Mirësjellja ndaj kafshëve
Islami e ndalon keqtrajtimin e kafshëve, apo vrasjen e tyre, përveçse kur ato përdoren për t’u ushqyer. Profeti Muhamed (s.a.s) i këshillonte vazhdimisht shokët e tij për mirësjelljen ndaj kafshëve, duke theksuar mëshirën dhe mirësjelljen ndaj tyre. Më poshtë do të përmendim disa hadithe mbi këtë temë, të cilat e orientojnë myslimanin për mënyrën e sjelljes ndaj kafshëve.
-Mëshira që tregohet ndaj kafshëve do të shpërblehet. “Kush është i mëshirshëm qoftë edhe ndaj një trumcaku, Allahu do të tregohet i mëshirshëm me të Ditën e Gjykimit.”
-Sjellja e mirë ndaj kafshëve ka shpërblim, ashtu sikurse sjellja e mirë ndaj njerëzve. “T’i bësh mirësi një kafshe është sikurse t’i bësh mirësi një qenieje njerëzore dhe t’i bësh keq një kafshe, është sikurse t’i bësh keq një qenieje njerëzore.”
-Kafshët nuk mund të flasin për veten e tyre. Profeti (a.s) kaloi njëherë pranë një deveje shumë të dobët, shpina e të cilës gati ishte bërë njësh me stomakun. Ai i tha pronarit të saj: “Frikësoju Zotit për këtë kafshë, e cila nuk mund të flasë!”
-Lëndimi i tyre është i ndaluar. Njëherë i Dërguari i Allahut (a.s) po udhëtonte me një grup nga shokët e tij. U ndalën diku për të pushuar dhe ai u largua prej tyre një moment. Ata kishin gjetur disa zogj të vegjël dhe po luanin me ta, ndërkohë që nëna e zogjve sillej rrotull kokave të tyre, në shenjë dhembshurie dhe përkujdesjeje për të vegjlit e saj. Kur erdhi Profeti (a.s) dhe e pa këtë situatë, urdhëroi: “Kush i ka lënduar ndjenjat e këtij zogu nënë, duke i marrë të vegjlit e saj? Kthejini ata megjëherë tek ajo!”