Ndikimi psikologjik i faljes së namazit

Shtylla më e rëndësishme pas dëshmisë është namazi. Namazi është një lloj adhurimi i cili zë një vend shumë të rëndësishëm në fenë Islame dhe është obligim për të gjithë myslimanët të cilët janë të aftë mendërisht dhe fizikisht. Në të vërtetë, namazi është ndër adhurimet kryesore që mundëson pastrimin e zemrës dhe të shpirtit. Pikërisht me anë të namazit mund të krijojmë një lidhje të gjallë me Allahun xh.sh. Të gjitha ibadetet që i kryen myslimani, sjellin dobi të veçanta në jetën e tij. Namazi është vepër që të largon nga të neveriturat dhe veset e këqija. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë thotë: “E ti fale namazin se me të vërtetë namazi të largon nga gjërat e shëmtuara dhe të neveritura.”[1]  Falja e namazit është një metodë me të cilën i drejtohemi Krijuesit tonë me adhurim, ku gjatë faljes së namazit myslimani e falënderon Allahun xh.sh, për nimetet (të mirat) që ia ka dhuruar, me këtë shtohet afrimi tek Allahu xh.sh, dhe e vërteton ajetin Kur’anor në të cilin Allahu xh.sh,thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.”.[2]

Në ditët e sotme njeriu më së shumti vuan nga mungesa shpirtërore. Në të vërtetë njeriut të sotëm e të depersonalizuar, namazi ia kthen integritetin që ia ka shkatërruar kultura moderne. Namazi është nevojë shumë e domosdoshme, që njeriut ia kërkon jeta ashtu siç kërkon ushqimin dhe të pirët. Ushqimi dhe të pirët janë rezistencë për trupin dhe mënyrë jetese, ndërsa namazi është rezistencë e shpirtit dhe mjeti i qetësisë. Ai e shmang njeriun nga veset e ulëta, që më pas të ketë mbarëvajtje në të gjitha çështjet jashtë namazit, siç pati mbarëvajtje dhe përkushtim para Zotit të tij në namaz. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të), kur ishte në gjendje të shqetësuar, i thoshte myezinit të tij: “O Bilal, na jep qetësi me të!” – domethënë na i qetëso zemrat tona me namaz.[3] Gjithashtu ai thoshte: “Paqja e qetësia ime gjendet në namaz.”[4] Është vërtetuar tashmë se njerëzit që besojnë, janë më pak të shqetësuar, ndërsa s’ka dyshim se mërzia dhe shqetësimi largohet gjithmonë duke qenë më pranë Allahut xh.sh. Namazi e përmbledh njeriun në bindje ndaj Allahut të Madhëruar.

Duke parë të këqijat e sotme që rrethojnë njeriun, shohim se jeta shpirtërore e njeriut është e vetmja shpresë dhe shpëtim. Pa dyshim se namazi e ndihmon njeriun të lirohet nga burgu i ekzistencës materiale, duke e kthyer në origjinën e tij dhe në njohjen shpirtërore të gjërave. Shpirti i besimtarit e thërret njeriun në të mirën, prandaj namazi na ndihmon për të hyrë në një botë reale krejt tjetër, e cila përbëhet nga tri nivele: niveli i përkujtimit (në namaz, duke përmendur Allahun, ne përkujtojmë pozitën tonë reale në këtë botë); niveli i udhëheqjes së kohës (namazi kryhet në kohë të përcaktuar), dhe; aspekti shoqëror dhe ai individual që arrihen me namaz (me namaz arrijmë jo vetëm dobi individuale, sikur u theksua më sipër, por me namazin e përbashkët ne mësohemi me jetën shoqërore, socializohemi). Për këtë arsye, të falësh namaz në ditët e sotme do të thotë të jesh i bindur ndaj Zotit, të shfrytëzosh në mënyrë të drejtë kohën që është në dispozicion, të kontrollosh dashurinë ndaj pasurisë, t’i zhvillosh ndjenjat e dashurisë ndaj të tjerëve. Në këtë dritë nazbulohet edhe kuptimi i ajetit Kur’anor:
“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve). Allahu e di ç’punoni ju.”[5] Namaz është shprehja më e lartë e bindjes dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit tonë. Namazi është miraxh i besimtarit, ngritje unike shpirtërore e njeriut në këtë botë.
Me namaz njeriu anon nga njohja e vetvetes, ndërsa pa namaz bie në greminat e kurtheve të kësaj bote.

 

 

[1] Kur’an, Ankebut: 45

[2] Kur’an, Dharijat: 56

[3] Aid el-Kami, Mos u trishto, Gostivarë, 2006, f. 217.

[4] Aid el-Kami, Mos u trishto, Gostivarë, 2006, f. 217.

[5] Kur’an, Ankebut: 45

Postime të ngashme