Muaji i Sheuualit në jetën e Profetit a.s

Muaji i Sheuualit (الشوّال) është muaji i dhjetë i kalendarit hënor, i cili vjen pas muajit Ramazan dhe para muajit Dhul K’ade. Ndryshe quhet edhe si muaji i Bajramit, sepse në fillimin e këtij muaji gjendet festa më e madhe e besimtarëve mysliman, Bajrami i Fitrit. Kuptimi leksikor i fjalës (الشوّال) është: ngre, ngrihem lartë, ujë i mbetur në fund të enës dhe lagështirë. Nga shkaqet pse i është vendosur ky emër është sepse arabët paraislamik kur emërtonin muajt e kalëndarit hënor dhe kur ky muaj përkonte me kohë të nxehta ose gjatë verës, kjo bëhej shkak për pakësimin e qumshtit të deveve dhe për këtë arsye e kanë emërtuar kështu. Arabët paraislamikë e quanin ogurzi këtë muaj dhe nuk martoheshin, duke menduar që martesat e bëra në këtë muaj nuk ishin të mbara dhe ishin të destinuara të dështonin. Profeti a.s e theu këtë bestytni të arabëve duke u martuar me bashkëshortet e tij Ummu Sel-lemen dhe me Aishen r.anhuma pikërisht në këtë muaj.

Muaji Sheuual është muaji i parë që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit dhe është një muaj shumë i begatë, sepse tri ditët e para të tij janë festë për besimtarët mysliman. Profeti a.s kur shihte hënën  e fillimit të këtij muaji bënte tekbire dhe lutej kështu: “O Zot! Na begato me besim, Islam, siguri dhe bereqet në këtë muaj. O hëna e begatisë dhe e arritjeve, Zoti yt dhe Zoti ynë është Allahu, na jep ne begati dhe bereqet.

Profeti a.s e ka ndaluar agjërimin e ditës së parë të muajit Sheuual, por e ka bërë traditë (sunnet) agjërimin e gjashtë ditëve të këtij muaji. Duke i përgëzuar në kështu ata që e agjërojnë:

مَنْ صَامَ رَمَضَانَ ثُمَّ أَتْبَعَهُ سِتًّا مِنْ شَوَّالٍ كَانَ كَصِيَامِ الدَّهْرِ

“Kush agjëron muajin e Ramazanit, pastaj e pason atë me gjashtë ditë nga Sheuuali, është sikur ka agjëruar gjithë vitin.”

Muaji i Sheuualit është i pari ndër muajt në të cilët kryhet Haxhi. Në kuran kalon kështu:

…الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَّعْلُومَاتٌ 

“Haxhi është në muaj të përcaktuar…” Profeti a.s ka thënë thënë se këto muaj të përcaktuar janë muaji Sheuual, Dhil K’ade dhe Dhil Hixhxhe.  Këto muaj janë muajt e fundit të kalendarit hënor, kryerja e Haxhit pikërisht në këto tre muaj tregon se janë muaj me begati dhe bereqet të madh.

I’tikafi i Profetit a.s në muajin Sheuual

Profeti a.s e plotësoi në muajin Sheuual i’tikafin e mbetur prej muajit të Ramazanit. Këtë ngjarje e tregon një prej bashkëshorteve të Profetit a.s ku thotë; Ishim në dhjetë ditët  e fundit të Ramazanit dhe profeti a.s si gjithmonë futej në xhami për të bërë i’tikaf. Shkon Aishja r.a për të bërë dhe i’tikaf, Profeti a.s i jep leje dhe kështu ajo ngre një çadër të vogël në xhaminë e Profetit. Pastaj me rradhë filluan të gjithë të ndërtonin nga një çadër brenda në xhami. Kur e sheh Profeti a.s këtë gjë i urdhëron që t’i hiqnin çadrat, sepse nuk kishte mbetur vend për të kryer më adhurim prej çadrave. Këtë muaj Profeti a.s e lë në gjysëm i’tikafin duke e plotësuar në muajin Sheuual.

Shumë ngjarje të rëndësishme në jetën e Profetit a.s kanë ndodhur në muajin Sheuual;

  • Udhëtimi për në Taif.
  • Kthimi i muhaxhirëve të parë nga Etiopia.
  • Martesa me Aishen r.a.
  • Ndërtimi i xhamisë Profetike dhe i shtëpisë së Profetit a.s.
  • Bajrami i parë i Fitrit në vitin e dytë të hixhretit.
  • Beteja e Uhudit.
  • Martesa me Ummu Sel-lemen r.a.
  • Beteja e Hunejnit.
  • Beteja e Taifit.

Përgatiti: Marius Tafani

Postime të ngashme