Ndikimi psikologjik i duasë-lutjes

Lutja-Duaja është të kërkuarit e robit mirësi dhe ndihmë nga Krijuesi i tij Allahu xh.sh, me një përulësi, dashuri dhe madhëri, duke i shprehur paaftësinë e tij përball madhërisë së Allahut xh.sh. Duaja është nënshtrimi në lutje e cila përmban paaftësinë e robit ndaj Allahut xh.sh; është shndërrimi i trupit të njeriut në gjendje kërkimi. Duaja është përgjigjja, erdha robi im nga ana e Allahut xh.sh, ndaj një robi i cili e pranon paaftësinë e tij ndaj Zotit. Duaja është të kërkosh, nuk ka mundësi të kërkojë një njeri nëse nuk di si dhe çka të kërkojë, të kërkosh do të thotë të jesh i vetëdijshëm. Të jesh i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm dhe të dish të kërkosh do të thotë të jesh njeri. Ai i cili i njeh kufijtë e veta, e di vendin e vet dhe e njeh veten, e njeh edhe Zotin e tij. Njeriu që e di kufirin dhe e di vendin ku e ka, di të bëjë edhe dua, sepse e di se është rob dhe se Allahu xh.sh, është Zot i tij. Duaja nuk ka ndonjë kohë dhe vend të caktuar, bëhet në çdo vend dhe në çdo kohë.

Duaja është biseda e zemrës së robit me Allahun xh.sh. Besimtari duhet të jetë gjithmonë në gjendje përgjërimi ndaj Zotit të tij, si një nevojë e adhurimit, sepse lutja është adhurim. Në Kur’anin Famëlartë citohen ajete të shumta, ku flitet për rolin pozitiv që mund të ketë lutja. Gjithashtu edhe në hadithet e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), shohim se lutja konsiderohet element i rëndësishëm në jetën e myslimanit.Po përmendim disa prej këtyre ajeteve: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…”[1] “Luteni Zotin tuaj, të përulur dhe në heshtje, sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë”.[2] “ … Dhe luteni Atë duke pasur frikë (për dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën)”.[3] Allahu xh.sh, ngjithashtu i drejtohet Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) e i thotë: “E kur robit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.”[4] Ajo që kuptojmë prej këtyre ajeteve, është fakti se vetë Allahu xh.sh, na fton ta lusim Atë me një sinqeritet dhe devocion, duke na thënë se lutja drejtuar Atij, mund të bëhet në çfarëdo kohe. Kur jemi rehat a pa probleme, ose nëse ballafaqohemi me probleme të natyrave të ndryshme, i pari prej të Cilit duhet të kërkohet ndihmë, duhet të jetë Allahu xh.sh. Gjithashtu, Ai nuk i do ata që paraqiten kokëlartë dhe koprracë, duke mos gjetur kohë që së paku një herë në ditë, t’i ngrenë duart drejt qiellit.

Edhe i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të) i ka këshilluar shokët dhe të afërmit e tij të luten, dhe vetë nuk ka pushuar së luturi Zotit përgjatë gjithë jetës së tij. Lutja e përshkruar dhe treguar me kaq madhështi zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e besimtarit. Me anë të lutjes njeriu i drejtohet Zotit me ndjenjën e mallit. Ne mund të jemi larg Tij, ashtu siç jemi larg diellit. Por Ai, ashtu siç bën Dielli me anë të rrezeve të ngrohta, përkëdhel gjithnjë kokën tonë, është prezent në çdo gjendje tonën dhe nuk kthen asnjëherë duarbosh zemrën që i lutet. Ai është i mëshirshëm me robin e tij më shumë se ç’është nëna dhe babai me fëmijën e vet. Profeti i nderuar s.a.s, ia tregon shokëve këtë të vërtetë me anë të një tabloje: Një grua e cila kërkonte fëmijën e saj mes robërve pas mbarimit të luftës, vraponte sa majtas djathtas, here vraponte e here ndalej, përqafonte çdo fëmijë që i dukej si fëmija i saj. Kur e shihte se nuk është fëmija i saj, e linte dhe vazhdonte kërkimin. Më në fund arriti ta gjente, e përqafoi fort dhe i mori erë. Dhe pikërisht në këtë moment Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) u tregon këtë tablo shokëve dhe i pyet: “A e shihni këtë nënë? A mund ta hedh në zjarr fëmijën e saj që e ka strukur fort në gji?”, “Jo, kurrsesi, nuk mund ta hedhë.”, u përgjigjën sahabët. Pas kësaj përgjigjeje Profeti
iu drejtua shokëve me këta fjalë: “Zoti është më i mëshirshëm ndaj robërve të Tij sesa kjo nënë.”[5]

Lutja, nëse e ka forcën absolute për dërgimin e qetësisë dhe të bindjes se çdo gjë është e mundshme nga ana e Zotit, e çon në një veprimtari aktive mendjen e njeriut.Lutja çon në një lloj lehtësimi shpirtëror dhe nganjëherë e bën shumë të madhe rritjen e ndjenjës heroike dhe guximtare tek shpirti i njeriut. Një psikolog i njohur thotë: “Vërtet dija më bashkëkohore, e kam fjalën për dijen e psikologjisë, na mëson po ato mësime të të dërguarve, pejgamberëve. E përse? Sepse doktorët psikiatër e kanë kuptuar se lutja, namazi dhe besimi i fortë në fe, i largojnë faktorët e zemërimit, të frikës dhe të stresit, që janë shkaqet e sëmundjeve tona.”[6] Për besimtarin nuk ka hidhërim. Kur atij i ndodh një gjë e keqe ai e shqyrton çështjen në veten e tij dhe përpiqet të gjejë shkakun pse ka ardhur ky problem. Ai e analizon personalitetin e tij në mënyrë që të gjejë zgjidhjen. Për besimtarin edhe gjëja më e hidhët, që mund ta vërejnë njerëzit me sytë e tyre fizikë, është e mirëseardhur dhe e kalon me durim, sepse ai e di se pas durimit vjen shpëtimi.

 

 

[1] Kur’an, Gafir: 60

[2] Kur’an, Araf: 55

[3] Kur’an, Araf: 56

[4] Kur’an, Bekare: 186

[5] Imam Nevevi, Rijadus-Salihin Kopshti i të devotshmëve, Logos A: 2013, Shkup, fq. 330

[6] http://www.mediaelire.net/lajm/8829/lutja-apo-duaja/

Postime të ngashme