VLERA E UMMETIT TË MUHAMMEDIT S.A.V.S.

Nga Mukatil bin Sulejmanit transmetohet se Musa a.s. ka thënë:

“O Zot, në Pllaka e shoh se do të ekzistojë një popull i cili do të ketë të drejtë të ndërmjetësojë dhe për të cilët do të ndërmjetësohet, prandaj bëj që të jenë umeti im!”

Allahu i tha: “Ai është umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin që do të luftojë kundër atyre që janë në humbje dhe i cili do ta vrasë Dexhalin e verbër, bëj që të jenë umeti im!”

Ai i tha: “Ai është umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin që pastrohet me ujë dhe pluhur, bëj që të jenë umeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit”.

Musa, a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin i cili e merr sadakanë dhe e shfrytëzon atë, e popujt e mëparshëm e kanë djegur sadakanë dhe zekatin e vet, bëj që të jenë umeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin për të cilin, nëse dikush ka për qëllim të bëjë vepër të mirë dhe nuk e bën, i shkruhet shpërblimi i veprës së mirë, e nëse e bën i shkruhet shpërblim prej dhjetëfish deri në shtatëqind, madje edhe më shumë. E nëse ka për qëllim të bëjë një vepër të keqe, e nuk e bën, nuk i shkruhet asgjë, e nëse e bën, atëherë i shkruhet sikur të ketë bërë një vepër të keqe, bëj që të jenë ummeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin prej të cilit shtatëdhjetë mijë njerëz do të hyjnë në Xhennet pa dhënë llogari, bëj që të jenë umeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit!’

Musa a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin i cili është umeti më i mirë që ka qenë në Tokë, kërkojnë të bëhet mirë e të keqen e ndalojnë, bëj që të jenë umeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. tha: “O Zot në Pllaka e shoh umetin i cili do të vijë i fundit, por që do të paraprijë në Ditën e Kijametit, bëj që të jenë umeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. tha: “O Zot, në Pllaka e shoh umetin Libri i të cilit do të jetë në gjokset e tyre, edhe pse e kanë lexuar duke e shikuar, bëj që të jenë umeti im!”

Zoti i tha: “Ata janë umeti i Muhamedit”.

Musa a.s. sikur shprehu dëshirë të jetë në umetin e Muhamedit s.a.s. Allahu i Madhëruar shpalli: “Ai (Allahu) tha: ‘O Musa, Unë të gradova ty mbi njerëzit me shpalljen Time dhe me të folurit tim. Merre atë që ta dhashë dhe bëhu mirënjohës” (A’raf, 144). “Edhe prej popullit të Musait qe një grup që udhëzoi drejt dhe iu përmbajt asaj (drejtësisë)” (A’raf, 159). E Musa a.s. me këtë mbeti i kënaqur.

 

Postime të ngashme