E vërteta e vdekjes dhe rasti i strucit!
Në fakt, nëse do të shprehemi me fjalët e Said Nursiut, ngase besimi mbart brenda vetes një farë shpirtërore të pemës së Xhenetit, besimtari gjatë githë kësaj jete jeton një jetë tejet të paqtë. Sepse sajë besimit që ka në zemër, ai ka shpëtuar prej frikës së kalbjes deri në zhdukjen në hiçmosgjë. Le të thojë ç’të dojë ndonjëri, e kush të dojë le t’i afrohet si të dojë kësaj çështjeje, e vërteta është se mohuesi, pra mosbesimtari, e ka të pamundur që t’i shmangë apo fshijë nga mendja apo zemra shqetësimet që lidhen me zhdukjen përfundimtare pas vdekjes. Madje këto shqetësime e bëjnë të përpëlitet asisoj që edhe në këtë jetë jeton një si farë Xhehenemi. Për t’i shpëtuar këtyre vuajtjeve shpirtërore, atij i nevojitet që të zhytet herë pas here në qejfe apo argëtime nga më të tepruarat. Ndonjëherë ai ia jep veten alkoolit, ndonjëherë zhytet në gjithfarë kënaqësish trupore të mishit, e herë të tjera shkon deri në përdorimin e drogës me dëshirën e vetme për të mos qenë më fare aty, për të shkuar në hiçmosgjë, e shumë e shumë lloje të tjera mendimesh që mund të shkojnë ndërmend, të cilat duket sikur i falin njëfarë fashitjeje të frikës prej të shndërruarit një ditë në baltë, e cila mund t’u ketë mbërthyer shpirtrat.
Me pak fjalë, krejt çakërqejf, i dalldisur në një jetë krejtësisht boheme, ai orvatet si e si të mos mendojë e të mos ndjejë asgjë për fundin e tij. Ju mund ta quani këtë edhe si njëfarë hipnoze. Veçse, ç’e do se edhe nëse të gjitha këto arrijnë ta mashtrojnë për njëfarë kohe kalimtare, ato janë vetëm përpjekje të kota që nuk sjellin as dobinë më të vogël. Njësoj si ai struci që kërkon të fshihet prej shikimit të gjuetarit dhe e fut kokën në rërë, edhe këto lloje argëtimesh të provuara veç për t’i bërë ballë sadopak ngarkesës frikësuese se cili do të jetë përfundimi, janë po aq të padobishme për të të falur ndofarë sigurie. Nëse ka ndonjë gjë që mund ta shpëtojë atë prej këtyre shqetësimeve, e që do ta nxjerrë në bregun e shpëtimit, duke i qëndruar nën të porsi një anije e sigurt, e poashtu si një udhërrëfyes besnik dhe burim i pashtershëm shprese, ai është besimi.
Sado mëkatar të jetë një njeri, nëse beson, atëherë ai do të ketë gjithnjë shpresë dhe njëfarë mbështetjeje në lidhje me fundin e tij. Sepse kjo e vërtetë është diçka që gjendet në vetë natyrën e besimit. Veç të tjerave, sipas besimit të Ehli Sunetit, sado mëkate të ketë kryer një njeri, nëse në zemrën e tij ka qoftë edhe një grimcë të vockël besimi, atëherë ai nuk do të dënohet me qëndrimin e përjetshëm në Xhehenem. (Shih: et-Teftazani, Sherhu’l-Makasid, 2/229-231) Sepse, nëse tek njeriu gjendet një xhevahir i atillë si besimi, mëkatet e tij nuk janë origjinare, por rastësore; nuk është besimi ai që i nxjerr ato. Ato thjesht burojnë prej mosqëndrimit në hapësirën që të ka përcaktuar ky besim. Me fjalë të tjera, mëkatet janë viruse që ngjiten pas hapësirave boshe që mund të jenë lënë të tilla përsa i përket besimit.
Ndërsa kur bëhet fjalë për mohimin, atëherë mëkatet rrjedhin prej vetë natyrës së mohimit. Kështu që, ato janë pjesë origjinare e mohimit. E nëse do të duhet të theksohet edhe njëherë, sipas besimit të përvetësuar dhe ndjekur prej të gjithë Ehli Sunetit, një njeri që ka qoftë edhe një grimcë të vogël besimi ka për të hyrë në Xhenet. Domethënë, mos e dhëntë Zoti që të ndodhë, por edhe nëse dikush kryen imoralitetin e zinasë, apo të vjedhjes, apo edhe çfarëdolloj mëkati tjetër, nëse ka besim, ai do të hyjë në atdheun e lumturisë, në Xhenetin e Amshuar. Nëse ai pendohet për mëkatet që ka kryer, e Allahu (xh.xh.) ia pranon këtë pendesë, atëherë ai njeri mund të hyjë në Xhenet edhe pa e provuar pjesën e hidhur të ndëshkimit. Ja, pikërisht këto janë ato çfarë të premton dhe përfton besimi, të gjitha nga një bukuri më vete, që nuk mund të përmbushet a zëvendësohet prej asgjëje tjetër. Kësisoj, ne mund të themi me plot gojën se besimi është një burim shumë i fortë shprese për njeriun. Një burim i fortë shprese me të cilin njeriu mund të largohet përherë prej botës së tij të ngushtë për t’u hapur drejt bukurive të pashterueshme të amshimit.