Obligimet kur zgjohemi në mëngjes
Çdo ditë kur njeriu zgjohet Allahu xh.sh e obligon me dhjetë gjëra:
E para është ta përmendë Allahun xh.sh kur të ngrihet, për shkak se i Lartësuari thotë: “Dhe kur të ngrihesh madhëroje me falënderim Zotin tënd.”[1] “O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje”[2]
E dyta është mbulimi i vendeve të turpshme. I Lartësuari thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”[3] Për të plotësuar në mënyrë minimale veshjen e bukur do të thotë të mbulosh pjesët e turpshme të trupit.
E treta është të plotësohet abdesi në kohën e namazit. I Lartësuari thotë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. Allahu nuk dëshiron (me obligim për abdes e larje) t’ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkateve), t’ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t’i falënderoheni”.[4]
E katërta është të falë namazet e veta në kohët e tyre. I Lartësuari thotë: “Pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.”[5] Do të thotë ky është një obligim i vërtetuar i cili e ka kohën e tij të saktë.
E pesta është të jetë i bindur në premtimin e Allahut xh.sh sa i përket furnizimit, sipas fjalëve të Lartësuarit: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha (këto) janë në librin e njohur (Levhi Mahfudhë).”[6]
E gjashta është të jetë i kënaqur me atë që i ka caktuar Allahu xh.sh, sipas fjalëve të Lartësuarit: “Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë; Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime. E mëshira (caktimi për pejgamber) e Zotit tënd është shumë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë.”[7]
E shtata është mbështetja në Allahun xh.sh, sepse Allahu xh.sh thotë: “Ti mbështetju Atij të përjetshmit që nuk vdes kurrë.”[8] “Dhe vetëm Allahut mbështetuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë.”[9]
E teta është sabri-durimi dhe qëndrueshmëria kur bëhet fjalë për urdhrin dhe caktimin e Allahut xh.sh. I Lartësuari thotë: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut.”[10]
E nënta është falënderimi për begatitë e Allahut xh.sh, sipas fjalëve të Allahut xh.sh: “Dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni!”[11] Begatia e parë është shëndeti trupor, kurse begatia më e madhe është feja Islame. Të mirat e Allahut xh.sh janë të shumta. Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër).”[12]
E dhjeta është të shfrytëzojë atë që është hallall. I Lartësuari thotë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë.”[13] Kjo nënkupton atë që është e lejuar.
[1] Tur, 48
[2] Ahzab, 41-42
[3] A’raf, 31
[4] Maide, 6
[5] Nisa, 103
[6] Hud, 6
[7] Zuhruf, 32
[8] Furkan, 58
[9] Maide, 23
[10] Ali Imran, 200
[11] Bekare, 172
[12] Ibrahim, 34
[13] Bekare, 172