Cilat janë situatat që e prishin agjërimin?
Si çdo adhurim tjetër, agjërimi i Ramazanit dhe agjërimet e tjera në përgjithësi kanë disa rregulla, të cilat agjëruesi duhet t’i respektojë. Ndërkaq, nëse agjëruesi nuk e respekton ndonjërën prej tyre, atëherë agjërimi tij prishet dhe është i pavlefshëm. Por, para se t’i numërojmë disa nga rastet që e prishin agjërimin, le të konstatojmë se këto kanë të bëjnë me dy lloje situatash:
1. Situatat që e prishin agjërimin dhe që kërkojnë që ai vetëm të bëhet kaza – kompensohet.
2. Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë edhe kefaretin – kundërshpërblimin e tij.
1. Rastet kur agjërimi prishet dhe duhet bërë kaza
Para se t’i numërojmë këto raste, le të shpjegojmë se ç’do me thënë “kaza”?
Agjërimi i një dite të prishur me arsye e të cilën e agjëron në një kohë tjetër quhet kaza (origj. “kada”). Pra, sa ditë që të kanë mbetur pa i agjëruar, e që duhen agjëruar në një tjetër kohë, ditë për ditë, kjo periudhë kohore quhet kaza.
Janë shumë raste të kësaj natyre, por ne do t’i përmendim vetëm disa:
– Agjërimi prishet nëse personi ha ose pi gjëra të cilat nuk përdoren zakonisht si ushqime dhe si pije dhe që natyra njerëzore nuk është e prirë për t’i përdorur si ushqime dhe pije, p.sh. ngrënia e dheut, orizit të pagatuar, brumit të papjekur, miellit, arrat jeshile që akoma nuk kanë thelb e të tjera të kësaj natyre. Ngrënia e tyre e prish agjërimin dhe për atë duhet bërë kaza.
– Nëse ha syfyr duke menduar se akoma nuk është koha e imsakut, ose nëse bën iftar duke menduar se ka perënduar dielli; si në rastin e parë ashtu dhe në të fundit vërtetohet e kundërta.
– Kalimi në grykë i ujit të marrë me gojë ose të tërhequr me hundë, gjatë marrjes së abdesit.
– Ngrënia ose pirja me dashje pasi që të ketë ngrënë ose pirë diç me harresë duke pandehur se është prishur agjërimi.
– Vjellja e vetëkërkuar qoftë edhe më pak se sa mbushet goja plotë.
– Gëlltitja e pështymës ose lëngut të gojës së bashkëshortes.
– Përjetimi i ekstazës seksuale (derdhja e lëngjeve seksuale te mashkulli dhe kulmi i kënaqësisë seksore – orgazma te femra) me anë të puthjes, përqafimit ose përkëdheljes (kuptohet pa kryer marrëdhënie seksuale).
– Mbajtja në gojë e bombones, e çamçakëzit e prish agjërimin dhe duhet bërë kaza.
– Nëse personi detyrohet në marrëdhënie seksuale me përdhunë. (Përdhunë konsiderohet përdorimi i forcës duke e kërcënuar me prerje të ndonjë gjymtyre të trupit ose duke ia dëmtuar atë me anë të rrahjes). Për këtë lypset vetëm kaza.
2. Rastet kur agjërimi prishet dhe duhet bërë kaza e duhet dhënë kefaret-kundërshpërblim:
Me këtë rast bëhet fjalë për personin, i cili agjëron gjatë Ramazanit dhe e prish agjërimin me vetëdëshirë dhe vetëdije të plotë, duke bërë ndonjë veprim, disa nga të cilat do t’i numërojmë në vijim. Ai, me këtë rast, krahas zëvendësimit të asaj dite që e ka prishur, detyrohet edhe me kundërshpërblimin (kefaretin) përkatës:
– Me ngrënie, me pirje, me gëlltitje të diçkaje ose me përdorim ilaçesh pa justifikim sheriatik.
– Në qoftë se pi duhan ose i ha fletët e tij, apo thith tymin e tij qëllimisht.
– Kryerje të marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten (xhima) gjatë kohës kur agjëron qëllimisht, jo nga harresa.
Në të gjitha rastet e sipërtheksuara, kur agjërimi prishet, atë ditë ose ato ditë duhen kompensuar (kaza) dhe lypset kundërshpërblim (kefaret). Për prishjen e agjërimit jashtë Ramazanit nuk ka kundërshpërblim (kefaret), por vetëm kaza, madje edhe në qoftë se është agjërim për kompensim të Ramazanit.