Mekruhet (gjërat e papëlqyera) gjatë agjërimit
Mekruhet (gjërat e papëlqyera) gjatë agjërimit janë:
– Përdorimi i brushës së dhëmbëve ose i misvakut në parim është punë e lavdërueshme, por gjatë kohës së agjërimit është mekruh – e papëlqyeshme, ngase, në qoftë se misvaku është i lagur, uji mund të shkojë në fyt, e kjo e prish agjërimin. Pra, pakujdesia e agjëruesit është ajo që ta lejon ose ta bën mekruh. Është e vërtetë se goja (dhëmbët) duhet pastruar, por më mirë është që kjo të bëhet pas iftarit dhe pas syfyrit, që të largojmë çdo dyshim të mundshëm.
– Gjatë marrjes së abdesit ose gjatë larjes trupore nuk duhet tepruar duke futur ujë në gojë ose në hundë, por me këtë rast duhet treguar kujdesi i merituar, se në të kundërtën është mekruh. Edhe shpenzimi tej mase i ujit duke marrë abdes ose duke u larë është gjithashtu mekruh.
– I lejohet gruas ta shijojë me majë të gjuhës ushqimin që e ka përgatitur për familjarët ose për foshnjën e saj për kripë ose për shije, duke pasur kujdes që të mos e gëlltisë dhe atë, nëse nuk ka njeri tjetër në shtëpi i cili nuk është duke agjëruar me arsye.
– Nëse personi që është duke agjëruar dëshiron të japë gjak, por ka frikë se kjo e dobëson sa detyrohet ta prishë agjërimin, me këtë rast dhënia e gjakut është mekruh. E, në qoftë se nuk ka frikë se e dobëson, nuk është mekruh. Natyrisht, më mirë do ishte sikur dhënien e gjakut ta linte pas iftarit.
– Është mekruh ta puthë apo ta përkëdhelë bashkëshorten personi, i cili nuk është i sigurt në vetvete se mund të përmbahet e të mos përfundojë me derdhje të lëngjeve seksuale (ejakulim). Nuk është mekruh për atë që është i sigurt se mund ta kontrollojë vetveten. Transmeton Ebu Hurejreja se në një rast ka vajtur dikush te Profeti a.s. dhe e ka pyetur nëse i lejohet përqafimi dhe përkëdhelja e bashkëshortes duke qenë agjërueshëm. Përgjigjja e profetit ka qenë pozitive; përqafimi dhe përkëdhelja e bashkëshortes lejohet. Kur e pyeti dikush tjetër, atij ia ndaloi. Kjo sepse personi të cilit ia lejoi ishte i shtyrë në moshë, kurse ai të cilia ia ndaloi ishte i ri.