Në themelet e një Xhamie të Madhe…
Nga Ferit Lika
“Caktimi i Zotit deshi që pikërisht sot, në ditën e lindjes së bekuar të Mëshirës të të gjithë botëve, Hz. Muhamedit (a.s.), sot kur ne me një program madhështor përkujtojmë 1442 vjetorin e lindjes së diellit të gjithësisë, për të tetin vit radhazi në Pallatin e Kongreseve, gëzimit të kësaj dite i shtohet edhe inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë së Tiranës.”[1]
Zhvillimet e fundit urbane dhe ndryshimet demografike në vendin tonë e kanë bërë Tiranën pothuajse të panjohur nga ajo që ishte dikur. Dita-ditës po shihen ndryshime të shumta në urbanistikën e kryeqytetit. Kemi parë në dekadat e fundit ngritjen e Katedrales së Shën Palit, përfundimin e Katedrales Ortodokse, ka nisur dhe së shpejti përfundon puna për Tempullin e Kryegjyshatës, dhe pas dekada pritjeje tashmë janë hapur rrugët për ndërtimin e një Xhamie të Madhe.
Historikisht Shqipëria për sa i përket besimeve fetare, ka qenë e përbërë nga tre komunitete të mëdha fetare, ai mysliman, ortodoks dhe ai katolik, e në rrjedhë të historisë myslimanët gjithmonë kanë qenë shumicë, ashtu siç dolën edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë (Censusi 2011). Por, për ironi të fatit a për qëllime të caktuara, shqiptarëve iu mohua e drejta për të pasur një xhami të madhe, një xhami që të përfaqësojë denjësisht identitetin mysliman të më se 70% shqiptarëve.
Dita-ditës myslimanët po shtohen. Qindra e mijëra të rinj përqafojnë Islamin, këtë e dëshmojnë edhe namazet e bajrameve të falura në shesh, ku numri i pjesëmarrësve nga viti në vit rritet, ku së fundmi arriti më së paku në 20 mijë besimtarë.
Pa një vend falje që prej 1938, kur edhe është bërë kërkesa për një xhami të madhe, myslimanët kanë kryer ritet e tyre fetare në rrugë, në shi e në vapën përvëluese, dëshmi e këtij fakti janë të premtet që mbushin trotuaret dhe rrugën pranë xhamive me qindra besimtarë për të kryer ritualin e faljes.
Në fillim të viteve ‘30 Tirana kishte rreth 40 xhami dhe megjithatë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në vitin 1938 kërkonte ndërtimin e një xhamie të madhe, e cila mendohej të ndërtohej në një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë. Dëshirë kjo që nuk mundi të bëhej realitet deri në ditët e sotme edhe pse përpjekjet e Komunitetit Mysliman ndër vite kanë qenë maksimale.
Sot kjo nevojë shumëfishohet dhe tregues është numri i madh i besimtarëve, të cilët përbëjnë shembullin më të mirë të qytetarit model. Revista e asaj kohe “Zani i Naltë” organ i Komunitetit Mysliman, do të shkruante: “Me rasën e shum cermonijave të ndryshme âsht konstatue se Xhamija e Vjetër e Sulejman Pashës âsht tepër e vogël dhe s’mundet me i u përgjojë mâ nevojës së kohës. Mungesa e nji salloni të gjanë në kryeqytet ka dhânë shkak qi shumica e popullit të mbetet pa marrë pjesë në shumë ceremoni e lutje të kryeme ndër festa fetare e kombëtare. Populli âsht tepër sensibël shpirtnisht dhe e quën vehten shum fatkeqe kur s’gjen vend në tempullin e shenjtë ku don me krye të luturat e me e kënaqë ndërgjegjen e tij, sidomos të luturat e rralla qi me mëzi i pret. Mungesa e nji tempulli të favorshëm, mungesa e nji lokali të madh e të përshtatun me numrin e madh të popullit qi ka sot kryeqyteti, mungesa e nji faltoreje qi t’a përmbledhe e t’a kënaqe të tanë até publik që dëshiron me marrë pjesë ndër të lutuna, mungesa e nji të tillë ndertese sot âsht konstatue e vërtetue dhe nuk mund të kundershtohet. Prandaj e shohim qi ka ardhë koha me e parashtrue ketë problem për t’u bisedue e për t’u rafë mendimet.”[2]
Ndërsa, përpara se komunizmi të shkatërronte ndërtesat e kultit Tirana (vetëm qyteti) ka patur 27 xhami, e shumë pak prej tyre i shpëtuan “terrorit të kuq”. Tirana aktualisht ka rreth 900.000 banorë dhe një xhami e madhe është jo vetëm e domosdoshme, por jetike për myslimanët.
Në të gjithë vendin shumë prona të Komunitetit Mysliman u shtetëzuan nga shteti dhe u ndërtuan shkolla e ndërtesa të tjera publike. Në qendër ku sot ndodhet Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë Xhamia e Karapicit, tek ushtari i panjohur ka qenë Xhamia e Sulejman Pashës, etj. Qindra hektarë tokë të rrëmbyera komunitetit mysliman e nga ana tjetër myslimanët nuk po gjenin apo nuk po i jepej një vend dhe një leje për ndërtimin e një xhamie të merituar.
Njeriu ka nevojë për rehabilitim shpirtëror. Ezani i kësaj xhamie thërret ndër shekuj shpirtrat besimtarë. Jehona e këtij ezani të mohuar është ndjerë për mote të tëra. Myslimanët kanë kërkuar një të drejtë që u ka takuar, një të drejtë të mohuar në çdo periudhë të historisë shqiptare. Tani duket se është koha. E vonuar, por e shumëpritur. Diskutime, kleçka, vonesa, të gjithë e duan këtë xhami, jo vetëm myslimanët, por të gjithë shqiptarët.
Realizimi i këtij projekti prej kohësh është premtuar, por premtimet kanë shkuar e kanë ardhur të tjera për të mos njohur realitetin kurrë. Koha kishte ardhur, shkuar dhe ardhur përsëri që edhe Xhamia e Madhe të ishte një realitet në Tiranë, tani të gjithë po presin me padurim themelet e kësaj xhamie të madhe të nisin sa më parë. Burokracitë tashmë nuk kanë vend.
NAMAZGJAJA, TIRANA GRAND MOSQUE
“Namazgjaja ku ne jemi sot, është shprehje e shpirtit të madh e bujar dhe sakrificës së atyre besimtarëve myslimanë që dhanë për fenë e popullin përkushtimin, pasurinë dhe gjithçka që sot e kemi këtu mes tonë.” [3]
Namazgjaja ka qenë një fushë karakteristike e Tiranës ku myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Besohet se ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe u caktua si e tillë nga Sulejman Pasha që ndërtoi xhaminë me të njëjtin emër dhe që nga banorët autoktonë të Tiranës njihet si “Xhamia e Vjetër”, xhami e cila sot nuk ekziston më.
Kjo fushë është dëshmitare e ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912, si edhe shumë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së qytetit. Namazgja ka pasur edhe në kohën e profetit që quhej musal’la e cila ka të njëjtin kuptim me namazgjanë. Vend ku faleshin bajrame. Në të njëjtin vend sot ndodhet xhamia e musal’la, pra xhamia e namazgjasë në Medine. Namazgja ka në shumë vende islame, vetëm në Stamboll ndodhen rreth dhjetë namazgja. Kryetari i Komunitetit Mysliman shprehet se “me ndërtimin e xhamisë se madhe Namazgjaja do të kthehet në identitetin e saj duke u kthyer në vend falje, me kushte bashkëkohore për të pritur mijëra besimtarë”.
Nga vetë kuptimi i fjalës “vend për t’u falur”, namazagjaja është trashëgimia shekullore e qytetarëve të Tiranës, të cilët për shekuj me radhë iu falën dhe iu lutën Zotit. Pas dekadash dhune antifetare të regjimit komunist, para 20 vitesh u hodh gurthemeli i Xhamisë në sheshin përballë parlamentit, themel që nuk iu vu dot më një gur sipër.
Në Namazgjanë shekullore truall i Komunitetit Mysliman do të ndërtohet Xhamia e Madhe e Tiranës, një vepër madhështore që do të përfaqësojë denjësisht identitetin e myslimanëve shqiptarë.
Para disa ditësh u organizua edhe ceremonia për fillimin punimeve ku arkitektët e këtij projekti siç u quajtën atë ditë, Kreu i KMSH-së, Kryeministri i vendit dhe Kryebashkiaku i Tiranës, firmosën akt marrëveshjen e cila do t’i hapë udhën ndërtimit të kësaj vepre madhështore. Kjo akt-firmosje do të ekspozohet në ambientet e kompleksit të Namazgjasë, si dëshmi e brezave që do të vijnë.
TEKSTI I PLOTË I AKT-FIRMOSJES PËR NDËRTIMIN E XHAMISË SË MADHE TË TIRANËS
Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë!
Sot me dt. 20 Prill 2013, në Namazgjanë shekullore të Tiranës, në prani të mijëra qytetarëve dhe besimtarëve myslimanë, morën pjesë kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, kryetari i Bashkisë Tiranë z. Lulzim Basha, liderë të komuniteteve fetare, përfaqësues të trupit diplomatik, etj., nënshkruhet ky akt për inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, si një kompleks multi-funksional, i cili shpresojmë prej Zotit të Madhëruar, që t’i rrezatojë brezave me radhë besim, dashuri dhe dije.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Kryetari i Bashkisë së Tiranës
Prof. Dr. Sali Berisha Lulzim Basha
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Haxhi Selim Muça
Në hapjen e kësaj ceremonie, Genti Kruja, Drejtor i Kulturës në KMSH u shpreh: “Ne sot me vullnetin e Zotit të Madhëruar dhe me vullnetin e plotë të të gjithë faktorëve, me mbështetjen e bashkisë dhe qeverisë, arritëm që t’i japim fund pritjes shumëvjeçare të besimtarëve të kryeqytetit, duke kurorëzuar të gjitha hallkat me anë të zgjerimit të truallit, daljes së lejes dhe hartimin e një projekti madhështor, i cili do ta zbukurojë Tiranën edhe më shumë, me anë të një kompleksi adhurimi dhe dijeje, xhamisë, qendrës kulturore, muzeut të parë islam në Ballkan, sallës së konferencave, bibliotekës e shumë pjesë të tjera.”
Në këtë ditë historike për shqiptarët, ditë e cila do të mbahet mend gjatë, nuk munguan fjalët emocionuese.
“Unë Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë deklaroj dhe dëshmoj para Allahut, Zotit të gjithësisë, se sot, ditën e 20-të të prillit, të vitit 2013, këtu në Tiranë, në tokën vakëf, tradicionale të Namazgjasë, në prezencën e Kryeministrit të Shqipërisë, shkëlqesisë prof. dr. Sali Berisha, të Kryebashkiakut të Tiranës z. Lulzim Basha, të mijëra besimtarëve myslimanë dhe qytetarëve të Tiranës, inaugurojmë fillimin e punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Namazgjasë”.
Haxhi Selim Muça
“Për Tiranën, kryeqytetin e vendit, për Shqipërinë dhe shqiptarët, data 20 prill, dita e lindjes së profetit është e do të mbetet një ditë e madhe, e rëndësishme, ditë në të cilën ne inaugurojmë edhe ndërtimin e xhamisë më të madhe të kryeqytetit dhe të vendit, në tërë historinë e tij.”
Sali Berisha
Sot, në këtë ditë të shënuar, ditën e shënuar të ditëlindjes së Profetit Muhamed, ne nisim ndërtimin e kësaj vepre madhore Xhamisë së Madhe të qytetit, duke kompletuar mozaikun e objekteve të rëndësishme të kultit në kryeqytetin e shqiptarëve dhe duke shënuar së bashku një premtim tjetër të mbajtur para njëri-tjetrit dhe Zotit të Madh.”
Lulzim Basha
RËNDËSIA E NJË XHAMIE TË MADHE
Më tepër se arkitektura, që nxitojnë të kritikojnë nihilistët, rëndësi ka funksioni i saj në shoqëri. Ndërtimi i kësaj xhamie, siç u prononcuan drejtuesit e tre institucioneve që bënë të mundur realizimin e këtij projekti shumëvjeçar, është plotësim i harmonisë fetare në vend.
Në projektin e saj nuk parashikohet vetëm një xhami, por edhe qendër sociale që rinisë sot i mungon. Ajo do të jetë mjaft moderne, gjë që do t’i përgjigjet zhvillimit dhe zbukurimit të Tiranës. Të gjithë janë të vetëdijshëm se sot çdo lagje duhet të kishte xhaminë e saj, pasi xhamitë ekzistuese nuk mund të përballojnë fluksin masiv të ditës së premte, nga të rinjtë dhe besimtarët e shumtë.
Xhamia e Madhe do të jetë si një pishtar ndriçues, një pikë referimi për të gjithë myslimanët e këtij kombi. “Ajo do të jetë xhamia e të gjithë shqiptarëve dhe një monument i shkëlqyer i arkitekturës islame, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive shqiptare” – u shpreh Kryeministri gjatë një pritje që i bëri kryetarit të Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça.
Tani nuk ka asnjë arsye të zvarritet ndërtimi i xhamisë, të cilën besimtarët e presin me padurim dhe ndjeshmëria ndaj saj sa vjen dhe rritet…
PROJEKTI
Në një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë, në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës do të ndërtohet xhamia e re, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkon në 50 metra.
Xhamia e re do të jetë një kompleks multifunsksional, që do ta shndërrojë Namazgjanë në një zonë sociale për të gjithë banorët e kryeqytetit. Në xhami mund të falen njëkohësisht mbi 5000 besimtarë. Mendohet që objekti do të ndërtohet brenda tri viteve dhe kërkon shumën e 40 milionë eurove. Në krah të xhamisë do të ngrihet edhe godina e re e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Arkitektura nga ana funksionale i përgjigjet më së miri kritereve dhe kërkesave të kohës.
E veçanta e këtij projekti është se të gjitha funksionet do të jenë të hapura për publikun. Salla e konferencave me kapacitet rreth 400 vende do ta bëjë edhe më sociale këtë zonë. Në një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë do të shtrihet biblioteka, gjithashtu projekti përfshin edhe një hapësirë ku do të ndërtohet muzeu i parë islam në Shqipëri (Ballkan).
Gjithashtu do të ketë një numër të konsiderueshëm dyqanesh, ambientesh shërbimi dhe argëtimi për fëmijë.
Xhamia e Madhe që do të ngrihet në sheshin e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa” e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar shumë xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila në 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj.
Për arsye se ndërtimi i një xhamie klasike ka specifika të veçanta edhe të cilat nuk janë në gjendje t’i bëjnë të tjerët edhe realizimi i këtij projekti do të bëhet nga firma ndërtuese që administrohet nga kjo studio.
Kostoja e lartë që nevojitet për ndërtimin e saj nuk e ka trembur aspak Komunitetin Mysliman. Vetë kreu i këtij institucioni Haxhi Selim Muça, shprehet se kostoja është e lartë, por xhamia e re do të ndërtohet me ndihmën e vendeve mike islame si dhe me donacione nga vetë shqiptarët. Që tani – shprehet z. Muça, njerëzit kanë filluar të interesohen dhe të pyesin se ku dhe si mund të dhurojnë, në mënyrë që të gjithë ta shohin dhe ta ndiejnë si të tyren.
Aktualisht Komuniteti Mysliman ka hapur një faqe zyrtare, www.namazgja.com, ku është ekspozuar projekti dhe janë hapur dy llogari bankare për donacione dhe më vonë pasi të vijë edhe projekti i përfunduar, do të bëhen takime zyrtare për gjetjen e donatorëve.
Objekti madhështor do të jetë krenaria e myslimanëve në të gjithë Ballkanin. “Unë ndjehem jashtëzakonisht i lumtur – shprehet kryetari i Komunitetit Mysliman z. Muça, pasi personalisht kam mbi 20 vjet që e pres këtë moment, ndërsa shqiptarët që prej 75 vjetësh. Kjo është një ngjarje shume e rëndësishme jo vetëm për besimtarët, por për gjithë kombin shqiptar dhe Shqipërinë.”
[1] Genti Kruja, Drejtor i Kulturës, KMSH, fjala e mbajtur në ceremoninë e fillimit të punimeve të Xhamisë së Madhe
[2] “Zani i Naltë”, nr. 6, viti XIII, 1938, fq. 178 – 179. Zani Naltë nr. 2 (155) janar – shkurt – mars 2013, fq 114
[3] Haxhi Selim Muça, fjala përshëndetëse e mbajtur në ceremoninë e fillimit të punimeve të Xhamisë së Madhe (20 Prill 2013)