karakterin dhe të fusë tek ai vetëdijen e amshimit.
Ndikimi që një mësues ka tek individi është shumëfish më i madh se sa ndikimi që kanë mbi të, nëna, babai, madje i gjithë grupi shoqëror. Në fakt, është ai që i ka dhënë formë edhe nënës, edhe babait, madje edhe gjithë grupit shoqëror, në të cilin bën pjesë ky individ. Çdo brumë ku hyn dora e tij është pa shije dhe vështirë të ndiesh kripën në të.
Ai është dora dhe gjuha që Zoti përdor për të lartësuar, apo poshtëruar, njerëzit. Po, një shoqëri beduine që e ka gjetur mësuesin e saj mund të lartësohet gjer në lartësinë e engjëjve, duke bërë që të gjithë pjesëtarët e asaj bashkësie të arrijnë në cilësinë e mësuesit.
Xeherorët pastrohen në duart e mësuesit dhe shndërrohen në ar të pastër dhe argjend shkëlqyes. Në ato duar të mistershme edhe gjërat më të pabëra e më pa vlerë kthehen në smeralde të pashoqe. Asnjë fabrikë nuk punon dhe nuk prodhon dot në seri dhe në mënyrë aq sistematike sa ai. Me qindra njerëz që ai i merr përapara vetes, ua vë atyre në lëvizje të gjithë shigjetat e ndjenjave, duke u falur ekzistencë të dytë ekzistencës së tyre dhe askush tjetër nuk e ka arritur dot këtë privilegj.
Ai është përkthyesi i domethënieve që pikojnë drejt nesh prej botës së fshehtësive, si dhe zëri dhe fjala e gjithçkaje të papërpakshme që ndodh në botën e ekzistencës. Njeriu, në saje të tij, lartësohet drejt qiellit porsi retë, për të zbritur mandej në tokë si mëshirë.
Kurse shpirti i lartësuar që ia hap zemrën lajmeve që do të vijnë prej më të besuarit, mësuesit më të posaçëm, të botëve përtej qiejve, ishte mësuesi më madhështor… një mësues, që kur e kryente ai detyrën e mësuesisë, si individët, ashtu edhe mbarë shoqëria, magjepseshin pas tij… Prej Tij e kemi mësuar gjithçka që ne e dimë si të drejtë dhe gjithçka që dihet sot; gjithçka tjetër nuk janë veçse fjalë të kota e të thata…
Fjala e parë që i është shpallur Profetit Muhammed s.a.s është fjala ‘Lexo!’, për të vazhduar më pas me urdhra për të zënë dije dhe për tu konsultuar me dijetarët, me dobi dhe mirësi të dijes si dhe me efektin – reflektimin e dijes: devotshmërinë. Thotë Allahu i Madhëruar xh.sh: “…Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët…” (Fatir, 28)
Respekti për mësuesin është edhe si reflektim i respektit tonë për mësuesin e parë, Profetin Muhamed s.a.s, i cili qe dërguar mësues për njerëzimin. Kështu e ka përshkruar Allahu i Madhëruar xh.sh: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Profetin nga mesi i tyre që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.” (El-Xhumuah, 2)
Ndërsa vetë Profeti s.a.s ka treguar se dijetarët (mësuesit) janë trashëgimtarët e tij, sepse merren me mësimin e njerëzve dhe edukimin e tyre. “…Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve.” Ai s.a.s shpesh thoshte: “Ngjyra e lapsit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i luftëtarit.”