Dënimi në botën tjetër!

Dënimi për mosdhënien e zekatit nuk është vetëm në jetën e kësaj bote, porse për të ka dënim edhe në jetën e botës tjetër, veçanërisht kur dihet se zekati është hak i të varfërve, skamnorëve dhe kategorive të tjera që i përmend Kur’ani Fisnik. Sa i përket dënimit në jetën e botës tjetër (Ahiret), për ata që nuk e japin zekatin, Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:

وَ الَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَ الْفِضَّةَ وَ لَا يُنْفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ * يَوْمَ يُحْمَى عَلَيْهَا فِي نَارِ جَهَنَّمَ فَتُكْوَى بِهَا جِبَاهُهُمْ وَ جُنُوبُهُمْ وَ ظُهُورُهُمْ هَذَا مَا كَنَزْتُمْ لِأَنْفُسِكُمْ فَذُوقُوا مَا كُنْتُمْ تَكْنِزُونَ

Ata, të cilët i ruajnë arin dhe argjendin, e nuk i japin për rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhembshëm. Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e Xhehenemit, e me të lyhen ballët, anët dhe shpina e tyre (e do t’ju thuhet): Kjo është ajo që e depozituat për veten tuaj, pra shijojeni atë që e depozitonit.” (Teube: 34-35)

Pra, ajeti qartë e bën të njohur se ata që plotësojnë kushtet e zekatit dhe nuk e japin atë, do të përfundojnë në zjarr të Xhehenemit bashkë me pasurinë e tyre.

Sipas kësaj qasjeje, kuptimi i ajetit është, se ata që nuk e japin e zekatin e arit dhe të argjendit, i pret një dënim i dhembshëm. Profeti a.s. i kishte parë dy femra që bartnin dy byzylykë ari dhe u kishte thënë: “A dëshironi që Allahu t’ju vendosë byzylykë nga zjarri i Xhehenemit? Ato të dyja thanë: -Jo. Profeti a.s. tha: – Jepuani zekatin këtyre dy byzylykëve.” (Ebu Davudi). Këtu vërehet se Profeti a.s. paraqiti dënim të rreptë për ata që nuk e japin zekatin, e ky është argument për detyrueshmërinë e tij.

Për dënimet e rënda që do t’i përjetojnë mosdhënësit e zekatit flasin edhe shumë ajete të tjera dhe hadithe të Profetit a.s. Në mesin e tyre është edhe hadithi i transmetuar nga Aliu r.a., në të cilin Profeti a.s. ka thënë: “Vërtet Allahu xh.sh. atyre do t’ua llogaritë me një llogari të fortë dhe do t’i ndëshkojë me një ndëshkim të dhimbshëm.” (Taberani)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: