Ngjarjet e mëdha do të kujtohen gjithmonë…

Le të na bëhet buza shkrumb nga vapa e korrikut, le të na prishet gjumi i natës. Ne jemi vetmitarët që presim në portën e shpëtimit dhe do të qëndrojmë aty deri në fund dhe kurrë nuk do t’i heqim sytë nga pragu i asaj porte!

Ngjarjet e mëdha gjithmonë do të mbahen mend, edhe ajo sakrifica e heshtur që ti ke bërë pa e ditur njeri; edhe ajo ditë kur ti, ashtu varfërisht silleshe nëpër tokë, me mundin e lodhjes mbi shpatulla, ku nuk pate mundësi të bësh gjë tjetër veç t’i përuleshe Krijuesit tënd. Ajo do të regjistrohet në fletët e përjetësisë si ngjarja më e bujshme, si rrëzimi i perandorisë së keqe, si fitimi i lirisë pas burgimit të përjetshëm, si fluturimi mbi qiej i zogut që la pas kafazin.

Do të kujtohen ato ditët e nxehta kur ti refuzove të pish ujin, refuzove freskinë, ditët e gjata kur refuzove të ushqeheshe si përgjigje ndaj urdhrit të të Madhërishmit. Do të mbahen mend, e shpërblimi për to është aq i madh sa nuk mund ta vlerësosh dot me njësitë matëse të kësaj bote. Do të shkruhet në librin qiellor edhe ajo dita kur ti, ashtu pa e menduar gjatë, i zgjate një simite jetimit, ajo buzëqeshje që i fale të vetmuarit, kur e vizitove krejt papritur. Do të mbahet mend gjatë, shikimi falënderues i asaj të moshuare që ndihmove për të kaluar rrugën, mirënjohja e atij gjyshi që ia lehtësove shpatullat nga pesha e rëndë, që bashkë me peshën e viteve bëheshin të papërballueshme. Sigurisht që nuk do të harrohen mbrëmjet e iftarit, ku përfundimi i sakrificës sjell gjallëri, për t’i kthyer ato net në ditë, deri në syfyre, aty ku sakrifica dhe përkushtimi për më sublimen rinis.

Do të mbahen mend të gjitha, edhe ato që ti i ke harruar tashmë, ndaj kujdesu ta shkruash ashtu siç duhet librin e jetës.

Me vetëdije të plotë dhe me dëshirë të zjarrtë njeriu i bindet plotësisht urdhrit, rregullit, të natyrshmes, sepse rregullat për t’u zbatuar janë vendosur.

E teksa ditët ndjekin njëra-tjetrën e netët gjallërohen, madje konkurrojnë edhe ditët, besimtari, si një shërbëtor i përvuajtur, madhëron Zotin e tij, sepse madhërimi dhe përulja, për Të janë bërë. Bie në sexhden e shpirtit e zemra i loton për dashurinë sublime që ka gjetur.

Ngrihet përtej qiejve nën ritmin dhe melodinë e Fjalës Hyjnore dhe sërish përkulet me modesti ashtu si i ka hije.

Të gjithë të barabartë, të paktën për një muaj. Pasaniku teksa provon etjen zhuritëse dhe urinë, bëhet njësh me skamnorin, që nuk kërkon gjë tjetër përveç kafshatës së mbijetesës.

Eh ç’madhështi! Cili ligj a rregull tjetër mund të vendosë një barazi të tillë? Cili perandor a sulltan mund të përulë miliarda njerëz në një çast, duke i kërkuar mëshirë Atij, përveç Sulltanit të zemrave tona?! Askush tjetër, sepse bindja nuk imponohet, ajo kalon fillimisht nga zemra, pastaj gjymtyrët i binden lehtësisht.

A ka ligj të kësaj toke që rreshton të pasurin e të varfrin krah për krah, të ulur në një tryezë, që të panjohurit të sillen sikur kanë një jetë të tërë që njihen, që i bardhi e i ziu të mos kenë asnjë dallim? Jo, sigurisht që jo, përveçse Islamit, sistemit universal të jetës.

Do të ndihesh pjesë e miliona njerëzve që kanë zgjedhur të sakrifikojnë, ku sigurisht pas çdo sakrifice vjen shpërblimi. Do të ndihesh pjesë e këtij komuniteti të madh dhe do të ndjesh tërë forcën të përqendruar në dorën tënde.

Në rrugën e Agjërimit…

“Erdha te ju dhe më pritët ashtu siç e pret populli vizituesin fisnik, me mikpritje të mirë dhe dashamirësi të sinqertë, kurse disa të tjerë u tallën me mua dhe më pranuan ashtu si i pranojnë muajt e tjerë të vitit. Unë erdha t’ju mësoj si të hyni në jetë me armët e fitores.”

Ramazani i kish kapluar zemrat dhe kishte çrrënjosur urrejtjen, i kishte bashkuar duart dhe eliminuar koprracinë, pasuria bartej nga një xhep në tjetrin, prej një shtëpie në tjetrën. Netët ishin kthyer në burim mirësie, ku mëshira hyjnore prekte tokën, duke lindur një dritë shprese në horizontin e errët të mëkateve tona, ndërsa ditëve shpërthyen ujëvarat në të cilat pastroheshin shpirtrat, zemrat afroheshin me Krijuesin e tyre, dyert e parajsës ishin hapur e ajo kish marrë urdhrin: Përgatitu e zbukurohu për robërit e Mi!

Këto ishin ato që pashë kur kalova asaj rruge si mexhnun i dashuruar pas etjes.

Rruga e vërtetë e jetës së lumtur e fisnike është harmonizimi i materies me shpirtin, çka përforcon njeriun dhe jetën e tij. Kështu, ngjitet në qiejt e lartë, duke mos u frikuar nga tatëpjeta.

Historia jonë e vjetër dhe ajo bashkëkohore, ka shënuar fitore të mëdha në bazë të këtij koncepti preciz të filozofisë së Ramazanit dhe të modelimit të plotë me edukatën e agjërimit, gjegjësisht në këtë mënyrë i kemi dhuruar botës njerëzore heronj dhe kreshnikë të reformave, çlirimeve, urtësive, shkencës, etj.

A thua vallë do të qëndronin në atë betejë të madhe, qoftë edhe disa ditë sikur të ishin formuar me shpirtrat e atyre që tallen me këtë sakrificë, apo me shpirtrat e atyre që janë të destinuar të jetojnë duke kënaqur egon e epshet, që s’mund të përballojnë urinë dhe etjen disaorëshe?

Çdokush që e kupton urtësinë dhe filozofinë e agjërimit, lufton për hir të së vërtetës me bindje të plotë, ngadhënjen dhe përfiton himnin më fisnik të urisë, refuzon nënshtrimin e robërinë dhe lëviz i lirë nëpër tokë.

Ai që dorëzohet në luftën me epshin e vet, e humb karakteristikën kryesore të moralit të luftrave, humb burrërinë. Ndërsa ai që jeton në strehën e burrërisë, del ngadhënjimtar ose bie dëshmor. Këta të fundit janë ata njerëz, që gjatë ditës së Ramazanit, gjejnë epopenë e trimave mbuluar me pluhurin e luftrave, kurse gjatë mbrëmjeve, netëve të syfyrit dhe mëngjeseve, ndiejnë kënaqësinë e fundit të betejës.

Kjo është një rrugë që kushdo që do ta ndërmarrë nuk ka për të humbur!

Fjalët e shpirtit!

Një ditë do ta braktisësh këtë vend, do të ikësh atje përtej, do të ikësh pa marrë asgjë, asnjë përfitim personal. Nuk do të dashurosh asgjë të kësaj bote, veç atyre me të cilat do të mund të fitosh kënaqësinë e Madhërisë. Do t’i luftosh ndjenjat për përfitime materiale, që të mos mbetesh në këtë botë. Unë jam krijuar për përjetësinë dhe ajo nuk mund të fitohet aq lehtë.

Shoh se si mëkatet na i zënë rrugët e shpëtimit dhe ne ndjejmë se si zemra na plagoset për çdo çast. Do të rrish mes njerëzish e do të shtypesh herë pas here nën zinxhirët e shoqërisë, por megjithatë ti do të vazhdosh. Kur njëra rrugë të të bllokohet, ti do të kërkosh dhe do të gjesh një tjetër, medoemos te burimi do të duhet të shkosh, përndryshe do të digjesh.

Lutu sepse lutja është shprehje e një adhurimi të kulluar, e frymës së nënshtrimit të robit ndaj Zotit, është ushqim për shpirtin.

Le të lutemi me një dëshirë të zjarrtë që vjen nga thellësitë e zemrës, pa ndjerë dhe shfaqur lëkundje aq sa grimca.

Le të lutemi me përgjërim, të përulur e të përlotur, krejt si të ndodheshim në mes të detit, pasi të jetë mbytur anija, kapur vetëm pas një cope dërrase, duke e ditur se s’kemi shpëtim, përveç ndihmës së Zotit.

Le të na bëhet buza shkrumb nga vapa e korrikut, le të na prishet gjumi i natës.

Ne jemi vetmitarët që presim në portën e shpëtimit dhe do të qëndrojmë aty deri në fund dhe kurrë nuk do t’i heqim sytë nga pragu i asaj porte!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: