Mrekullitë e Profetit Muhamed s.a.s (2)

Pranimi i lutjeve të Profetit

Enes b. Malik tregon:

Ditën e xhuma, ndërsa i Dërguari i Allahut po mbante hutben, erdhi një burrë dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, s’po bie shi fare. Lutiu Allahut të na lëshojë shi!”

I Dërguari i Allahut e bëri lutjen menjëherë dhe ja ku filloi të bjerë shi që u bë aq i dendur, sa nuk do të arrinim dot nëpër shtëpi. Dhe gjer në xhumanë tjetër mbi ne vazhdoi të bjerë pa pushim mëshirë!

Xhumanë tjetër, ai apo dikush tjetër u ngrit e tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutiu Allahut ta largojë këtë shi prej nesh!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im lëshoje shiun rreth nesh, jo mbi ne!”

Dhe unë ju betohem se e kam parë se si u copëtuan retë e u shpërndanë andej-këtej dhe, ndërsa në të gjithë zonën sa të hante syri, binte shi, kurse mbi Medine, jo!

Abdullah ibn Omer tregon:

I Dërguari i Allahut lutej kështu:

“Allahu im! Bekoje Islamin me më të dashurin për Ty nga këta dy vetë (nga Ebu Xhehli ose Omer b. Hattabi)!”

Të nesërmen në mëngjes, Omer b. Hattabi doli para të Dërguarit të Allahut dhe u bë musliman!

Abdullah b. Abbasi tregon:

I Dërguari i Allahut kishte hyrë për të kryer nevojën. Unë vura jashtë ujë që të merrte abdest. Kur doli jashtë dhe pa ujin, pyeti:

“Kush e vuri këtë ujë?”

“Unë e vura!” – Iu përgjigja unë. Atëherë ai u lut:

“Allahu im, bëje atë dijetar në fe!”

Ne të gjithë e dimë se kjo lutje e të Dërguarit të Allahut u pranua. Ibni Abbasi qysh i ri pati zënë vendin e tij në kuvendin e dijetarëve të Hz. Omerit dhe është bërë i njohur me titujt “Habrul Umme” (I dituri i ummetit) dhe “Terxhumanul Kur’an” (Interpretuesi i Kur’anit).

Kurse në Musned, lutja e Profetit është kështu:

“Allahu im, bëje atë ta njohë frymën e fesë dhe mësoja interpretimin!”

Enes b. Malik tregon:

Nëna më solli te i Dërguari i Allahut dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ky është im bir, Enesi i vogël! Ta solla ty që të të shërbejë. Lutiu Allahut për të!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im! Bëje këtë fëmijë me pasuri dhe fëmijë dhe shumoja pasurinë dhe fëmijët!”

Dhe unë po ju them se, vallahi, kam shumë pasuri, kurse rreth njëqind fëmijë e nipër!

Enes b. Malik tregon:

Një ditë, i Dërguari i Allahut erdhi për vizitë te Ummu Haram. Tezja e gostiti me të ngrëna. Pasi hëngri, i Dërguari i Allahut u shtri pak për të fjetur. Ai u zgjua duke qeshur. Ummu Haram e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, ç’të bëri të qeshësh?”

Ai tha:

“Pashë në ëndërr ca njerëz të hipur dhe shtruar mbi ca gjemi që vozitnin në det të gjerë si sundimtarë të shtruar mbi fron dhe po shkonin për të luftuar në rrugë të Allahut. Kjo më kënaqi dhe më bëri të qeshja!”

Atëherë, Ummu Haram i tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutu për mua që edhe unë të jem mes atyre fitimtarëve të asaj ekspedite detare!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut për Ummu Haramin.

Me të vërtetë, në kohën kur Muavije b. Ebu Sufjan ishte guvernator i Sirisë, Ummu Haram hipi në një gjemi të ekspeditës së Qipros nën komandën e Muavijes. Pasi dolën në tokë dhe do të fillonin marshimin, Ummu Haram hipi në kalë por u rrëzua dhe vdiq si dëshmore e asaj fushate!

Dukja e engjëjve dhe xhindeve për Profetin dhe bisedimi me të

Abdullah b. Omer tregon:

Im atë, Omer b. Hattab, tha:

Një ditë, kur po rrinim me të Dërguarin e Allahut, papritmas na u shfaq pranë një person me rrobën krejt të bardhë dhe flokët krejt të zinj. As dukej se ishte udhëtar, pra, s’kishte shenja se po vinte nga rruga, as e njihnim. Ai u ul gju më gju me të Dërguarin e Allahut. Kurse duart i vuri mbi gjunjët e tij.

Ai filloi t’i bënte pyetje të Dërguarit të Allahut. E pyeti për Islamin, besimin, mirësinë dhe kiametin. Pasi mori përgjigje, personi u largua. Unë ndenja një copë herë të gjatë i heshtur. më në fund, i Dërguari i Allahut më tha:

“O Omer, a e di se kush ishte ai personi që më bëri ato pyetjet?”

“Allahu dhe i Dërguari e dinë!” – iu përgjigja unë.

I Dërguari i Allahut më tregoi:

“Ai ishte Xhebraili. kishte ardhur t’ju mësonte fenë!”

Sad b. Ebi Vakkas tregon:

Ditën e Uhudit pashë dy vetë, njëri në anë të djathtë të të Dërguarit të Allahut, tjetri, në të majtë. Mbi trup kishin rroba të bardha. Ata luftonin për të me rreptësinë më të madhe. Ata dy vetë s’i kisha parë as më parë kësaj ngjarjeje, as i pashë më pas. (Ata ishin engjëjt Xhebrail dhe Mikail).

Siç na përcjell Muadh b. Rifa prej të atit, Rifa b. Rafi që pati marrë pjesë në luftën e Bedrit, i ati ka thënë kështu:

Gjatë betejës së Bedrit, në një çast, Xhebraili erdhi te i Dërguari i Allahut dhe e pyeti:

“Si i njihni ndër ju ata që kanë marrë pjesë në këtë luftë?”

“Ne i njohim ata si më të virtytshmit e muslimanëve!” – Iu përgjigj i Dërguari i Allahut. Ose tha diçka të ngjashme me këtë.

“Edhe ne, – ia ktheu Xhebraili, – engjëjt që po marrin pjesë në luftën e Bedrit, i niohim si më të virtytshmit e engjëjve!”

Në veprën e vet “Musned”, Ahmed b. Hanbel përcjell prej Ibni Mesudit se, në ngjarjen e Natës së Xhindve, i Dërguari i Allahut u pati dhënë mësime Kur’ani xhindve.

Shembëllimet dhe mrekullitë e Profetit lidhur me të fshehtën

Hz. Aisheja tregon:

Një ditë qe zënë dielli. Pasi fali namazin e eklipsit, i Dërguari i Allahut tha kështu:

“Pa dyshim, dielli dhe hëna janë dy nga provat e Allahut! Kur ta shihni se u zu dielli apo hëna, falni namaz gjersa zënia të kalojë. Betohem se, duke falur namazin e këtij eklipsi, unë pashë gjithçka që më është premtuar! Kur të jem në namaz dhe të shihni se po bëj para, ta dini se po e shoh veten të përpiqem për të këputur një vesh rrushi nga të xhennetit. Dhe po të shihni se jam duke u prapsur, ta dini se po shoh se si disa po i bëjnë copë-copë disa të tjerë!”

Abdullah b. Abbas tregon:

I Dërguari i Allahut shkoi pranë dy varreve dhe tha:

“Kini kujdes! Këta me siguri po ndëshkohen. Madje, po ndëshkohen për një gjë të madhe. Njëri prej këtyre merrej me thashetheme, kurse tjetri nuk ruhej kur përmirrte!”

Dëshmimi i pemëve për Profetin

Xhabir b. Abdullah tregon:

Po ecnim së bashku me të Dërguarin e Allahut. Më në fund, zbritëm në një luginë të gjerë. Ai u largua për të kryer nevojën, kurse unë e ndoqa nga larg me një enë me ujë. Diku, i dërguari i Allahut u ndal, pa përreth por nuk i zuri syri ndonjë gjë për t’u fshehur. Pastaj, në skaj të luginës i zunë sytë dy pemë. I Dërguari i Allahut u nis menjëherë drejt tyre, u afrua te njëra pemë, zuri me dorë një degë të saj dhe u lut:

“Me lejen e Allahut, përkulu para meje!”

Dhe dega u përkul para tij si deveja që i nënshtrohet të zot dhe e zuri krejt pamjen në atë anë. Pastaj i Dërguari i Allahut shkoi te pema tjetër, zuri një degë dhe u lut:

“Me leje të Allahut, përkulu para meje!”

Dhe dega u përkul para tij duke ia zënë edhe atë anë. Pastaj, mes dy pemëve, i Dërguari i Allahut u lut:

“Me lejen e Allahut, më mbuloni nga sipër!”

Dhe degët e pemëve e mbuluan të Dërguarin e Allahut edhe nga sipër.

Abdullah b. Omer tregon:

I Dërguari i Allahut e mbante hutben duke u mbështetur mbi një trung hurmaje. Kur iu ngrit minberi, filloi t’i mbante nga shkallën e tij. Kur i Dërguari i Allahut u ngjit për herë të parë në minber, nga trungu doli një zë rënkues. I Dërguari i Allahut i shkoi menjëherë pranë dhe e fërkoi me dorë. Zëri rënkues u shua!”

Ebu Said el-Hudri tregon:

Një ditë, pas namazit të jatsisë, i Dërguari i Allahut i dha Katade b. Numanit një shkop dhe i tha:

“Ky shkop do të të ndriçojë dhjetë arshin para dhe pas. Kur të hysh në shtëpi, në një qoshe të saj do të shohësh një gjë të zezë. Godite menjëherë, pa i dhënë rast të të thotë gjë!”

Dhe ai veproi siç i tha i Dërguari i Allahut s.a.s.

Postime të ngashme