TË URDHËROSH PËR MIRË DHE TË BËHESH PENGESË PËR TË KEQEN

Shkalla në Xhenet e atyre që kryejnë detyrën e të urdhëruarit për mirë dhe të të qenët pengesë për të keqen

Enesi r.a tregon: “I Dërguari i Allahut s.a.s tha kështu: “A doni tu flas për ata njerëz, të cilët, megjithëse nuk janë as profetë e as dëshmorë, ditën e Kijametit do të ulen mbi minberë drite dhe për shkallën e tyre tek Allahu do t’i admirojnë edhe profetët dhe dëshmorët?!”

– “Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?”, – e pyetën. I Dërguari i Allahut foli:

“Janë ata që ia bëjnë Zotin të dashur njerëzve dhe njerëzit të dashur për Zotin. Ata lëvizin nëpër botë, për t’i këshilluar njerëzit dhe për të bërë mirë për ta.” I thanë të Dërguarit të Allahut:

– “O i Dërguar! E kuptuam, që ata ua bëjnë njerëzve Zotin të dashur, por kjo, që t’i bësh Zotit të dashur njerëzit, si ndodh kjo, a mund të na e shpjegosh?” I Dërguari i Allahut s.a.s tha:

“Ata i urdhërojnë njerëzit që të bëjnë ato gjëra që i do më së shumti Allahu, si dhe u bëhen atyre pengesë dhe ua ndalojnë kryerjen e atyre gjërave që nuk i do Allabu. Dhe, kur ata njerëz u binden dhe i ndjekin me përpikëri gjërat e predikuara prej tyre, Allahu i do ata.”[1]

I Dërguari i Allahut i paralajmëron të gjithë, që të mos tregohen të dobët në urdhërimin e së mirës dhe në pengimin e së keqes

Sipas një transmetimi të Muadh bin Xhebelit r.a, Resulullahu s.a.s ka thënë: “Për sa kohë që në mesin tuaj nuk shfaqen dy dehjet; dehja nga injoranca dhe dehja nga dashuria për jetën e kësaj bote, ju do të vazhdoni të jeni pjesë e fesë që ju vjen prej Zotit tuaj, sepse, për sa kohë që do të jeni të këtillë, ju do t’i urdhëroni njerëzit për mirë, do t’i pengoni ata nga rënie tek e keqja dhe do të luftoni në rrugën e Allahut. Por, nëse ndodh e në mesin tuaj zë të lindë dashuria për jetën e kësaj bote, atëherë, ju as nuk do të urdhëroni më për të mirën, e as nuk do të bëheni më pengesë për të keqen, e aq më pak do të luftoni në rrugën e Allahut. Ja pra, ata që do të përfaqësojnë Kur’anin dhe Sunetin atë ditë do të jenë njësoj si muhaxhirët dhe ensarët e parë, të cilët garonin me njëri-tjetrin se kush do të bënte më shumë të mira.”[2]

[1] El-Hindi, Kenzul-Ummal, 3/155 (5565)

[2] Hejthemi, Mexhmeu’z-Zenaid, 7/533 (12159)

Postime të ngashme