Mrekullia e miraxhit, udhëtimi i Profetit Muhamed (a.s) drejt qiejve

Në ajetin 1 të sures Isra thuhet: “Allahu që e çoi një natë robin e vet (Muhamedin), për t’i treguar disa prej provave tona, nga Mesxhidi Haram në Mesxhidi Aksa, mjedisin e të cilës e kemi begatuar, është i pastër prej atributeve të mangëta. Pa dyshim, Ai dëgjon dhe shikon gjithçka!”

Kurse në ajetet 8-11 të sures Nexhm, duke aluduar për ngjarjen e miraxhit, thuhet: “Pastaj u afrua dhe u var sa largësia prej dy harqesh ndoshta më afër. Dhe (Allahu) ia zbuloi robit të vet ç’kishte për t’i zbuluar. Dhe zemra (e Muhamedit) nuk i përgënjeshtroi ato që ia panë sytë…” Ndërkaq, në librat e hadithit flitet me hollësi mbi këtë udhëtim të shenjtë.

Allahu, i cili, me hyjnitetin e tij, ua ndryshon përmbajtjen dhe cilësinë trupave materialë, masivë e të patejdukshëm duke i bërë, si shpirti, të tejdukshëm e të aftë për të kapërcyer pengesat dhe kufizimet e ligjeve të natyrës, e ka favorizuar të dërguarin e vet, Muhamedin, me audiencën e tij hyjnore duke i dhuruar mundësinë për ta parë. Në udhëtimin e miraxhit si një fryt dhe përfundim i të qenit rob i Zotit dhe i adhurimit ndaj Tij, Profeti, duke i kapërcyer ligjet dhe shkaqet e natyrës, duke i kaluar pengesat njerëzore, ka kapërcyer me një lëvizje largësi të pallogaritshme duke i përdorur yjet dhe sistemet yjore si shkallë, ka lënë pas dimensionet-pengesë për ta parë Zotin dhe, nga pozicioni ku ka arritur trupërisht dhe shpirtërisht, e ka parë Zotin. Është përshëndetur me profetët, i ka parë engjëjt, i ka soditur xhenetin dhe bukuritë e tij, xhehenemin dhe pamjen tronditëse të tij.

Pasi u ngjit në audiencën hyjnore me qëllim për t’ia treguar bashkësisë së tij çështjet që i duheshin treguar duke i parë vetë me sy dhe në mënyrë ngopëse, për të na i përcjellë neve gjërat që i besojmë si të fshehta, si vëzhgime të tij, për më tepër, për ta parë Allahun dhe për të na thënë neve “është” duke u mbështetur te vëzhgimi i vet, për t’i parë dhe njoftuar botën engjëllore, engjëjt, xhenetin dhe xhehenemin; pasi e soditi xhenetin, me një orë soditje të të cilit nuk mund të barazohen një mijë vjet jetë të tokës dhe pasi u nderua me vëzhgimin e Bukurisë hyjnore, me një çast vëzhgimi të së cilës nuk mund të barazohet jeta parajsore, Profeti u kthye në tokë në një kohë kur mbi të provoheshin të gjitha llojet e torturave ndërsa ai përpiqej t’i kuptonte dhe t’ua tregonte edhe të tjerëve të gjitha të vërtetat e çështjeve që kishin lidhje me Kuranin dhe cilësitë e tij metaforike, kuptimet dhe urtësitë e adhurimeve, ta plotësonte detyrën e tij profetike për ta shpëtuar umetin, bashkësinë e tij nga errësira e për ta nxjerrë në dritë. Duke u kthyer në tokë, Profeti ka sjellë edhe namazin si dhuratë për myslimanët. Kaq mundëm të thoshim gjer këtu për këtë mrekulli ose një tërësi mrekullish. Hollësitë janë në veprat e ndritshme të hadithit.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: