Nxënësi i vërtetë i dijes, Baki ibn Mahled

Islami e nxit në formën më të lartë kërkimin e diturisë, duke bërë një ndarje të qartë mes njerëzve që dinë dhe atyre që nuk dinë. Për të arritur deri te dituria, një ndër rrugët kryesore ka qenë marrja e saj nga njerëzit e ditur. Është tepër i njohur kapitulli “udhëtimi për të kërkuar diturinë” në librat e hadithit. Ndoshta jo gjithmonë mund ta gjejmë diturinë që duhet në vendin ku jetojmë, por ndonjëherë duhet të udhëtojmë nëpër vende që e kanë përvetësuar më mirë traditën e diturisë. Kështu, duhet të shkojmë pranë njerëzve të ditur për të përfituar nga dituria e tyre dhe për të marrë aq sa mundemi nga thesari i madh që ata zotërojnë.

Një kërkues i tillë i diturisë ishte edhe Baki ibn Mahledi, që në fakt ishte një dijetar në llojin e vet. Mesa duket, ai kishte grumbulluar pjesën më të madhe të shkencës së hadithit, në vendin ku ai ndodhej, dhe tani duhet të udhëtonte për të marrë mësim nga imami i madh, Ahmed bin Hanbeli. Atij i duhet të udhëtonte nga Andaluzia deri në Bagdat për të marrë hadithe nga imami i madh, por duhet theksuar se distanca e udhëtimit ishte mjaft e madhe dhe mundësitë e tij materiale pothuajse nuk ekzistonin.

Sidoqoftë, ai ishte i vendosur në synimin e tij. Do të shkonte medoemos te imami i madh i Bagdatit, kolosi i kohës së vet, për të mësuar pranë tij. Ky udhëtim i diturisë do t’i marrte Baki ibn Mahledit dy vite të plota të jetës, derisa ai do të mbërrinte në destinacion. Kur arriti në Bagdat, filloi të merrte pjesë nëpër kuvendet e diturisë, derisa të gjente atë që ai po kërkonte. Ai mori pjesë në kuvendin e imam Jahja ibn Mainit, një dijetar i rrallë i kohës, të cilit i kërkoi mendimin e tij rreth imam Ahmedit. Ai u skuq në fytyrë dhe duke u dridhur i tha: “Ç’mund të të them unë për të? Ai është imami i myslimanëve, prijësi i tyre në fushën e diturisë.”

Në fakt, pyetja e Baki ibn Mahledit ishte e qëllimshme, sepse asokohe imami ishte nën arrest shtëpie dhe nuk i lejohej t’i jepte dituri askujt. Kështu, kërkuesi i diturisë e vërtetoi edhe njëherë që faktet ishin në favor të imamit, por sundimtari i saj kohe ishte duke i bërë padrejtësi atij. Bakiu vendosë të shkojë ta takojë vetë Ahmed bin Hanbelin në shtëpinë e tij. Kur shkon atje i tregon se prej nga ku kishte ardhur. Imami njëherë mendon se mos kishte ardhur nga Afrika, por kur i përmend Andaluzinë, ai shprehet: “Paske ardhur vërtet nga një vend shumë i largët”.

Gjithsesi, rrethanat ishin të vështira dhe Imam Ahmedi i tregon Bakiut se atij nuk i lejohet të mësojë askënd dhe nëse do ta bënte atë, pasojat do të ishin shumë të rënda. Ajo që del në pah këtu është vendosmëria e Baki ibn Mahledit për të mësuar diturinë dhe dhënia e një ideja e cila do t’i pëlqente edhe imam Ahmedit. Baki ibn Mahledi i tha atij: “Unë do të vij çdo ditë te shtëpia jote i veshur si një lypës dhe do të kërkoj lëmoshë prej teje. Në kohën që do të më japësh një sadaka, do të më mësosh një, dy apo më shumë hadithe.” Imam Ahmedi e pranoi këtë propozim me kushtin e vetëm që nxënësi i tij s’do të merrte pjesë në asnjë kuvend të dijes, përndryshe do të zbulohej që ai ishte kërkues i diturisë.

Kështu, ata filluan të zbatonin planin e tyre dhe Bakiu mori një numër të konsiderueshëm hadithesh nga dituria e madhe e Imam Ahmedit. Ai vazhdoi të shkonte çdo ditë në derën e shtëpisë së tij me rrobat e një lypësi dhe kështu mësonte edhe hadithin. Pas ca kohësh u shpall amnistia për Imam Ahmedin dhe ai mund t’u mësonte njerëzve lirshëm diturinë. Kur doli në mexhlis, e thirri Baki ibn Mahledin pranë vetes dhe u tregoi të pranishmëve ngjarjen e tij. Në fund u tha: “Nëse kërkoni të shihni një kërkues të vërtetë të diturisë, atëherë ja ku e keni Baki ibn Mahledin.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: