Muhamedi a.s. personaliteti që la mbresat më të mëdha në historinë njerëzore
Ata që jetuan para tij e pritën me padurim që ai të zbriste në skenën e kësaj bote të sprovës, e ndërsa ata që erdhën pas nuk reshtën, e vazhdojnë të mos reshtin, së vlerësuari e lavdëruari atë që Allahu, të lavdëruar e krijoi. Këtë të vërtetë, poeti i Profetit, Hasan bin Thabit e shpreh me vargjet:
përkundrazi, fjalët e mia janë lëvduar falë tij.
Stërgjyshërit e Ebu Ejub el Ensarit do të shtegtonin nga Jemeni për në Medine që të prisnin atë e t’i përgatisnin vend të qëndronte. Selman Farisiu do të shkonte derë më derë që atë të gjente, do të bëhej skllav deri sa ai të vinte. Dhe ai erdhi… Me dritën e tij e ndriçoi këtë botë…
Mënyra shembullore se si ai jetoi, do të bënte që njerëzit që ishin më pranë tij Hatixhja, Aliu, Zejdi, Ebu Bekri, Osmani, Abdurrahman bin Auf, Sa’d bin Ebi Vakkas, Talha dhe Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) do ta besonin atë të parët dhe do ta ndiqnin me besnikëri marramendëse deri në fund të jetës së tyre.
Dijetarit hebre Abdullah bin Selam i mjaftoi ta shihte Profetin tonë dhe të lidhej fort me kauzën e tij. “Në këtë fytyrë nuk ka gënjeshtër”, do të thoshte ai dhe do ta ndiqte nga pas për gjithë jetën.
Ai është Profeti i gjithë njerëzimit. Për herë të parë në historinë njerëzore, ai do të trondiste fort mentalitetin e skllavërisë, duke hapur një rrugë që skllavëria të merrte fund një herë e përgjithmonë. Parimi i tij ishte fakti që njerëzit kanë lindur dhe lindin të lirë nga nëna, prandaj askush nuk ka të drejtë t’i skllavërojë ata. Në atë kohë kur skllavi s’kishte asnjë të drejtë, Bilal Habeshiu, Ebu Fukajha, Habab bin Ereti dhe Umu Abis, Nahdije dhe Dhinira, në sajë të tij do të trajtoheshin si njerëz, do të liroheshin nga zinxhirët e skllavërisë dhe për më tepër do të bëheshin shembuj të qëndresës, sakrificës, besnikërisë…
Në sajë të tij e drejta u konsiderua e drejtë dhe e gabuara e gabuar, u promovuan vlerat dhe u luftuan zakonet antinjerëzore si gjakmarrja, varrosja e vajzave të vogla të gjalla, alkooli, kamata, shtypja, dhunimi i të varfërve, jetimëve e i të dobëtëve. Me ardhjen e tij në Medine, luftërat e brendshme mes fisesh morën fund. Ensarët medinas dhe muhaxhirët Mekas u bënë vëllezër për të qenë të tillë përjetësisht…
Mëshira e tij universale, për mbarë njerëzimin, madje për kafshët, bimësinë e gjithçka; udhëzimi i tij i pastër e i sinqertë për njerëzit e xhindet; duaja e tij e përzemërt e gjithëpërfshirëse; jeta e tij model i mishërimit të virtyteve më të larta në nivelin më të lartë; zgjidhja me lehtësi e çdo problemi; adhurimi i tij i sinqertë; mësimet dhe porositë e tij të pavdekshme; mesazhi hyjnor që transmetoi, më i veçanti dhe plotësues i të gjithë mesazheve hyjnore ardhur për njerëzimin; përfaqësimi më i denjë i më të përkryerit bashkëshort, baba, shok, mësues, lider, diplomat, udhëheqës etj., e bëjnë atë njeriun dhe krijesën më të përsosur e të përkryer të Krijuesit Fuqiplotë e të Gjithëmëshirshëm, dhe e bëjnë misionin dhe kauzën e tij më gjithëpërfshirësen dhe më universalen.
Nga mëshira e tij patën përfituar edhe armiqtë më të betuar. Aq shumë i pat hapur krahët e mëshirës, saqë prej saj do të përfitonte edhe Vahshiu, personi që vrau xhaxhain e tij të dashur Hamzain, do të përfitonte edhe Halidi, Amr bin Asi, Ikrime, Ebu Sufjani dhe shumë e shumë të tjerë që s’kishin lënë gjë pa i bërë të Dërguarit të Allahut deri atë ditë…
Ai pati duruar dhe i qe përgjigjur me paqe të gjitha sulmeve që i qenë bërë atij personalisht. “O Zot! Fale popullin tim se ata nuk dinë!”, kështu qe lutur ai në luftën e Uhudit, ndërsa armiqtë i patën thyer dhëmbin dhe e patën plagosur. Madje ai me ngulm nuk pranoi edhe shkatërrimin e popullit të Taifit, që e patën ofenduar rëndë dhe i patën mbytur trupin në gjak. “Unë shpresoj prej mëshirës së Allahut që një ditë Ai të nxjerrë prej brezave të tyre së paku një njeri që ta besojë Atë!”, pati thënë Profeti i Mëshirës.
Ai do të ngrihej në këmbë ndërsa kalonte xhenazja e një hebreu që në atë kohë kishin bërë një mijë e një të zeza ndaj myslimanëve. Por Profeti e respektoi atë duke vlerësuar se edhe ai, edhe pse jo mysliman, ishte një njeri dhe si i tillë duhej respektuar.
Për të krishterët Profeti Muhammed (a.s.) garantoi një sërë privilegjesh. Në shumë marrëveshje ne hasim garancinë ndaj tyre: “… Ne i mbrojmë ata, sepse kristianët janë qytetarët e mi; dhe për Allah, unë jam gjithmonë kundër çdo gjëje që i dëshpëron ata.
Askush nga umeti nuk duhet ta shkelë këtë pakt deri në Ditën e Kiametit.”
Në një nga porositë e tij ku ai i porosit drejtuesit myslimanë t’i trajtojnë mirë jomyslimanët, thuhet: “Unë jam armik i atyre që i bëjnë padrejtësi jomyslimanëve…”.
Mbreti kristian Nexhashiu, bashkë me priftërinjtë në pallatin mbretëror, do të mahnitej nga mesazhet e tij, të transmetuara nga nxënësi guximtar i Profetit, Xhaferr bin Ebi Talib. Megjithëse nuk e kishte parë Profetin, mbreti i Abisinisë e besonte atë dhe shprehte dëshirën e zjarrtë të ishte shërbëtor i tij.
Mijëra kilometra larg, mbreti legjendar bizantin, Herakliti, do të njihte profetësinë e tij dhe vetëm frika e njerëzve që e rrethonin do ta pengonte ta shprehte hapur këtë besim.
Safuani do të shokohej nga bujaria e tij dhe do të dilte në përfundimin se një bujari të tillë mund ta ketë vetëm një profet.
Muhamedi (a.s.) ishte gati të falte gjithë botën vetëm e vetëm që një njeri i vetëm të bëhej besimtar, të njihte Allahun e të shpëtonte përjetësisht.
Osman bin Afani, Sa’d ibn Ebi Vakasi, Musab bin Umejri, Sad bin Muadhi, Enes bin Nadëri etj., do të braktisnin komoditetin dhe luksin që zotëronin dhe do të rendnin pas të Dërguarit të Allahut, deri në fund të jetës. Vetë sahabët janë argument i profetësisë së tij. Edhe ata, secili si një yll, kanë ndriçuar njerëzimin me dije, edukatë e mirësi. Ata janë nxënësit më besnikë të shkollës së Muhamedit (a.s.). Ata krenoheshin me Profetin dhe ai krenohej me ta. I donte me gjithë shpirt dhe e donin aq shumë sa ishin gati të flijoheshin në çdo moment në mbrojtje të tij.
Është e pamundur të tregohet një njeri i dytë që të jetë dashur si ai, as para tij e as më pas. Miliona besimtarë në çdo kohë, disa herë në ditë përmendin me mallëngjim, dashuri e respekt emrin e tij të bekuar.
Profeti Muhamed (a.s.) fitoi dhe pushtoi mendjet, arsyet, zemrat dhe shpirtrat e njerëzve.
Arkitektët e kulturës perëndimore dhe më të shquarit e asaj bote do të “përuleshin” me respekt përballë madhështisë së profetit të fundit. Bismarku, Napolon Bonaparti, Shopenhaueri, Volteri, Gëte, Bernard Shou, La Martini, Tolstoi e mijëra figura të tjera të rëndësishme të qytetërimit perëndimor kanë pranuar lartësinë dhe gjenialitetin e tij, dhe duke shprehur nevojën që bota ka, për frymën që ai solli, e vlerësojnë atë si më të madhin njeri të historisë njerëzore.
Ardhja e Profetit Muhamed (a.s.) shënon plotësimin e dhuntisë së Allahut ndaj njerëzimit. Në këtë këndvështrim ai është fryti më i ëmbël e më i përsosur i pemës njerëzore. Ai erdhi si dashuri, si mëshirë, si mirësi, si dritë mbi çdo dritë…
Ai është modeli i njeriut të përsosur, burim frymëzimi për çdo epokë, çdo brez, çdo kulturë e çdo popull. Ai erdhi t’i njohë njerëzit me Allahun, t’i shpëtojë nga çdo lloj skllavërie fizike, mendore e shpirtërore; erdhi që njerëzit të jetojnë në paqe, erdhi për të copëtuar errësirën dhe për të përhapur dritën cep më cep, erdhi për të mposhtur padrejtësitë e tiranëve, erdhi të konfigurojë këndvështrimin ndaj jetës, erdhi që njerëzit t’i udhëzojë drejt lumturisë së amshuar.
Ligji dhe normat që ai transmetoi nuk ishin vetëm për të rregulluar raportin mes njerëzve, dhe assesi vetëm për të rritur standardet e jetesës dhe të progresit njerëzor, por mbi të gjitha ai solli një qytetërim me ngjyra hyjnore që sistemon raportet e njeriut me gjithësinë, që i mundëson njeriut të njohë Allahun, të njohë vetveten.