Mos e zhvleftëso të mirën duke e përzier me të keqen
Qenia njerëzore mbetet gjithnjë e hapur ndaj të mirave dhe të këqijava. Deri më sot, përveç të dërguarve të Allahut, bartës të atributit të pafajësisë dhe atë të mbrojtjes hyjnore, askush tjetër nuk ia arriti ta mbante veten larg gabimeve dhe gjynaheve. Ky fenomen del përpara syve tanë si një ligj i kësaj bote, vendosur nga Krijuesi ynë, i cili krijoi brenda nesh, perveç dëshirës për të bërë mirë edhe mundësinë për të gabuar. Por, ky koncept, të cilin përveç fesë e pranon edhe logjika e shëndoshë, nuk duhet ngatërruar me atë të përzierjes së punëve të mira me ato të këqija.
Mospërzierja e punëve të mira me ato të këqija, pastërtia shpirtërore në kryerjen e një vepre të mirë, na vjen si një ndër konceptet besimore më të rëndësishme të fesë tonë. Kjo do të thotë se, teksa jemi duke bërë një vepër të mirë, është e pamundur (fetarisht) që duke përdorur atë, të arrijmë edhe një fitim të papëlqyer, apo edhe të jashtëligjshëm. Njerëzit që përzien punët e mira dhe të këqija, i ndotën të mirat e tyre me papastërtinë e së keqes, në aspektin se ata harruan për kë ishin duke vepruar, përmenden si fakt dhe koncept në Kur’anin Famëlartë: “ Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat.” (Teube, 102)
Por, përderisa themi se njeriu është gabimtar, atëherë a nuk është normale, që dikush teksa është duke bërë mirë, ta përziejë atë me një vepër të keqe? Po, njeriu gabon, harron dhe humbet dashje pa dashje atë qëllimin e tij kryesor në disa punë, por kur kjo ndodh edhe në disa çështje, që kryekëput bëhen vetëm për Krijuesin, atëherë gjendemi përballë një problemi tepër të madh. Përse vallë, po të ishte e pamundur kjo gjë, Profeti ynë i dashur (s.a.s.) do të thoshte në një porosi të mirënjohur: “Kush na mashtron, nuk është prej nesh!” (Muslimi)
Prej kësaj kuptojmë se është normale të gabosh, qoftë me vetëdije apo jo, porse është e tepruar të mashtrosh. Mashtrimi mund të bëhet vetëm me vetëdije dhe prej njerëzve, të cilët shpesh bëjnë një lloj përzierje në punët e tyre, pjesa e jashtme (mbështjella) e të cilave duket e bukur, ndërsa brendia tepër e shëmtuar.
Parimi i të bërit mirë vetëm për hir të Krijuesit, duhet të reflektojë edhe në veprimtarinë tonë. Dobësimi dhe mosformësimi i duhur i këtij koncepti, do të sjellë humbjen e pastërtisë në veprat tona. Vetëm në momentin, kur puna jonë do të jetë veçse e pastër, atëherë ajo do të pranohet nga Krijuesi dhe do të marrë begatinë e premtuar. Padyshim, shpërblimi i këtij përmirësimi, që fillon nga brendia jonë, do të vijë përveçse në planin shpirtëror, si lumturi dhe qetësi, edhe në atë shoqëror, si ndikim dhe dashuri. Të gjithë e duan atë që është e bukur dhe e pastër, ajo është simboli më i lartë i drejtësisë dhe manifestimi i së cilës sjell veçse mirësi dhe begati.