Minaret thërrasin: Ejani në shpëtim!

Një djalosh me zë të këndshëm lartëson kah hapësira e qiellit prej minares së bukur Ezanin, që dëshmon për Njësinë e Zotit. Udhëtari i cili është duke kaluar atypari ndalet njëherë, shtanget dhe qëndron si të ishte i ngrirë kur dëgjon këtë zë gati hyjnor. Duke u dridhur ky zë nëpër rrezet e ajrit, udhëtari tretet në habi dhe kujtimet e hidhura të këtij shekulli në atë çast i largohen nga mendja. Hafiz Ali Kraja

Minarja si pjesa më e lartë e xhamisë bart rolin e identifikuesit të këtij objekti religjioz. Teksa e sheh atë e cila larton kah qielli, duket sikur mburret me vetminë e saj, por menjëherë sapo ezani fillon, ajo merr jetë, dhe thyen vetminë kur tingulli i lidhet me simotrat e saj që modernizmi i ka penguar të duken, por që nuk mundet kurrsesi t’i ndalojë ato të thërrasin njerëzit në shpëtim. “Zërat janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por prapë ato përbëjnë një bashkësi brenda tërësisë harmonike të korit. Të paktën kështu e dëgjojmë ne, kështu e ndiejmë dhe kuptojmë ne”. Pas kësaj njerëzit grumbuj-grumbuj nisen drejt xhamive për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje, e atëherë vetmia e minares kthehet në gumëzhitje, në lutje e pendime. Pas këtij rituali njerëzit dalin të paqëtuar shpirtërisht e minarja i pret aty se, pa dyshim, ata do të kthehen sërish, shumë shpejt.

“Në çdo kohë i kulluar gurgullin zëri i minareve në botën tonë. Në çdo buçitje të tij ky zë ka rregulluar zëmrën e shumë besimtarëve, kurse shumë fole djallëzore i ka shkatërruar.” Në një çast meditimi përpara këtij zëri engjëllor ndihemi sikur të na shkëputeshin këmbët prej toke, ndërkaq, drejt një thellësie të magjishme sikur të mos na kishte mbetur lidhje me kohën dhe vendin ku ndodhemi, sikur hapësira t’i kishte humbur dimensionet e saj. Ai zë na kujton marrëveshjen që kemi bërë me Zotin, fjalën që i kanë dhënë shpirtrat tanë Atij. Zërin e përmallshëm të muezinit disa herë e dëgjojmë si thirrje për në parajsën që kemi humbur dhe vrapojmë për të gjetur humbjen tonë mijëravjeçare drejt shpëtimit. Foshnjave, të sëmurëve, të gjymtuarve, pleqve e të rinjve, ky zë u ngjall miliona qeliza të vdekura nga helmi i materializmit; shpirtit i jep forcë, sepse ky zë është zëri i palcës sonë; ky gjëmim është gjëmimi i saj i cili e ka një vazhdim, dhe padyshim që e ka edhe një përfundim.

Ne bijve të shekullarizimit, ne të burgosurve të materializmit dhe egos, ne globalistëve të suksesshëm, ky zë na kujton se kemi dështuar, kemi dështuar në premtimin e dhënë, kemi dështuar shpirtërisht. Kemi humbur ndër shekuj në labirintet e botës, rrjedha e lumenjve na ka rrëmbyer, dallgët e detit na përplasin nga një breg në një tjetër e ne humbasim fillin e ekzistencës e qenësisë, harrojmë stacionin nga ku jemi nisur dhe domosdo që nuk dimë as destinacionin ku duam të shkojmë. Ngarkimi i vetes me gjëra më tepër sesa i përballon, vrulli i “modernitetit” dhe zhvillmi, na ka zënë veshët dhe nuk dëgjojmë këto minare tek thërrasin : Ejani në shpëtim. Në këtë përhumbje që na ka kapluar, ne kemi harruar që jemi krijuar për të mësuar dhe për t’u treguar të tjerëve ato që kemi mësuar. Por këto melodi qiellore, nisin të qetësojnë dallgët e jetëve tona, këto melodi që “nisin me sinjalet prej drite të agimit të parë dhe vazhdojnë gjer në kohën e rënies për të fjetur, u ofrojnë zemrave të besimtarëve gotë pas gote eliksir muzikor dhe, kështu intermexo kënaqësie përjetohen një pas një, gjatë tërë një dite.”

Ne shqiptarët për gati pesë dhjetëvjeçarë u privuam nga ky zë. Ai ishte molla e ndaluar për regjimin famëkeq të atëhershëm, pasi do të zgjonte ndërgjegjet e “fjetura” dhe pa dyshim që kjo do të përbënte rrezik për ta. Në të vërtetë “terrori i kuq” i bëri minaret të heshtin, por jo zemrat e besimtarëve. Ata edhe pse nën zë, sërish e thirrën fuqishëm ezanin, pasi lidhja me Atë që na ka dhënë frymë, Krijuesin, është aq e madhe sa që s’ka forcë ta ndalojë. Sot Ezani thirret lirisht, minaret buçasin edhe pse më të pakta në numër krahasuar me ato që ishin përpara se komunizmi t’i shkatërronte.  “Minaret thonë “Allahu është më i madhi” dhe ne ecim për në faltore sikur të shkonim për në parajsën e pafund. Minaret buçasin me Fjalën e Dëshmisë, edhe ne themi: “Ja, ky është synimi” dhe shkumëzojmë nga zemra. Ato e thonë me zë të lartë atë Dritë të Pasosur, dhe neve na reshon dritë në sy e në zemra. Pas kësaj, minaret rënkojnë: “Ecni drejt horizontit të mëshirës së Zotit, drejt rrebeshit të pendesës së engjëjve!” Dhe ngrihemi peshë plot entuziazëm, ne edhe një herë tjetër dhe ecim për t’u pastruar nga mëkatet. Dhe rrëqethemi nga zërat që thërrasin “ejani në shpëtim”, ndjejmë harenë dhe lehtësimin e pandjerë, vrapojmë për në namazgjah me gëzim si fëmijët…”[1] Ky zë është ura që lidh dy botët tona, botën materiale me atë shpirtërore, me besimin, që është “gurra e cila ia bën të këndshme jetën njeriut dhe i jep atij shpresa për lumturi. Ai që është larg kësaj gurre është fatmjerë dhe sikur t’i zotërojë të gjitha mjetet materiale qe i duhen në këtë jetë; ai është i mjerë se i mungojnë ndjenjat larta morale, të cilat do ta bënin të lumtur. Në këtë jetë ai nuk ndien ndonjë gëzim shpirtëror dhe kur gjatë shtegut të jetës e trondit ndonjë kob, nuk i gjen vetes tjetër ngushëllim ose rrugë shpëtimi…”[2]

Duke u çliruar nga prangat e hapësirës, kohës, materies, fizikalitetit dhe interesit vetjak është rruga e pozicionimit të vetes në nivelin e zemrës dhe të shpirtit, në këtë moment njeriu bëhet një trup i vetëm zemër-shpirt-trup fizik dhe me këtë unitet dhe forcë që buron prej tij, kapërcen kufizimet e materialitetit dhe të menduarit e të vepruarit në mënyrë të rëndomtë, pa një qëllim. Të kapërcesh kufirin e kohës, do të thotë të jetosh në nivelin shpirtëror dhe ata që e arrijnë këtë nuk janë kurrë të brengosur nga e kaluara e dhimbshme ose të shqetësuar për të ardhmen. Ata e vështrojnë të nesërmen me buzëqeshje. Dëshpërimi dhe shqetësimi vjen nga të jetuarit e jetës përciptazi dhe në mënyrë të rëndomtë.

Ne jemi të gjithë udhëtarë në këtë botë, të gjithë do të largohemi një ditë dhe sot më shumë se kurrë ka ardhur momenti të zgjohemi, të hapim sytë e veshët, por, mbi të gjitha, të hapim zemrën e t’i përgjigjemi thirrjes së këtyre minareve, jehona e të cilave kapërcen çdo kufi. Sot më shumë se kurrë duhet të tregohemi vigjilentë e të kuptojmë të Vërtetën Absolute ashtu siç është, pa të meta. Ky zë vjen në një kohë kur vendosmëria dhe vullneti nuk dinë nga të shkojnë nga tërmetet, stuhitë dhe përmbytjet, dhe shuhen, në një kohë kur njerëzit ndihen të kapluar pas punës, pozitës shoqërore, pasurisë, prosperitetit dhe forcës që ka burgosur zemrat tona.

… Dhe minaret vazhdojnë të thërrasin: Ejani në shpëtim!



[1] Zëri i minareve

[2] Hafiz Ali Kraja, A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar, fq.19

 

Postime të ngashme