Një dobi e agjërimit në jetën shoqërore…
Një prej urtësive më të mëdha të agjërimit është se ai i bën njerëzit që vijnë nga shtresa të ndryshme të kuptojnë stilin e jetesës të gjithsecilit. Njerëzit jetojnë në kushte të ndryshme. Disa prej tyre janë të pasur, ndërsa disa të tjerë jetojnë në varfëri. Si shkak i këtij dallimi, Allahu i Lartësuar i fton të pasurit që t’i mbështesin të varfrit nëpërmjet zekatit dhe sadakasë.
Në fakt, në kushte normale të pasurit s’mund ta kuptojnë dot dhimbjen e urisë që të varfrit përjetojnë shpesh. Ata mund ta ndiejnë këtë vetëm në sajë të agjërimit. Po të mos ishte agjërimi, ndoshta do të kishim shumë njerëz të pasur që nuk do ta dinin asnjëherë se ç’është dhimbja e urisë dhe se sa nevojë kanë të varfrit për dhembshuri.
Dhembshuria për qenien njerëzore është esenciale për sa i përket falënderimit të vërtetë. Çdokush mund të gjejë dikë që është më i varfër se vetja dhe në këtë situatë ai nxitet të tregohet i dhembshur karshi atij njeriu. Nëse s’ka mundësi ta ndihmojë dikë në aspektin material, të paktën t’i thotë atij njeriu fjalë të mira, në mënyrë që t’ia lehtësojë sadopak situatën.