Nëse shqetësohesh për Të, Ai t’i largon të gjitha shqetësimet

Kur një person e kalon tërë ditën e tij pa ndonjë shqetësim tjetër përveç Allahut, Ai do të kujdeset për të gjitha nevojat e tij dhe do të kujdeset për gjithçka që e shqetëson. Ai do ta zbrazë zemrën e tij në mënyrë që ajo të mbushet vetëm me dashuri për Të, ta lirojë gjuhën e tij në mënyrë që të flasë vetëm në përkujtim të Tij [dhikrit] dhe të bëjë që të gjitha aftësitë e tij të punojnë vetëm në bindje ndaj Tij.

Por kur një person e kalon tërë ditën e tij pa ndonjë shqetësim tjetër përveç kësaj bote, Allahu do ta bëjë atë të durojë ankthin, dhimbjen dhe shqetësimin e saj. Ai do ta lërë atë t’i zgjidhë vetë gjërat dhe të bëjë që zemra e tij të shpërqendrohet nga dashuria e Allahut si shkak i dashurisë së disa qenieve të krijuara. Ai do të bëjë që gjuha e tij të flasë vetëm në përkujtimin e njerëzve në vend që të kujtojë Allahun. Ai do ta bëjë atë të përdorë talentet dhe energjinë e tij në bindjen dhe shërbimin ndaj njerëzve. Ky person do të përpiqet shumë, duke punuar si një kafshë pune, për t’i shërbyer diçkaje tjetër përveç Allahut.

Të gjithë ata që largohen nga të qenit një rob i vërtetë i Allahut duke iu bindur dhe dashur Atë, do të ngarkohen me robëri ndaj disa qenieve të krijuara. Allahu thotë në Kuran:

“Dhe kushdo që largohet nga përkujtimi i Mëshiruesit, Ne i caktojmë atij një shejtan që të jetë shoku i tij i afërt.” (Zuhruf, 36)

Është transmetuar se Enesi [radiAllahu anhu] tha se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte shprehur:

“Kush shqetësohet kryesisht për Ahiretin, Allahu do ta bëjë atë të ndihet i pavarur nga të tjerët dhe do ta bëjë atë të përqendruar dhe të kënaqur. Punët e tij të kësaj bote do të shkojnë në vendin e tyre. Por kushdo që fokusohet tërësisht vetëm për këtë botë, Allahu do ta bëjë atë të ndihet në nevojë të vazhdueshme për të tjerët dhe do ta bëjë atë të shpërqendruar. Ai nuk do të marrë asgjë nga kjo botë përveç asaj që është caktuar për të.” (Tirmidhiu, Hadithi nr. 2389)

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: