NIJETI I HAXHIT
Nijeti i Haxhit dhe veshja e ihramit bëhet në mikat. Në dallim nga Umreja, Haxhi mund të bëhet në tri mënyra, sepse Profeti a.s. në Haxhin e tij kishte bërë nijet Haxhin ifrad, kurse shokët e tij i kishte urdhëruar për Haxh temet-tu dhe kiran. Nga kjo nënkuptohet se llojet e Haxhit janë:
1. Haxhi ifrad,
2. Haxhi kiran,
3. Haxhi temet-tu.
- Haxhi Ifrad
Haxhi ifrad është ai kur personi ka bërë nijet vetëm për Haxhin, pra pa Umre. Personi, i cili ka vendosur për Haxh, është mirë që t’i presë thonjtë, t’i shkurtojë mustaqet, pastaj të marrë abdes ose të pastrohet tërësisht dhe duhet të veshë ihramin, i cili përbëhet prej dy pjesëve (Izar-it dhe Rida-së).
“Izar” quhet pjesa e poshtme e ihramit.
“Rida” quhet pjesa e sipërme e ihramit.
Është mustehab për mashkullin të parfumoset para se ta veshë ihramin, por dhe atë vetëm nëse ka mundësi. Është më mirë që ihrami të jetë i ri dhe i bardhë, por mund të vishet edhe ihrami, i cili është i mbajtur, por të jetë i pastër, e po ashtu mund të jetë edhe me ngjyrë tjetër. Personi i cili hyn në ihram, mashkull qoftë apo femër, duhet t’i falë dy rekate synet të ihramit. Është e preferuar (mendub) që në rekatin e parë të këndohet: “Fatiha” dhe kapina “El Kafirun”, kurse në të dytin “Fatiha” dhe kaptina “Ihlas”. Pasi të japë selam, bën nijetin e Haxhit, i cili bëhet me zemër, por është mirë edhe të shqiptohet me fjalë, sepse ekziston mundësia që nijeti të bëhet edhe në gjuhën amtare, duke thënë:
اَللَّهُمَّ إِنىِّ أُرِيدُ الحَجَّ فَيَسِّرْهُ لِى وَ تَقَبَّلْهُ مِنِّي
“O Zot! Unë dëshiroj ta bëj Haxhin, andaj lehtësoma atë mua dhe pranoje nga unë.”
Ose:
اَللَّهُمَّ إِنىِّ نَوَيْتُ الحَجَّ وَ اَحْرَمْتُ لِلَّهِ
“O Zot! Unë vendosa ta bëj Haxhin dhe e kam veshur ihramin për Allahun.” Pastaj duhet të thotë “telbijen”:
لَبَّيْكَ اَللَّهُمَّ لَبَّيْكَ لَبَّيْكَ لَا شَرِيكَ لَكَ لَبَّيْكَ اِنَّ الحَمْدَ وَ نِعْمَةَ لَكَ وَ الْمُلْكُ لاَ شَرِيكَ لَكَ
“Leb-bejke Allahum-me leb-bejke, leb-bejke la sherike leke leb-bejke in-nel hamde ven-ni’mete leke vel mulku la sherike leke.”
“Të përgjigjem o Zot, të përgjigjem. Ti je i pashoq, të përgjigjem. Vërtet falënderimi (hamdi), begatitë dhe sundimi të takojnë Ty, Ti je i pashoq.”
“Telbija” është synet që duhet të thuhet tri herë radhazi. Pas veshjes së ihramit dhe thënies së telbijes, haxhiu konsiderohet murim dhe duhet të ruhet nga veprat e ndaluara brenda ihramit, që i theksuam më parë.
Në Mekë është e lejuar të hyhet në çfarëdo kohe, qoftë ditën, qoftë natën, mirëpo, kur të shihet Meka, është mustehab të thuhet:
اَللَّهُمَّ هَذَا حَرَمُكَ وَ أَمْنُكَ فَحَرِّمْ لَحْمِى وَ دَمِى وَ شَعْرِى وَ بَشَرِى عَلَى النَّارِ وَ آمِنِّى مِنْ عَذَابِكَ يَوْمَ تَبْعَثُ عِبَادَكَ وَ اجْعَلْنِى مِنْ أَوْلِيَائِكَ وَ أَهْلِ طَاعَتِكَ
“Allahum-me hadha haremuke ve emnuke fe harr-rrim lahmii ve demii ve sha’rii ala en-nari ve amin-nii min adhabike jevme teb’athu ibadeke vexh’alnii min evlijaike ve ehli taatike.”
“O Zoti im, vërtet ky është Haremi dhe sigurimi Yt, ndaloje mishin tim, gjakun tim, flokët e mia, lëkurën time nga zjarri i Xhehenemit, më garanto mua nga ndëshkimi Yt ditën kur i zgjon robt e Tu, më bëj mua nga të dashurit e Tu dhe nga ata që të nënshtrohen Ty.”
Pasi haxhiu të jetë strehuar në vendin e duhur dhe t’i ketë vendosur paisjet e tij, ai drejtohet për në Qabe, ku është mirë të hyjë nga dera e quajtur Babu Selam dhe kur ta shohë Qabenë duhet të thotë tri herë:
الله أكبر لا إله إلا الله و الله أكبر .
“Allahu ekber La ilahe il-lAllahu vAllahu ekber.”
“Allahu është më i Madhi, nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Allahu është më i Madhi.”
Pastaj, fillon të bëjë tauaful kudum. Tavafin duhet patjetër ta fillojë nga Guri i Zi (Haxherul-esued). Është synet që shpatullën dhe krahun e djathtë t’i zbulojë duke e sjellë cepin e ihramit nën sqetull, kurseskajin tjetër të tij ta hedhë mbi shpatullën e majtë.
Pas rrotullimit shtatë herë në tavaf, është synet për haxhiun ta përfundojë tavafin duke e prekur Gurin e Zi, nëse ka mundësi. Nëse nuk ka mundësi për ta prekur Gurin e Zi, atëherë kthehet kah ai dhe me dorë të ngritur dhe me shuplaka të drejtuara nga Guri i Zi e përshëndet, duke e kënduar tekbirin dhe tehlilin.
Pasi të lirohet nga këto punë, është synet që haxhiu t’i falë dy rekate namaz të tavafit pas Mekami Ibrahimit[1]. Është mendub (e pëlqyer) që në rekatin e parë, pas “Fatihasë” të lexohet kaptina “El Kafirun”, kurse në rekatin e dytë, pas “Fatihasë”, të lexohet kaptina “El-Ihlas”. Pasi haxhiu të ketë bërë tauaful kudum dhe të ketë falur dy rekate namaz te Mekami Ibrahim, nëse ekziston mundësia, e nëse jo atëherë i fal në xhami, kudo që të mundet, pushon pak dhe pi ujë Zemzemi për t’u freskuar.
Pastaj haxhiu duhet ta bëjë Sa’jin, i cili fillon prej Safasë deri në Merue, distancë e cila duhet përshkruar 7 herë. Largësia mes Safasë dhe Meruesë, është 394.5 m. Sa’ji i nisur në Safa përmbyllet në Merue, pas 7 përshkimeve. Me përfundimin e Sa’jit, haxhiu vijon të qëndrojë në Mekë i veshur me ihram, por mund të bëjë tavaf nafile sa herë që të mundet.
Ditën e tetë të muajit Dhul-hixhe, e cila njihet edhe si “jeumu teruije”, pas faljes së namazit të sabahut, haxhiu duhet të dalë nga Meka dhe të drejtohet për në Mina, ku do të qëndrojë deri në ditën e nëntë të muajit Dhul-hixhe, respektivisht në Ditën e Arafatit, ndërsa pas faljes së namazit të sabahut, niset për në Arafat. Nëse haxhiu ka mbetur në Mekë deri në mëngjesin e ditës së nëntë (Ditës së Arafatit), po të njëjtën ditë del për në Arafat, sepse i lejohet një gjë e tillë. Nëse haxhiu del në Arafat ditën e shtatë, pra një ditë përpara, një gjë e tillë nuk lejohet. Në namazin e sabahut, Ditën e Arafatit, fillojnë tekbiret e Kurban Bajramit, që vazhdojnë deri në ditën e katërt. Forma e tekbirit është:
الله أكبر الله أكبر الله أكبر لا إله إلا الله و الله أكبر الله أكبر و لله الحمد
Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lAllahu vAllahu ekber, Allahu Ekberu ve lil-lahil hamdu.
“Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi, nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Allahu është më i Madhi, Allahut i takon falënderimi (hamdi).”
Gjatë qëndrimit në Arafat, haxhiu e fal namazin e drekës dhe të ikindisë në kohën e namazit të drekës (Xhem’ut takdim), me një ezan dhe dy ikamete.
Sipas Ebu Hanifes, bashkimi i dy namazeve (xhem’ut takdimi) i drekës dhe i ikindisë, kushtëzon që imam të jetë udhëheqësi i Haxhit ose zëvendësi i tij. Nëse ato falen veç e veç, duhet të falen kur e kanë kohën. Vlen të theksohet se, sipas të gjithë dijetarëve myslimanë, në Arafat nuk falet namazi i xhumasë.
Pas perëndimit të diellit, kur konsiderohet se haxhilerët përveçse kanë qëndruar në Arafat ditën kanë kaluar edhe një pjesë të natës, drejtohen për në Muzdelife[2]. Atje haxhilerët duhet të falin namazin e akshamit dhe të jacisë në kohën e namazit të jacisë (xhemu tehir), me një ezan dhe dy ikamete. Ata të cilët e kanë falur namazin e akshamit në Arafat ose gjatë rrugës, detyrohen ta falin para se të zbardhë dita. Gjatë qëndrimit në Muzdelife, ku do të kalojnë natën, haxhilerët duhet të mbledhin guralecët, sepse mbledhja e guralecëve në Muzdelife është mustehab (e pëlqyeshme). Haxhiu, i cili ka vendosur të qëndrojë në Mina katër ditë, duhet të grumbullojë 70 guralecë, kurse ai që nuk ka vendosur të qëndrojë në Mina tri ditë, duhet të grumbullojë 49 guralecë.
Pas faljes së namazit të sabahut në Muzdelife, por para se të lindë dielli, haxhilerët nisen për në Mina[3]. Gjatë rrugës duhet të këndojnë Telbijen dhe Tekbirin, derisa të arrijnë te Xhemretul Akabe, ku gjuajnë me 7 gurë, në mes lindjes së diellit dhe zenitit, porse duhet ta ndërpresin telbijen me të filluarit e gjuajtjes së guralecit të parë.
Meqë haxhiu me nijet të Haxhit ifrad nuk është i detyruar të therë kurban, pas gjuajtjes së guralecëve, ditën e parë të Bajramit, menjëherë qethet ose bën rruarjen e flokëve, që është vaxhib. Pasi të rruajë kokën ose të qethet, haxhiu çlirohet nga detyrimet, përveç marrëdhënieve seksuale. Pastaj shkohet për në Mekë, që të bëhet tavafi ifada, i cili konsiderohet kushti i dytë i Haxhit. Pasi të bëjë tavafin ifada (ndryshe quhet edhe tauafuz-zijare), atëherë haxhiut i lejohet të ketë marrëdhënie me gruan e tij.
Koha e tavafit ifada është prej ditës së parë të Bajramit dhe zgjat deri në ditën e tretë para perëndimit të diellit, por, sipas mundësisë, më mirë është të bëhet ditën e parë.
Haxhiu, pasi t’i hedhë guralecët, i drejtohet Mekës, ku qëndron sa të dëshirojë, bën tavafe sa herë t’i jepet rasti. Mirëpo, kur vendos të kthehet për në vendin e tij, duhet të bëjë tavafin ueda, pa nxitim si dhe sa’jin. Ky tavaf është vaxhib. Me rastin e largimit nga Qabeja, duhet të largohet nga ajo me lot në sy, pa i larguar sytë nga pamja e Qabesë, duke mos harruar se duhet të bëjë ndarjen duke kaluar përmes “Derës së Lamtumirës” (Babul Uedai).
- Haxhi kiran
Haxhi kiran është nijeti për kryerjen e Haxhit, në të cilin bashkohen nijeti për Umre dhe për Haxh, në një udhëtim.
Kur haxhiu dëshiron të bëjë nijet për Haxhin kiran, vepron ashtu siç veprohet me Haxhin ifrad. Pasi të falë namazin, bën nijetin e Haxhit kiran, duke thënë:
اَللَّهُمَّ إِنِّي أُرِيدُ العُمْرَةَ وَ الْحَجَّ فَيَسِّرْهُمَا لِي وَ تَقَبَّلْهُمَا مِنِّي نَوَيْتُ الْعُمْرَةَ وَ الْحَجَّ مَعاً وَ اَحْرَمْتُ بِهِماَ لِلَّهِ تَعاَلَى
“O Zoti im, unë dëshiroj të bëjë Umren dhe Haxhin, andaj m’i lehtëso ato mua dhe pranoji ato nga unë; vendosa të bëj Umren dhe Haxhin bashkërisht për hir të Allahut. – Leb-bejke Allahum-me leb-bejke…”
Pas shqiptimit të këtij nijeti, gjithçka që është përmendur për Haxhin ifrad, është e kërkuar edhe për Haxhin kiran.
Haxhiu, me nijet të Haxhit kiran, kur të hyjë në Mekë, fillon me tavafin e Umres. Pas kryerjes së tavafit, fal dy rekate namaz, përshëndet Gurin e Zi, e pastaj del në Safa nga ku fillon të bëjë Sa’jin, sipas rregullave. Pasi të përfundojë me adhurimet e Umres, bën tavafin kudum për Haxh. Pas këtij tavafi, para vetes ka dy alternativa: të bëjë Sa’jin menjëherë, nëse dëshiron ose ta zgjasë atë pas tavafit zijaret, ndonëse qasja e parë është më e pëlqyeshme.
Pastaj vijohet me të njëjtat veprime si për Haxhin ifrad deri Ditën e Bajramit, pas gjuajtjes së guralecëve në Mina. Pas gjuajtjes së guralecëve Ditën e Bajramit, ka për detyrim të therë kurbanin për Haxhin kiran, kurban ky i cili pranohet si kurban falënderimi. Nëse adhuruesi i Allahut nuk ka mundësi të therë kurban, duhet që para Ditës së Arafatit të agjërojë tri ditë dhe shtatë të tjera pas ditëve të Bajramit, kudo që të jetë, qoftë edhe po të ketë mbërritur në vendlindjen e vet. Këto ditë agjërimi nuk është detyrim që të agjërohen të bashkëngjitura.
Nëse nuk ka agjëruar tri ditët para Arafatit, atëherë patjetër të përcaktohet therja e kurbanit, i cili duhet të theret në Harem. Nëse nuk ka mundësi të therë kurban dhe ka dalë nga ihrami, detyrohet për prerjen e dy kurbaneve, njërin për Haxhin kiran, e tjetrin për zhveshjen e ihramit para kohe, gjegjësisht para therjes së kurbanit.
Nëse haxhiu me nijet kiran ka dalë në Arafat para se të bëjë tavafin e Umres, atëherë i prishet nijeti i Haxhit kiran dhe shkarkohet nga detyrimi i kurbanit për nijetin kiran, por detyrohet për kurbanin për mohim. Dallimi mes këtyre dy kurbaneve qëndron në faktin se në llojin e dytë nuk lejohet që të hajë nga mishi i tij, sepse është kurban dënimi e jo falënderimi, sikurse është i pari. Pas kësaj, ai do ta bëjë kaza Umren, sepse ka filluar me të më parë.
- Haxhi temettu’
Haxhi temettu’ kryhet kur haxhiu pasi e vesh ihramin me nijet të kryerjes së Umres dhe Haxhit me një udhëtim gjatë muajve të Haxhit. Ai bën tavafin dhe Sa’jin e Umres, pas kryerjes së tavafit dhe Sa’jit të Umres, qethet, rruhet dhe jeton në Mekë me rroba normale, duke zotëruar të gjitha të drejtat e besimtarit jashtë ihramit. Pastaj për Haxh e vesh ihramin nga vendbanimi ku qëndron për kryerjen e Haxhit, pa dalë në mikat, por është e mendub (e pëlqyeshme) që ihrami të vishet nga xhamia.
Kur të veshë ihramin për Umre nga mikati, pasi të pastrohet apo të marrë abdes, ashtu siç u theksua te nijeti ifrad, fal dy rekate namaz nafile për ihram dhe thotë:
اَللَّهُمَّ إِنِّي أُرِيدُ الْعُمْرَةَ فَيَسِّرْهَا لِي وَ تَقَبَّلْهَا مِنِّي اَحْرَمْتُ بِهَا لِلَهِ تَعَالَى.
“O Zoti im, unë dëshiroj ta bëjë Umren, andaj lehtësoma dhe pranoma atë. E vesha ihramin për Umre për hir të Allahut xh.sh.”, dhe pastaj këndon telbijen.
Kur vjen në Mekë, e bën tavafin për Umre, përshëndet Gurin e Zi dhe del për kryerjen e Sa’jit mes Safasë dhe Meruesë. Pasi kryen edhe Sa’jin, atëherë qethet, rruhet, zhvesh ihramin, vishet me rroba normale dhe qëndron në Mekë, sikur të gjithë banorët e Mekës. Pasi të veshë ihramin për Haxh, bën tavafin kudum, e pastaj, nëse dëshiron, e bën Sa’jin e Haxhit, të cilin nëse dëshiron mund ta bëjë pas tavafuz-zijareti, dhe kjo është më e vlefshme. Pastaj veprimet e tjera i bën ngjashëm si ato të Haxhit ifrad. Ditën e Bajramit, pasi t’i gjuajë guralecët, detyrohet me prerjen e kurbanit për Haxhin temet-tu, sikurse për Haxhin kiran.
[1]. Mekami Ibrahim ngrihet përmbi gurin mbi të cilin qëndronte Ibrahimi a.s. gjatë ndërtimit të Qabesë së bekuar. Mrekullia e këtij guri dëshmon se ai përdorej për skelë, që nënkupton se aq sa Ibrahimi a.s. ngrinte murin e Qabesë, po aq ngrihej edhe guri. Ky është nga gurët e Xhenetit, për të cilin Profeti i fundit a.s. ka thënë: “Rukni (Guri i Zi) dhe Mekami janë dy gurë të çmueshëm nga Xheneti; sikur të mos i kishin nxirë gjynahet e njerëzve, ata do të kishin ndriçuar – rrezatuar nga Lindja deri në Perëndim.” Guri i Mekami Ibrahimit është i lartë 20 cm, thellësia e njërës këmbë 10 cm, kurse e tjetrës 9 cm. Gjatësia e gjurmëve të dy këmbëve është 22 cm dhe gjerësia 11 cm. Distanca mes kafazit të Mekami Ibrahimit dhe Gurit të Zi është 14,5 m, ndërsa mes Mekami Ibrahim dhe Ruknu Shami 14 m.
[2]. Muzdelifeja gjendet mes Arafatit dhe Minasë. Ajo ka një sipërfaqe prej 12.25 km2.
[3]. Mina është mes Mekës dhe Muzdelifesë, brenda kufirit të Haremit, 7 km në verilindje të Xhamisë së Haremit – Qabesë, ose 4 km nëse kalohet përmes tunelit që lidh Qabenë me Minanë.