A do t’i bëjë dobi atij gjithë ajo bamirësi që ka bërë?

Abdullah bin Xhud’an ishte bërë njëri prej liderëve të fisit Kurejsh në Mekë. Ai e fitoi këtë status për shkak të bamirësisë së madhe që tregonte ndaj njerëzve. Të gjithë e njihnin Abdullah bin Xhud’anin, bamirësin e madh. Ai i ndihmonte njerëzit e varfër, shtronte sofra me ushqime të ndryshme dhe dera e shtëpisë së tij ishte e hapur për çdokënd. Askujt nuk ia kursente ndihmën e tij dhe bënte çmos që t’i nxirrte njerëzit nga situatat e tyre të vështira.

Kjo famë e tillë, e shtyu një ditë, bashkëshorten e Profetit (s.a.s.), Hz. Aishen (r.a.), që të pyeste për këtë njeri. Ai jepte kaq shumë nga pasuria që kishte, por ç’do të ndodhte me këtë njeri kur të dilte përpara Zotit të tij. Ajo i tha të Dërguarit të Allahut (s.a.s.): “A do t’i bëjë dobi e gjitha kjo këtij njeriu në Ditën e Gjykimit?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Jo! Ai nuk ka thënë qoftë edhe një herë të vetme gjatë gjithë jetës së tij, ‘Zoti im, m’i fal mëkatet e mia Ditën e Llogarisë’!”

Besimi i sinqertë është kushti kryesor për pranimin e çdo vepre që ne bëjmë. Ne duhet ta dimë se për çfarë arsyeje e bëjmë një vepër të caktuar, sepse sipas asaj do të shpërblehemi. Nëse e bëjmë vetëm për njerëzit, atëherë do të marrim vetëm fjalët e mira prej tyre. Nëse e bëjmë vetëm për Zotin, atëherë do të fitojmë shpërblimin e Tij. Veprat e mira duhen lidhur gjithnjë me besimin, sepse është Zoti ai që na jep mundësinë të veprojmë dhe të përfundojmë me sukses një punë të caktuar. Çdo gjë i përket Sundimit të Tij, prandaj duhet të kthehemi gjithmonë tek Ai me lutje të sinqerta dhe mirënjohje të thellë nga zemra. Zoti ynë, na i fal gjynahet tona në Ditën e Llogarisë. Dëshmo që ne jemi prej atyre që të janë dorëzuar dhe nënshtruar vetëm Ty!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: