Masat për mosdhënien e zekatit

Po të marrim parasysh vlerën dhe rolin e detyrueshmërisë së zekatit në shoqërinë islame, s’ka dyshim se mosrespektimi i kësaj norme ka pasoja për individin dhe shoqërinë. Në anën tjetër, meqë zekati është kategori Kur’anore, dispozita e të cilit është farz, mosrespektimi apo moszbatimi i këtij farzi në vetvete shoqërohet me sanksione (masa disiplinore).

Pikërisht duke u nisur nga këto parime, juristët islamë sqaruan dënimet dhe pasojat që vijnë nga ky moszbatim i këtij detyrimi. Juristët myslimanë, për moszbatimin e këtij farzi kanë sqaruar sanksionet që duhen zbatuar në jetën e kësaj bote, si dhe dënimet që pasojnë në jetën e botës tjetër.

Dënimi në jetën e kësaj bote

Meqë përmendëm më parë se zekati është detyrim (farz) vetvetiu nënkupton se moszbatimi i këtij farzi pas vete shkakton hidhërimin e Allahut xh.sh. dhe dënime si në jetën e kësaj bote ashtu edhe në jetën e botës tjetër. Prandaj, që në fillim të theksojmë se nëse personi që nuk e jep zekatin vullnetarisht për pasurinë, e cila është e dukshme, atëherë nga organi kompetent i tërhiqet vërejtja. Nëse edhe më tutje vazhdon të mos e japë zekatin, atëherë zekati i merret me detyrim konform ligjit (bëhet fjalë për vendet ku gjykohet me ligjin islam të sheriatit). Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga Behz b. Hakimi, nga babai i tij, ky nga gjyshi i tij se Profeti a.s. ka thënë: “Kush e pengon dhënien e zekatit, unë do t’ia marr atë dhe një pjesë të pasurisë.” (Ebu Davudi)

Kurse personat të cilët kanë pasuri dhe që jo vetëm nuk e japin zekatin, por mohojnë detyrimin e zekatit, të tillët konsiderohen të pafe (të dalë nga feja) dhe ndaj tyre zbatohen normat e murtedit. Pas kësaj, disa dijetarë, si imam Tahauiu dhe Gazaliu, paraqesin mendimin se në këtë çështje sahabet njësuan qëndrimin e tyre dhe kjo paraqet konsensusin (ixhmanë) e sahabeve (bashkëkohësve).

Nëse mosdhënësit e zekatit janë grup njerëzish, që nënkupton se qëllimisht organizojnë mosdhënien e tij, atëherë ndaj të tillëve merren masa sipas ligjit nga pushteti islam.

Nga dënimet që mund të goditen njerëzit si rezultat i mosdhënies së zekatit është dënimi me thatësira të mëdha dhe humbje të bereqetit. Lidhje me këtë, Profeti a.s. ka thënë: “Nuk do ta ndalonin dhënien e zekatit e të mos goditen me ndalimin e shiut nga qielli, andaj sikur të mos ishin kafshët, nuk do të binte shi. (Ibni Maxhe).

Postime të ngashme

%d bloggers like this: