Allahu xh.xh, nuk ka nevojë për qëndrimin pa ngrënë e pa pirë të dikujt
Gjatë kohës sa besimtari agjëron, atë nuk duhet ta bëjë vetëm duke ngelur me bark të uritur e gojë të etur, por duhet agjëruar njëkohësisht edhe me të gjitha shqisat dhe gjymtyrët e trupit. Syri duhet ruajtur të mos e shikojë haramin, veshi të mos dëgjojë fjalë haram, dora të mos prekë haramin, këmba të mos shkelë në haram, gjuha të mos flasë gënjeshtra e tjera të ngjashme. Lidhur me këtë, i Dërguari i Allahut është shprehur kështu: “Allahu nuk ka nevojë për qëndrimin pa ngrënë e pa pirë të dikujt, i cili nuk i lë gënjeshtrën dhe veprimet me fjalë të gënjeshtërta.” (Transmetojnë Buhariu, Ebu Davudi, Tirmidhi dhe Ibni Maxheh).
Me një rast tjetër, për ata që agjërimin nuk e bëjnë ashtu siç duhet bërë ai, Profeti a.s. është shprehur: “Sa njerëz ka që agjërojnë, të cilët nuk kanë ndonjë përfitim nga ai, veçse të vuajnë të uritur e të etur. Dhe sa njerëz ka që ngrihen natën dhe bëjnë adhurim nafile, e të cilët nuk kanë ndonjë përfitim tjetër nga kjo, veçse të mbeten pa gjumë.” (Transmeton Ibni Maxheh).
I Dërguari i Allahut xh.sh. e ka tërhequr vërejtjen për mëkatet që mund të bëhen me anë të shikimit, duke thënë: “Shikimi haram është një shigjetë e helmosur e djallit të mallkuar. Kush shmang shikimet nga harami për shkak të frikës ndaj Allahut, Allahu xh.sh. ia fal atij një besim, ëmbëlsinë e të cilit do ta ndiejë në zemër.” (Transmeton Hakimi).
Gjatë kohës që besimtari është duke agjëruar, në vend që me gjuhën e tij të flasë gënjeshtra e broçkulla, t’i marrë njerëzit nëpër gojë, të bëjë thashetheme e t’i numërojë të metat e të tjerëve, të ofendojë apo të rëndojë me fjalë dikë, ai më mirë është të lexojë Kur’an, ose edhe literaturë dobiprurëse, të meditojë e të kujtojë botën tjetër. Të kujtojë Allahun xh.sh. dhe t’i bëjë dhikër Atij. Dhe jo vetëm kaq! Po nëse dikush e fyen me fjalë, ai duhet të mbajë qëndrim dhe t’i thotë se është agjërueshëm dhe nuk i kthehet në mënyrë të njëjtë. Ja sesi na porosit i Dërguari i Allahut: “Agjërimi është mburojë për besimtarin. Kur jeni duke agjëruar mos flisni fjalë të këqija, mos bëni veprime prej injorantësh. Po qe se dikë nga ju e ofendojnë ose e qëllojnë, le të thotë: -Unë jam agjërues.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu).
Shqisa e dëgjimit e ka rëndësinë e vet, prandaj edhe ajo duhet përdorur si një amanet që na e ka dhuruar më i Madhi Dhurues, i Cili e ka parë shumë të shëmtuar dëgjimin e gënjeshtrës ose qasjen për të dëgjuar biseda apo fjalë të gënjeshtërta:
سَمَّاعُونَ لِلْكَذِبِ أَكَّالُونَ لِلسُّحْتِ
“Ata vazhdimisht dëgjojnë gënjeshtra dhe hanë haram.” (El-Maide, 42)
E, pra, agjëruesi duhet të zotohet që agjërimin e tij ta bëjë sa më të kompletuar, duke u përkushtuar me frikë e respekt ndaj Allahut dhe largim nga haramet. Gjatë kohës së agjërimit në veçanti duhet shfrytëzuar koha për të lexuar Kur’an, sepse në këtë muaj ka filluar zbritja e tij. Besimtari, sa herë që lexon Kur’an, bën adhurim, përsiat për Allahun dhe tërë krijimtarinë e Tij, kujton botën e pastajme (Ahiretin) dhe periudhat nëpër të cilat do të kalojë njerëzimi. Leximi i Kur’anit është ushqimi shpirtëror më i mirë i besimtarit, kështu që kur kombinohen të dyja njëkohësisht, agjërimi dhe leximi i Fjalës së Allahut, ai e ushqen dhe e kënaq shpirtin e tij. Praktika e Profetit a.s. na ka treguar se vetë Profeti a.s. vazhdimisht ka lexuar, por intensitetin më të madh e ka pasur gjatë Ramazanit. Ibn Abasi tregon: “I Dërguari i Allahut ishte më bujari i njerëzve. Kurse koha kur bujaria e tij arrinte kulmin, ishte koha kur takohej me Xhibrilin në Ramazan. Gjatë çdo nate të Ramazanit, ai takohej me Xhibrilin dhe e lexonin Kur’anin së bashku. Në mirësi Profeti ishte më i fuqishëm se era që fryn me vrull!” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Edhe gjatë vitit në të cilin Profeti a.s. ndërroi jetë, së bashku me Xhibrilin e kishin lexuar Kur’anin dy herë të tërin. Një herë e lexonte Xhibrili e Profeti a.s. e përcillte, e më pas e lexonte Profeti a.s. e Xhibrili e përcillte. Pastaj, nuk duhet harruar edhe fakti se Kur’ani (leximi i tij) është ndërmjetësues tek Allahu (xh.sh) për lexuesin e tij, ngase Profeti a.s. ka thënë:
اقرؤوا القرآن فإنه يأتي يوم القيامة شفيعا لأصحابه.
“Lexojeni Kur’anin, se ai në Ditën e Kiametit do të jetë ndërmjetësues për lexuesit e tij.” (Transmeton Muslimi).