Historia se si u bë mysliman Amr bin Asi r.a

Amr bin Asi r.a ka thënë kështu: “Ditën që u kthyem nga beteja e Hendekut, i mblodha të gjithë ata kurejshë që i pranonin dhe i vlerësonin mendimet e mia, e që ma dëgjonin fjalën, dhe u thashë:

“Uallahi, edhe ju e dini që unë po shoh se misioni i Muhamedit po përjeton një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe sa vjen e po pranohet më shumë nga njerëzit. Unë kam një mendim, si thoni?”

“Çfarë mendimi ke?” – më pyetën ata.

“Të shkojmë në Abisini, të kërkojmë strehim atje. Të qëndrojmë atje. Nëse ne jemi nën mbrojtjen e Nexhashiut dhe Muhamedi e mund popullin tonë, atëherë do të jemi më mirë nën mbrojtjen e mbretit, se sa nën urdhrat e Muhamedit. Nëse fitimtar del populli ynë, ata na njohin dhe prej tyre neve nuk na vjen asnjë e keqe.”

“Ky qenka një mendim me të vërtetë shumë i mirë!” – thanë ata të gjithë njëzëri.

“Atëherë filloni të mblidhni dhurata të mëdha, që t’ia japim Nexhashiut, kur të na nxjerrin përpara tij.”

Dhurata më e mirë që ne mund t’i çonim nga trevat tona ishte lëkura e punuar. Mblodhëm shumë lëkurë dhe u nisëm, derisa, më në fund, udhëtimit tonë i erdhi fundi dhe ne mbërritëm te Nexhashiu. Kur ishim përballë tij, përpara na doli Amr bin Umejetu Damriu, të cilin e kishin dërguar të interesohej për gjendjen e Ebu Xhaferit dhe shokëve të tij. Erdhi te Nexhashiu dhe pasi qëndroi i heshtur për pak çaste, doli. Unë u thashë shokëve të mi: “Ky është Amr bin Umejeja! Kur të dal përpara Nexhashiut, do t’i kërkoj që të ma japë mua dhe unë do ta marr e do ta vras. Po e bëra këtë, kurejshët do të më përgëzojnë, e do të më quajnë se kam vrarë lajmësin e Muhamedit.”

Dola përpara Nexhashiut dhe ashtu siç kisha bërë përherë, iu përula në sexhde. Nexhashiu më priti, duke më thënë:

“Mirë se erdhe, miku im! A më ke sjellë ndonjë dhuratë nga vendi juaj?”

“Po, o sundimtar! Të kam prurë shumë lëkurë të mira.“, – iu përgjigja unë dhe ia shtrova lëkurët përpara këmbëve. Dukej që i pëlqyen shumë dhe mbeti menjëherë shumë i kënaqur.

“O mbret! Pashë një burrë që ishte këtu pak më parë. Ai është lajmësi i armikut tonë. Ma jep mua ta vras; ai ka vrarë e ka dëmtuar shumë prej njerëzve më të nderuar në radhët tona.”

Nexhashiu u nxeh. Sikur të ishte çarë toka në mes e të isha futur në dhe më mirë, se sa të më pushtonte gjithë ajo frikë që ma pushtoi zemrën. Pastaj, për ta zbutur, i thashë: “O sundimtar, për Zotin, po ta dija se kjo kërkesë imja do të të mërziste kaq shumë, nuk do të ta kisha kërkuar!”

“Domethënë ti kërkon lejen time për të vrarë kasnecin e një njeriu, të cilit i ka ardhur Zbritësi i Shpalljes (Xhibrili), ai që dikur i pat ardhur edhe Musait?”

“Imzot, pse një njeri i atillë është ai?”, – e pyeta unë.

“Turp të kesh, o Amr! Më dëgjo mua dhe bindju atij njeriu. Uallahi ai është në të drejtë. Ai ka për të dalë fitimtar mbi armiqtë e tij, njësoj siç Musa bin Imrani doli fitimtar kundër faraonit dhe gjithë ushtrive të tij!”, -tha Nexhashiu.

“A e pranon ndërmjetësinë time, nëse unë e lidh besën me ty në emër të tij?”, – e pyeta unë.

“Po, e pranoj.”, – m’u përgjigj ai.

Zgjati dorën dhe unë pranova Islamin. Pastaj, kur u ktheva te shokët e mi, patjetër që kisha hequr dorë nga mendimi me të cilin kisha hyrë te Nexhashiu; megjithatë ua mbajta të fshehtë që isha bërë mysliman. Dhe, kësisoj, u largova nga Abisinia, për të shkuar tek i Dërguari i Allahut. Në rrugë takova Halid bin Uelidin. Ishte pak kohë para se të ndodhte ngadhënjimi i Mekës. Halidi po vinte nga Meka. I thashë:

“Për ku je nisur kështu, o Ebu Sulejman?”

“Uallahi, fitimtar doli ai (duke pasur parasysh Profetin tonë). Ai është vërtet profet i Zotit! Tani po shkoj për tek ai. Do të bëhem mysliman! Deri kur do të vazhdojë kështu kjo luftë?”

“Uallahi, edhe unë nuk kam ndonjë qëllim tjetër, pasi edhe unë kam ardhur të bëhem mysliman.”, – i thashë unë. –

Shkuam në Medinë, pranë Profetit të nderuar. I pari hyri Halidi dhe pranoi Islamin. Pastaj u afrova unë dhe i thashë:

“O Resulullah, unë do ta lidh besën me ty, vetëm nëse do të m’i falësh të gjitha gabimet e së shkuarës. Të mos i them që tani mëkatet që do të bëj në të ardhmen.”

I Dërguari i Allahut s.a.s, i cili e dëgjoi kërkesën time, tha:

“Eja, o Amr, bindu, sepse Islami i fshin të gjithë mëkatet e kryera para ardhjes së tij. Mërgimi i fshin edhe më shpejt të gjitha të këqijat e njeriut.”

Kështu, unë iu binda, pranova Islamin dhe u ktheva andej nga kisha ardhur.”[1]

[1] Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/198 (17812)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: