Njeriu është me atë që do!
Profeti s.a.s ka thënë: “Njeriu është me atë që do.” [1] Ndëra të vjetrit thoshin: “Ka një rrugë nga zemra në zemër”. Kjo rrugë është përmes kanalit të dashurisë, i cili siguron rrjedhën e gjendjes nga zemra në zemër. Në këtë aspekt, ata që i duan të këqijtë trajtohen me gjendjen e tyre, dhe ata që i duan robërit e dashur të Allahut trajtohen me gjendjen e atyre robërve të dashur. Për ta kuptuar këtë, është e nevojshme të shikohet me kujdes historia e sahabëve të El-Kehfit. Qeni i tyre, Kitmir, u lartësua vetëm falë bashkimit të tij me ata shërbëtorë të drejtë dhe u bë një qenie që do të hyjë në Xhenet. Meqenëse të qenit me robërit e drejtë të Allahut mund ta bëjë edhe një qen të fitojë Xhenetin, është e nevojshme të mendohet se çfarë përfitimi të madh mund të nxjerrin njerëzit nga një bashkim i tillë.
Sadi Shirazi citon si shembull historinë e Eshab-i Kehfit në kapitullin Kehf dhe thotë: “Një qen vetëm se ruajti të drejtit dhe qe besnik ndaj tyre, u përmend në Kuran. Ndërsa sa i përket grave të Hz. Nuh dhe Hz. Lut, edhe pse ishin pranë të dërguarve të Allahut, ato ranë në mosbesim dhe u bënë udhëtare në Xhehenem.”
Kur merret parasysh kjo e vërtetë, bëhet e qartë domosdoshmëria dhe rëndësia e të jetuarit së bashku me robërit e drejtë të Allahut dhe të jetuarit në rrethin e tyre. Megjithatë, në këtë rast, përfitimi bëhet në përpjesëtim me dashurinë e ndjerë për tjetrin.
Dhirr Ibni Hubejsh, tregon:
Shkova tek Safuan Ibni Assal r.a, për ta pyetur se si duhet bërë mes’hi mbi meste . Ai më tha:
– “Dhirr! Pse ke ardhur?”
– “Për të marrë dije.” –i thash unë. Më pas tha:
– “Melekët i duan ata që mësojnë dije dhe i shtrijnë krahët e tyre mbi ta.” Ndërsa unë thash:
– “Do të doja të dija se si merret mes’hi mbi meste pas nevojës së madhe dhe të vogël. Për shkak se edhe ti je prej sahabëve të Profetit s.a.s, unë erdha tek ti për të pyetur, a ke dëgjuar që ai të ketë thënë diçka në lidhje me këtë temë.” Safuani r.a, tha:
– “Po, kam dëgjuar. I Dërguari i Allahut a.s, urdhëronte që gjatë udhëtimit të mos i hiqnim mestet nga këmba për tre ditë e tre net. Madje të bënim mes’h mbi meste edhe pas nevojës së madhe dhe të vogël. Mirëpo, ai na urdhëronte t’i hiqnim ato në rast se ishim xhunub.” Pastaj e pyeta përsëri:
– “Po në lidhje me dashurinë, ke dëgjuar të thotë ndonjë gjë?”
– “Po, kam dëgjuar! Njëherë kishim dalë për udhë bashkë me Profetin a.s, kur një beduin me zërin e tij të vrazhdë bërtiti:
– “Muhamed!” Ndërsa Profeti ynë a.s, me një zë të pothuajse të njëjtë me të tijin, i tha:
– “Eja!” Unë u ktheva nga beduini dhe i thashë:
– “Turp të kesh! Ule zërin, sepse këtu je përpara të Dërguarit të Allahut! Allahu e ka ndaluar të bërtasësh me zë të lartë.”. Beduini tha:
– “Për Zotin nuk e ul zërin!” Më pas u drejtua nga i Dërguari i Allahut a.s dhe e pyeti:
– “Çfarë mendon për një njeri që e do dikë, por nuk ka aq të mira sa mund të qëndrojë bashkë me të?” I Dërguari i Allahut a.s, tha:
“Ditën e Kiametit, njeriu do të jetë me ata që i do!”[2]
[1] Buhariu, Edeb, 96
[2] Tirmidhi, Taharet 71; Nesai, Taharet 97, 113; Ibni Maxhe, Fiten 32