Mrekullitë e Profetit Muhamed s.a.s (1)
Mrekullia e miraxhit
Në ajetin 1 të sures Isra thuhet: “Allahu që e çoi një natë robin e vet (Muhammedin), për t’i treguar disa prej provave tona, nga Mesxhidi Haram në Mesxhidi Aksa, mjedisin e të cilës e kemi begatuar, është i pastër prej atributeve të mangëta. Pa dyshim, Ai është Semi dhe Basir!”
Kurse në ajetet 8-11 të sures Nexhm, duke aluduar për ngjarjen e miraxhit, thuhet: “Pastaj u afrua dhe u var sa largësia prej dy harqesh ndoshta më afër. Dhe (Allahu) ia zbuloi robit të vet ç’kishte për t’i zbuluar. Dhe zemra (e Muhammedit) nuk i përgënjeshtroi ato që ia panë sytë…” Ndërkaq, në librat e hadithit flitet me hollësi mbi këtë udhëtim të shenjtë.
Allahu, i cili, me hyjnitetin e tij, ua ndryshon përmbajtjen dhe cilësinë trupave materialë, masivë e të patejdukshëm duke i bërë, si shpirti, të tejdukshëm e të aftë për të kapërcyer pengesat dhe kufizimet e ligjeve të natyrës, e ka favorizuar të dërguarin e vet, Muhammedin, me audiencën e tij hyjnore duke i dhuruar mundësinë për ta parë. Në udhëtimin e miraxhit si një fryt dhe përfundim i të qenit rob i Zotit dhe i adhurimit ndaj Tij, Profeti, duke i kapërcyer ligjet dhe shkaqet e natyrës, duke i kaluar pengesat njerëzore, ka kapërcyer me një lëvizje largësi të pallogaritshme duke i përdorur yjet dhe sistemet yjore si shkallë, ka lënë pas dimensionet-pengesë për ta parë Zotin dhe, nga pozicioni ku ka arritur trupërisht dhe shpirtërisht, e ka parë Zotin. Eshtë përshëndetur me profetët, i ka parë engjëjt, i ka soditur xhennetin dhe bukuritë e tij, xhehennemin dhe pamjen tronditëse të tij.
Pasi u ngjit në audiencën hyjnore me qëllim për t’ia treguar bashkësisë së tij çështjet që i duheshin treguar duke i parë vetë me sy dhe në mënyrë ngopëse, për të na i përcjellë neve gjërat që i besojmë si të fshehta, si vëzhgime të tij, për më tepër, për ta parë Allahun dhe për të na thënë neve “është” duke u mbështetur te vëzhgimi i vet, për t’i parë dhe njoftuar botën engjëllore, engjëjt, xhennetin dhe xhehennemin; pasi e soditi xhennetin, me një orë soditje të të cilit nuk mund të barazohen një mijë vjet jetë të tokës dhe pasi u nderua me vëzhgimin e Bukurisë hyjnore, me një çast vëzhgimi të së cilës nuk mund të barazohet jeta parajsore, Profeti u kthye në tokë në një kohë kur mbi të provoheshin të gjitha llojet e torturave ndërsa ai përpiqej t’i kuptonte dhe t’ua tregonte edhe të tjerëve të gjitha të vërtetat e çështjeve që kishin lidhje me Kur’anin dhe cilësitë e tij metaforike, kuptimet dhe urtësitë e adhurimeve, ta plotësonte detyrën e tij profetike për ta shpëtuar ummetin, bashkësinë e tij nga errësira e për ta nxjerrë në dritë. Duke u kthyer në tokë, Profeti ka sjellë edhe namazin si dhuratë për muslimanët. Kaq mundëm të thoshim gjer këtu për këtë mrekulli ose një tërësi mrekullish. Hollësitë janë në veprat e ndritshme të hadithit.
Mrekullia e ndarjes së hënës në dy pjesë
Abdullah b. Mesud tregon: “Një herë, ndërsa ndodhesha me të Dërguarin e Allahut në Mina, papritmas hëna u nda në dy pjesë: njëra pjesë në këtë anë të malit, tjetra, në anën tjetër. Para kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut na tha:
“Jini dëshmitarë!”
Begatimi i të ngrënave
Enes b. Malik tregon: “Ebu Talha i tha Ummu Sulejmes: “Unë e dëgjova të Dërguarin e Allahut të fliste me zë të dobët dhe e kuptova se është i uritur. A ke ndonjë gjë për të ngrënë me vete?” Ummu Sulejm iu përgjigj “po” dhe nxori një copë bukë elbi. Këputi një copë nga buka, e mbështolli dhe ma futi nën rrobë. Pastaj më dërgoi te i Dërguari i Allahut. Unë e gjeta të Dërguarin e Allahut tek po rrinte në faltore me shokët. Unë zura vend. I Dërguari i Allahut më pyeti:
“Ebu Talhai të dërgoi ty?”
“Po!” – I thashë.
“A për të ngrënë?”
“Po!” – Iu përgjigja. Atëherë, i Dërguari i Allahut u tha të pranishmëve “ngrehuni” dhe vetë eci para. Edhe unë dola para dhe arrita i pari te Ebu Talhaja për ta lajmëruar. Ebu Talha i tha Ummu Sulejmes:
“O Ummu Sulejme, i Dërguari i Allahut po vjen me shokët, kurse ne s’kemi aq gjë sa për t’i ushqyer dhe ngopur ata!”
Ummu Sulejme tha:
“E dinë Allahu dhe i Dërguari i Tij!”
Ebu Talha doli dhe e priti të Dërguarin e Allahut dhe, pastaj, së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut i tha Ummu Sulejmes:
“Ç’të kesh, nxirre, o Ummu Sulejme!”
Ai e solli bukën dhe i shtroi sipër gjalpë nga tullumbi. I Dërguari i Allahut bëri një lutje për bukën. Pastaj i tha Ebu Talhait:
“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”
Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë. Ata hëngrën, u ngopën dhe dolën.
Pastaj i Dërguari i Allahut i tha sërish Ebu Talhait:
“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”
Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë të tjerë që hëngrën, u ngopën dhe dolën.
Kështu, me radhë, të gjithë shokët hëngrën dhe u ngopën. Ata ishin rreth shtatëdhjetë-tetëdhjetë vetë!
Në një rrëfim të Buhariut dhe Muslimit, Abdurrahman b. Ebu Bekr tregon:
Gjatë një ekspedite, ishim njëqind e tridhjetë vetë bashkë me të Dërguarin e Allahut. Ai na pyeti:
“A ka ndokush nga ju ndonjë gjë për të ngrënë?”
Dikush nga ne kishte miell. Menjëherë zumë brumë. Ndërkaq, një idhujtar shtat gjatë me një tufë dhen u afrua tek ne. I Dërguari i Allahut e pyeti:
“Për t’i shitur i ke, apo për t’i falur?”
Burri iu përgjigj:
“Jo, për t’i shitur!”
Ne blemë një dele. Delen e therëm dhe i Dërguari i Allahut urdhëroi t’i skuqej mëlçia. Pastaj i Dërguari i Allahut i dha secilit nga tg njëqind e tridhjetë vetët një copë nga mëlçia e pjekur dhe la mënjanë edhe për ata që s’ndodheshin aty. Pastaj mishin e gatuar e ndau në dy çanakë. Të gjithë hëngrëm dhe u ngopëm, kurse enët vazhdonin të rrinin plot sikur s’ishin prekur fare!
Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullait te Buhariu, një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe gjatë luftës së Hendekut. Njerëzit që hëngrën atë radhë ishin një mijë.
Mrekullitë me ujin
Ndërsa ndodhej në Zerva së bashku me shokët, i Dërguari i Allahut kërkoi një enë ku të kishte ujë. Ai fudi dorën në enë dhe veç kur nga gishtat e tij filloi të rrjedhë ujë. Të gjithë shokët morën abdest.
Rrëfyesi i kësaj ndodhie e kishte pyetur Enes b. Malikun, të cilin e thërrisnin edhe me pseudonimin Ebu Hamza:
“Sa vetë ishin, o Ebu Hamza?”
“Rreth treqind vetë!” – I ishte përgjigjur ai.
Edhe në Hudejbije ndodhi që shokët t’i ankoheshin të Dërguarit të Allahut për mungesë uji. Ai nxjori atëherë një shigjetë dhe ua dha shokëve duke u thënë që ta ngulnin në burimin Themed. Vallahi, uji i burimit filloi menjëherë të gurgullojë dhe ashtu vazhdoi gjersa të gjithë shokët pinë, u ngopën dhe u kthyen.
( Vazhdon )