Secili vepron sipas karakterit të tij

Secili vepron sipas karakterit të tij

Profeti Muhamed (a.s) ishte njeriu që kishte përvetësuar cilësitë më të larta të moralit. Sjellja e tij nuk ndryshonte pavarësisht njeriut që kishte përballë dhe ai nuk devijoi asnjë presje nga parimet e tij. Qëllimi i kundërshtarëve të kohës së tij ishte që ta tërhiqnin të Dërguarin e Zotit në batakun ku ndodheshin, por ai qëndroi gjithnjë sipër tyre dhe cilësohej me veçorinë ‘ai që të keqen e kthen me të mirë.’

Shembull i qartë që vërteton fjalitë e mësipërme është sjellja e Profetit (a.s) me hipokritët, madje me të parin e tyre, Abdullah b. Ubej b. Selulin. Ky njeri kishte pretendime para ardhjes së Profetit në Medine, se ai ishte heroi i saj dhe personi që mund të zgjidhte konfliktet midis fiseve Evs dhe Hazrexh. Por me ardhjen e Profetit këto fise iu bindën tërësisht atij dhe kreu i hipokritëve po humbiste pozitën e tij imagjinare. Ai mendoi se zgjidhja më e mirë ishte shtirja dhe më pas goditja në momentin e dobësisë.

Për ta bërë më të besueshëm Islamin e tij, ai e ftoi Profetin a.s të qëndronte te ai, edhe pse diçka e tillë nuk ndodhi. Kur Profeti (a.s) mbante hytbe ai dilte në rrugë dhe thërriste:

هَلُمَّ إِلَى رَسُولِ اللّٰه

Ejani, mblidhuni të dëgjoni të Dërguarin e Allahut!

Më pas vijonte:

أَنْصِتُوُا  لرَسُولِ اللّٰه

Dëgjojeni atë që thotë i Dërguari i Allahut!

Ky njeri qëndroi rreth 9 vite pranë Profetit (a.s), dëgjoi këshillat e tij, por çdo gjë ra në vesh të shurdhët. Ai i kishte mbyllur dyert e zemrës dhe ajo që i interesonte ishte vetëm përmbushja e interesave të tij.

Ai filloi të shfytëzojë çdo moment të dobët për t’i goditur myslimanët nga pas dhe arriti deri aty sa të shpifte për nderin e gruas së Profetit (a.s), Aishen (r.a). Kjo situatë shkaktoi dhimbje të madhe në familjen më të pastër dhe gjendja u përkeqësua shumë. Disa nga sahabët, me të drejtë kërkuan që Profeti (a.s) të marrë masa ndaj këtij njeriu të ligë. Reagimi dhe përgjigja e tij do të ishin sërish mbresëlënëse. Ai ishte në gjendje të duronte çdo dhimbje, vetëm që të mos dëmtohej imazhi i tij dhe mesazhi që ai mbarte te njerëzit e tjerë. Shokëve i tha:

لَا يَتَحَدَّثُ النَّاسُ أَنَّهُ كَانَ يَقْتُلُ أَصْحَابَهُ

“Të mos thonë njerëzit se ai i vriste shokët e tij.”

Mynafikut i erdhi fundi dhe vdiq i humbur në këtë botë dhe në botën tjetër. Profeti (a.s) kishte një nder për t’i kthyer nga vdekja e xhaxhait të tij Abbasit (r.a) dhe dhuroi si qefin për mynafikun, rrobën e tij. Rroba e njeriut më të pastër mbështillte një nga armiqtë e tij më të mëdhenj. Djali i Abdullah b. Ubej b. Selulit e kishte pranuar Islamin dhe vjen te Profeti (a.s) duke dëshiruar që ai të kërkojë falje për të atin. Profeti (a.s) ishte gati ta bënte edhe këtë gjë, derisa zbriti ajeti: 

اسْتَغْفِرْ لَهُمْ أَوْ لَا تَسْتَغْفِرْ لَهُمْ إِن تَسْتَغْفِرْ لَهُمْ سَبْعِينَ مَرَّةً فَلَن يَغْفِرَ اللَّهُ لَهُمْ ۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ كَفَرُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ ۗ وَاللَّهُ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ

“U lute për ta apo nuk u lute, Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë! Kjo sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të mbarë njerëzit e pabindur.”  (Teube, 9/80)

Dikush kishte thënë, se ai sillej me armiqtë më mirë sesa ne sillemi me miqtë! Shpresojmë të jemi prej atyre që ecin në gjurmët e Profetit Muhamed (a.s), duke e treguar këtë me veprat tona!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: