Kurban Bajrami, dita e përkushtimit dhe afrimit me Zotin

Ud’hija i referohet ritualit të therjes së një kafshe që kryhet Ditën e parë të Kurban Bajramit, ose dy ditët e tjera pas tij. Kjo është një nga dy festimet vjetore për myslimanët në të gjithë botën. Profeti Muhamed ﷺ ka udhëzuar se kafsha duhet sakrifikuar në një mënyrë humane, duke minimizuar çdo dhimbje dhe duke mos i shkaktuar asaj asnjë lloj shqetësimi, i cili mund të shmanget.

Sakrifica është një akt mirënjohjeje dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe një veprim bujarie ndaj të tjerëve, përderisa mishi i kafshës u shpërndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Kështu, ne e gjejmë frymën humanitare të Islamit të theksuar në ditën e Kurban Bajramit . Ndërsa myslimanët e festojnë këtë ditë me familjet e tyre, ata ndajnë bekimet e tyre me të tjerët, siç thotë Zoti në Kur’an se ritualet e Haxhit janë bërë të detyruara për ta, “kështu që ata mund të dëshmojnë disa forma përfitimi dhe të lartësojnë emrin e Zotit gjatë ditëve të caktuara”.

Theksimi i përfitimit humanitar përsëritet sërish vetëm disa versete më vonë: “Kur kafshët të jenë flijuar, atëherë hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarët dhe lypësit. Kështu, Ne ua kemi nënshtruar atyre që të jeni mirënjohës “. Në frymën e shërbimit ndaj gjithë njerëzimit, një pjesë e mishit u dhurohet të varfërve, pa marrë parasysh prejardhjen fetare. Profeti Muhamed ﷺ mësoi: “Bëni bamirësi për njerëzit e të gjitha besimeve.”

Origjina e këtij rituali është një nga historitë më të famshme rreth Ibrahimit, historia rreth urdhërimit nga Zoti për të sakrifikuar djalin e tij Ismailin.  Kjo është një histori që qëndron në zemër të secilës prej traditave fetare që e shikojnë Ibrahimin si paraardhësin e tyre shpirtëror. Por është gjithashtu një histori që i është nënshtruar shumë abuzimeve polemike . Ekspertët e rinj ateistë si Christopher Hitchens e sulmuan këtë histori si shembulli kryesor i asaj që nuk shkon me fenë. Çfarë lloj Zoti do të urdhërojë një baba të vrasë djalin e tij? Cili lloj babai do të pranonte të kryente një veprim të tillë? Dhe çfarë lloj feje do të nderonte një njeri që pranoi të vriste djalin e tij, sepse besonte se Zoti ia kërkoi atij këtë gjë?

Reflektimi mbi këto kundërshtime është i domosdoshëm: të sigurohemi që ne vetë e kemi kuptuar saktë historinë dhe jemi në gjendje të përfaqësojmë siç duhet mësimet e saj para të tjerëve, dhe gjithashtu të shohim pse këto kundërshtime e paraqesin keq historinë. Për të qenë të sigurt, ajo që iu kërkua Ibrahimit ishte një provë e jashtëzakonshme e përkushtimit. Kur Ibrahimi migroi për hir të Zotit, duke braktisur shtëpinë e tij, sendet e tij, duke mos pasur asgjë tjetër përveç besimit të tij në Zot, ai u lut, “Zoti im, më dhuro një fëmijë nga të drejtët”, të cilit Zoti i tha: “Kështu që Ne i dhamë atij lajmin e lumtur të një djali të butë. ” Ne mund të imagjinojmë vetëm dashurinë e madhe që Ibrahimi kishte për Ismailin, e cila vazhdoi të rritet nga dita në ditë.  Teksa ngjarjet vazhduan të rridhnin në këtë formë, një ditë vjen kërkesa për të flijuar atë që ishte më e dashura për të.

Realiteti i thellë që kritikët e kësaj historie nuk mund ta kuptojnë është vërtetësia e Ibrahimit se, pa marrë parasysh sa shumë dhe jashtëzakonisht ai e donte Ismailin, dashuria e Zotit për Ismailin ishte pafundësisht më e madhe. Në të vërtetë, siç  përshkroi Profeti Muhamed ﷺ , Zoti e do robin e Tij më shumë sesa një nënë e do fëmijën e saj.  Ibrahimi e dinte se ndjekja e urdhërimeve të Allahut nuk do të çonte kurrë në dëm, dhe disi, në fund të fundit, rezultatet do të ishin të mira edhe nëse ai nuk do ta kuptonte se si.

Ky është aspekti epistemik që kritikët neglizhojnë; fakti që Ibrahimi (a.s.) – si profet – zotëronte njohuri të caktuara për atë që Zoti po urdhëronte dhe njohuri të sigurta se Vullneti i Zotit është moral dhe i mirë. Kjo gjë shpjegon se ai e dinte që ndjekja e udhëzimeve të Zotit nuk do të rezultonte në një rezultat të keq. Ky nuk është ndonjë individ i rastësishëm që pretendon se i është folur nga Zoti – ky është Ibrahimi i cili doli i padëmtuar nga gropa flakëruese në të cilën e hodhi populli i tij, Ibrahimi që pa me sytë e tij mrekullinë fizike të ringjalljes,  dhe dëshmoi sekretet e qiejve dhe të tokës për të qenë në mesin e atyre me vërtetësi të pashembullt.

Së dyti, një tipar unik i rrëfimit kuranor është se Ibrahimi në të vërtetë i afrohet djalit të tij dhe i flet për këtë çështje: “O biri im i dashur, me të vërtetë unë kam parë në ëndërr sikur të sakrifikoj, çfarë mendon ti për këtë çështje? ” Ismaili i përgjigjet atij, “O babai im, bëj atë që je urdhëruar, ti do të gjesh mua – me vullnetin e Zotit, prej durimtarëve.” Ismaili hyn në këtë çështje me dëshirë dhe devotshmëri, në vend që të çohet në sakrificë të pavëmendshme për qëllimet e Ibrahimit. Nuk ka fshehje ose detyrim në rrëfimin islam. Kjo histori ka të bëjë me bukurinë e babait dhe të birit duke besuar me kujdes në vullnetin e Zotit, siç thotë Kurani, “Dhe atëherë kur ata të dy iu dorëzuan Zotit dhe ai e vuri [Ismailin] me ballin përtokë, Ne thirrëm, ‘O Ibrahim, ti e ke përmbushur ëndrrën që pe, kështu ne i shpërblejmë ata që bëjnë mirë. ”

Shqyrtimi i mënyrës se si studiuesit klasikë e kuptuan historinë tregon se sa i gabuar është leximi i kritikëve. Ibn el-Kajjim (v. 751 H) bëri komentet e mëposhtme rreth arsyes pse Zoti e urdhëroi Ibrahimin që të sakrifikonte Ismailin:

Përfitimi nga urdhërimi i mikut të tij Ibrahimit për të flijuar djalin e tij nuk ishte që të ndodhte sakrifica, por më tepër që babai dhe djali t’i nënshtroheshin fort dhe plotësisht urdhërimit të Tij. Sapo të ndodhte ai përfitim, [nënshtrimi i plotë] flijimi do të bëhej i dëmshëm për të dy. Prandaj, Zoti e shfuqizoi atë [dhe e urdhëroi Ibrahimin të flijonte një dash në vend të kësaj]. Kjo është përgjigjja e saktë në lidhje me këtë çështje.

Si përmbledhje, sipas këtij rrëfimi, përgjigjja e Ibrahimit nuk ishte, “Unë jam në rregull me vrasjen e fëmijës tim, sepse Zoti tha kështu”, siç sugjeron retorike e re ateiste, por përkundrazi ishte, “Zoti po më kërkon të bëj diçka jashtëzakonisht të vështirë, por kam besim te Zoti duke e ditur që nëse ndjek këtë rrugë, Zoti do të jetë aty për Ismailin dhe mua, dhe Zoti do të na mbrojë nga dëmtimi. Zoti do ta pranojë përkushtimin dhe besimin tonë në Të dhe do të na drejtojë drejt diçkaje më të mirë. ”

Prandaj, e parë në dritën e saj të duhur, kjo histori përfaqëson një testament më të shkëlqyeshëm dhe të fuqishëm të shpirtshmërisë dhe përkushtimit të vërtetë. Megjithëse Zoti nuk na kërkon që të sakrifikojmë fëmijët tanë, jeta do të sjellë shumë sfida të vështira, ku duhet bërë shumë për të qëndruar për të drejtën, për të qenë të gatshëm të durojmë vuajtjet për të sjellë ndryshime pozitive. Ne mund të humbasim pasurinë tonë, familjen tonë, apo edhe më shumë. Besimi i vërtetë nuk do të thotë të heqësh vlerat morale ose etikën e dikujt në favor të një angazhimi të pamend ndaj udhëzimeve arbitrare. Përkundrazi, besim i vërtetë do të thotë të jemi të përgatitur të largohemi nga gjithçka që zemra jonë mund të dëshirojë, të sakrifikojmë atë që është më e çmuara për ne, kur e dimë se mund të shfrytëzojmë një mundësi për të bërë atë që është e drejtë për hir të Zotit dhe për t’i shërbyer krijimit të Tij. Sepse, në fund të fundit, ne e dimë që Zoti do të jetë me ata që përpiqen të bëjnë mirë në rrugën e Tij.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: