Mrekullitë e Profetëve (a.s) dhe shenjat në Kur’an për ta

Kurani Famëlartë, në një ajet të tijin ,përsa i përket Profetit tonë (s.a.s) dhe profetëve të tjerë, thotë: “Me të vërtetë tek i Dërguari i Zotit ka shembuj të mirë për ju”. (Ahzab/21)

 “Me të vërtetë ka qenë një shembull i shkëlqyer për ju tek Ibrahimi dhe tek ata që ishin me të.” (Mumtehine/4)

Usve” do të thotë shembull i mirë që i shkohet nga pas. Ajetin e parë, Elmallë e komenton në këtë mënyrë: “Profeti (a.s.) është shembull për t’u ndjekur jo vetëm nga fjalët, por edhe nga veprat dhe gjendja e tij. Domethënë, Profeti nuk u mjaftua vetëm me shpjegimin e teorisë së fesë dhe moralit, por ka treguar me një shembull të mirë e konkret të gjitha veprimet deri në detaje, në kohë lufte apo në kohë paqeje.”

Allahu i Madhëruar, ashtu siç i dërgoi profetët si një shembull të përsosur nga ana e besimit dhe moralit, me mrekullitë që i dha secilit prej tyre, i bëri ata udhërrëfyes për zhvillimin shkencor e teknologjik. Sepse fraza e përdorur në ajet: “Shembull i mirë” ashtu siç vërteton qenien e tyre si shembulli më i mirë, urdhëron edhe bindjen ndaj atyre në mënyrë absolute në çdo gjendje.

Parë nga ky këndvështrim, përmendja e përsosmërive shpirtërore të profetëve (besimi dhe morali i tyre) të nxit për përfitim prej tyre. Po ashtu, edhe në përmendjen e mrekullive të të Dërguarve, ka nxitje për të arritur në të ngjashmen e tyre. Madje, mund të thuhet se, ashtu si përsosmëritë shpirtërore, edhe përsosmëritë materiale dhe gjërat e mrekullueshme u janë bërë dhuratë njerëzimit pikërisht me anë të këtyre mrekullive.

Pra, anija e Hz. Nuhut (a.s.) si mrekulli, ora e Hz. Jusufit (a.s.) si mrekulli, ajo që ia bëri dhuratë njerëzimit më së pari ishte dora e mrekullive. Në këtë të vërtetë ka diçka të bukur, pasi shumica e artistëve (zejtarëve) kanë një profet si udhërrëfyes. P.sh., anijendërtuesit Hz. Nuhun, orëndreqësit Hz. Jusufin, rrobaqepësit Hz. Idrisin (a.s)…

Po, studiuesit e Kuranit dhe të gjuhës janë të një mendimi se çdo ajet i tij përfshin në vetvete shumë rrugë dhe degë udhëzimi. Atëherë, ajetet më të ndritura të tij, ajetet që flasin për mrekullitë e profetëve, nuk mbeten thjesht vetëm si një histori (rrëfim), por përfshijnë brenda tyre shumë kuptime udhërrëfyese.

P.sh.; “Edhe Sulejmanit Ne i nënshtruam erën, fluturimi i një dite ishte sa një muaj..” (Seb’e/12)

Pra, ky ajet na tregon se njerëzimi e ka udhën të hapur, le ta kryejë një rrugë të tillë në ajër. Atëherë, o njeri! Përderisa rrugën e ke të hapur, avitu dhe arrije këtë gradë. Allahu i Madhëruar me këtë ajet sikur thotë: O Njeri! Një robi im (Sulejmani) braktisi kënaqësitë trupore dhe unë e hipa atë në ajër. Nëse edhe ju e braktisni dembelizmin dhe dini të përfitoni mirë nga ligjet e mia, mund të hipni si ai.

Ajeti që tregon për mrekullitë e Hz. Muasit (a.s): “Kur Musai pati kërkuar ujë për popullin e tij dhe Ne i thamë: ’Bjeri gurit me shkopin tënd’. Pastaj që andej u derdhën me vrull dymbëdhjetë burime”. (Bekare/60)

Ky ajet tregon se me mjete të thjeshta mund të përfitohet nga thesaret e mëshirës që ndodhen nën tokë. Origjina e maleve është vërtetuar shkencërisht se vjen nga një lëng i ngrirë që është bërë si gur. Lutja e Profetit tonë “Madhëroj dhe lartësoj Allahun i Cili ka shtruar tokën mbi ujë të ngrirë nga çdo e metë”, padyshim që flet për këtë. Krijimi i parë i tokës është kështu; një lëndë si uji, ngrin e bëhet gur me urdhrin e Zotit, pastaj guri me lejen e Allahut bëhet dhé.

Le të shohim mrekullinë e Hz. Isait (a.s): “Do të shëroj atë që ka lindur i verbër dhe atë që vuan nga lebra dhe do të ngjall të vdekurit me Vullnetin dhe Urdhrin e Zotit” (Al Imran/49). Ky ajet tregon se “edhe sëmundjeve më të pashërueshme mund t’i gjendet shërimi. Çdo sëmundje, cilado qoftë ajo, është e mundur t’i gjendet shërimi (kura). Kërkojeni, gjejeni! Madje edhe vdekjes është e mundur t’i japësh një ngjyrim jete të përkohshëm. Ja, pra, ky ajet na tregon dhe na nxit drejt caqeve që zhvillimi shkencor i mjekësisë ende nuk i ka arritur.”

Gjithashtu rreth mrekullisë së Hz. Ibrahimit (a.s): “Ne thamë: O zjarr! Bëhu i ftohtë dhe paqe e siguri për Ibrahimin” (Enbija/69), ka tri domethënie të këndshme:

E para: Vetë zjarri, ashtu si edhe shkaqet e tyre natyrore nuk vepron sipas dëshirës së vet apo rastësisht, por vepron nën urdhrin e dikujt, dhe nuk e dogji Hz. Ibrahimin, duke u urdhëruar “mos e digj!”.

E dyta: zjarri ka një shkallë të ftohtë që djeg, d.m.th. ndikon po aq sa djegia. Allahu me fjalën “selama” i thotë të ftohtit: “ti mos digj si i nxehti.” D.m.th., ajo shkallë e zjarrit, me të ftohtin e saj, të djeg si të ishte i nxehtë. Edhe është zjarr, edhe është i ftohtë. Në fizikë, zjarri në gjendje prushi të bardhë ka një shkallë të tillë që nuk përcjell ngrohtësi përreth. Dhe ngase thith nxehtësinë e ambientit, me këtë trajtë të ftohti, ngrin gjërat e lëngshme përreth dhe i djeg me të ftohtin e saj.

Pra zemheriri, është një gradë e zjarrit që djeg me të ftohtin e saj. Atëherë është e detyrueshme që xhehenemi i cili përfshin brenda saj të gjitha llojet dhe gradët e zjarrit, të ketë në gjirin e sj edhe “zemheririn”. (Ajeti 13 i sures Insan flet për zemheririn). Në temperaturën -79oC gazi dioksidit të karbonit ka veti djegëse.

E Treta: Ky ajet na thotë se: “O populli i Ibrahimit! Bëhuni edhe ju si Ibrahimi, që rrobat tuaja të bëhen mbrojtëse si në këtë botë edhe në tjetrën ndaj armikut tuaj më të madh, zjarrit. Ashtu si duke i veshur besim shpirtit tuaj e bëtë mbrojtje kundrejt zjarrit, ka disa lëndë e materiale në tokë që Zoti ka ruajtur për ju. Ato ju mbrojnë juve nga dëmi i zjarrit. Kërkojeni, nxirreni dhe visheni!” Nga zhvillimet dhe zbulimet më të rëndësishme të njerëzimit është gjetja e lëndës së amiantit, që nuk e djeg zjarri. Dhe mbath një veshje që i reziston nxehtësisë.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: